Krimi i dokumentuar ndërkombëtarisht nën sulm propagandistik edhe pas 27 vjetësh

Në përvjetorin e 27-të të Masakrës së Reçakut, disa media serbe rikthyen narrativën e vjetër – mohimin e krimit dhe cilësimin e tij si “trillim” ose “operacion antiterrorist”, që gjoja shërbeu si pretekst për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë më 1999. Kjo qasje është vazhdimësi e një propagande që synon relativizimin e krimeve ndaj civilëve shqiptarë dhe zhvendosjen e përgjegjësisë nga autorët te “komplotet ndërkombëtare”. Faktet, raportet ndërkombëtare dhe dëshmitë penale e rrëzojnë këtë narrativë, shkruan Sbunker.

Çfarë ndodhi dhe si u dokumentua?

Më 15 janar 1999, në Reçak u gjetën trupat e 45 civilëve shqiptarë, burra të paarmatosur. Ngjarja u dokumentua nga Misioni Verifikues i OSBE-së në Kosovë, i udhëhequr nga diplomati amerikan William Walker, si dhe nga gazetarë ndërkombëtarë që ishin në terren. OSBE e cilësoi vrasjen si krim ndaj civilëve. Më pas, hetimet mjekoligjore dhe gjetjet e institucioneve ndërkombëtare e rikonfirmuan këtë konstatim. Narrativa e “betejës me terroristë” siç e cilësojnë disa media e politikanë serb, u hodh poshtë nga fakti se viktimat nuk mbanin uniforma, nuk u gjetën armë që t’i lidhin me një përplasje luftarake dhe vendndodhja e trupave nuk përputhej me skenarin e një beteje.

Atëkohë, “Human Rights Watch” kishte hedhur poshtë pretendimet e qeverisë jugosllave se viktimat ishin ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Siç ka ndodhur në shumë raste në konfliktin e Kosovës, pasi UÇK-ja u tërhoq, forcat policore hynë dhe kryen mizori kundër banorëve të fshatit. Ndërsa është e mundur që disa banorë mund të kenë mbrojtur shtëpitë e tyre në mëngjes, shumica e tyre nuk ishin të përfshirë në ndonjë rezistencë të armatosur. Së paku njëzet e tre persona u ekzekutuan pasi u grumbulluan nga policia duke mos bërë asnjë rezistencë – një shkelje e qartë e ligjeve të luftës dhe një krim i dënueshëm nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) “, shkruan në raportin e Human Rights Watch. Sipas kësaj organizate, sulmi ndaj civilëve në Reçak ishte pjesë e një serie të gjatë të krimeve të luftës të kryera nga ushtria dhe policia e ish-Jugosllavisë.

Në mëngjesin e 16 janarit, në Reçak kishte shkuar William Walker, asokohe shef i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë. “Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale dhe të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet një mizori e papërshkrueshme”, kishte thënë Walker pasi pa trupat e të vrarëve.

Për nder të viktimave, në Kosovë 15 janari i vitit 2026 si çdo vit tjetër shënohet me homazhe e akademi përkujtimore.

Organizata që e denoncoi para 27 vjetëve masakrën, Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka përkujtuar atë.

Sot shënohen 27 vjet që nga masakra e Reçakut. Ne kujtojmë dhe nderojmë 45 jetët e humbura dhe u shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjeve të tyre. Një kujtesë për detyrën kolektive për të mbështetur të drejtat e njeriut, duke siguruar llogaridhënie dhe drejtësi për të gjithë. #Kurrë mos harro”, shkruan në postimin e OBSE-së.

Për krimin e Reçakut tashmë ka edhe një aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK). Fundvitin e kaluar Prokuroria propozoi gjykim në mungesë, ndaj 21 personave për veprën penale, krim i luftës kundër popullsisë civile. Sipas aktakuzës, “Në periudhën 1998 – 1999, të pandehurit, në bashkëkryerje, si pjesëtarë të Ushtrisë së ish-Jugosllavisë, Brigadës ‘’243 të Mekanizuar ’’, Armatës së III- të, e njohur si ‘’Korpusi i Prishtinës’’, si dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP), kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile”. Në aktakuzë thuhet tutje se të pandehurit fillimisht e rrethuan fshatin Reçak nga vendet e quajtura e më pas, nga distanca e granatuan me mjete ushtarake, kontrolluan shtëpitë, ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, ku i detyruan të largohen nga fshati, ndërsa burrat e ndaluar i ekzekutuan. Rreth 20 mijë civilë të fshatrave Reçak, Topillë, Petrovë, Kraishtë, Mullapolc, Dremjak ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre.

Demaskim i raportimeve të mediave serbe

Mohimi i Masakrës së Reçakut nga Serbia nuk është i ri. Zyrtarët dhe mediat serbe kanë ndjekur prej kohësh një strategji për të minuar besueshmërinë e provave dhe dëshmive, duke e portretizuar masakrën si një trillim perëndimor.

Më 15 janar 2026, disa media serbe publikuan artikuj me tituj sensacional që rikthyen narrativat e rreme për Masakrën e Reçakut. Përmes këtyre artikujve u pretendua se masakra nuk ishte gjë tjetër veçse një përplasje midis policisë serbe dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Artikulli i “Pravda” e quan Reçakun “operacion të rremë”, duke ndërtuar një histori ku fajësohen OSBE-ja, NATO-ja dhe vetë viktimat. Ky është një shembull klasik i propagandës konspirative ku mohohen faktet bazë dhe hidhen akuza pa prova kundër aktorëve ndërkombëtarë.

“Euronews Serbia” në artikullin për masakrën e Reçakut tenton të përdor gjuhë më “të moderuar”, por e relativizon krimin duke e quajtur atë rast të diskutueshëm. Aty Walker akuzohet se ka penguar hyrjen në fshat të hetuesve shtetëror serbe tek e cilëson si gabim tërheqjen e forcave policore pas kryerjes së aksionit, që sipas analizës së këtij mediumi, më pas u manipulua e vërteta e ngjarjes. Artikulli citon eksperten finlandeze të mjekësisë ligjore, Helena Ranta, sipas së cilës, ekipi i pavarur i së cilës hetoi rastin e Reçakut, nuk ka dallim me përfundimet që kanë nxjerrë ekspertët mjeko-ligjorë të Serbisë. Por në konferencën e mbajtur pas masakrës, ekspertja finlandeze pati thënë: “Do të doja të përmendja faktin se këta njerëz u vranë me armë zjarri – jo me një të shtënë të vetme në shumicën e rasteve. Dhe sqarimi i gjurmëve të plumbave nuk është një detyrë e lehtë për t’u bërë, veçanërisht në rastin e 60 personave që u ishte bërë autopsia kundër dëshirës sonë… Po, mund të pajtohem që ky është një krim kundër njerëzimit”.

Narracioni që krijohet nga mediat serbe është përshtypja e dyshimit të përhershëm, sikur e vërteta ende nuk dihet.

Televizioni publik serb e vendos theksin te figura e William Walker, duke e portretizuar atë si “arkitekt të bombardimeve”. Ky është një devijim i qëllimshëm ku sulmi personal ndaj dëshmitarit bëhet për të shmangur diskutimin mbi krimin. Walker nuk e “krijoi” Reçakun, ai raportoi atë që e pa dhe u dokumentua nga misioni ndërkombëtar të cilin e udhëhiqte.

Teknika propagandistike që vihet në përdorim është personalizim i fajit dhe zhvendosje e fokusit nga viktimat te aktorët diplomatikë. Edhe mediumi tjetër, “Blic” e paraqet Reçakun kryesisht si “arsyeje për bombardimet”, duke e reduktuar masakrën në një instrument politik, qasje kjo që e zhvesh ngjarjen nga dimensioni human- vrasjen e civilëve.

Propagandë ekstremiste për Reçakun në kanalet e Telegramit

 Në kanalet pro-ruse e pro-serbe në Telegram, narrativa shkon edhe më tej. Reçaku përshkruhet si “operacion antiterrorist”, ndërsa shqiptarët dehumanizohen përmes gjuhës raciste dhe thirrjeve për dhunë. Postime të tilla përfshijnë glorifikim të vrasjeve dhe nxitje urrejtjeje etnike, elemente këto tipike të propagandës ekstremiste.

Serbia është ngritur, do ta kthejë atë që ju pushtuat!”, “Shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur”, “Dead Arabians (arabë të vdekur)”, janë disa prej mesazheve që u postuan në Telegram. Ato u shoqëruan edhe me publikim të fotografive të rënda të shqiptarëve të masakruar në Kosovë, duke iu referuar si “arab”.

Këto mesazhe janë dëshmi se mohimi i Reçakut nuk është thjesht debat historik, por pjesë e një diskursi që vazhdon të ushqejë urrejtje dhe shovinizëm. Mohimi i një krimi të dokumentuar ndërkombëtarisht nuk është “mendim alternativ”, por dezinformim i qëllimshëm. Nga portalet propagandistike e deri te kanalet ekstremiste në Telegram, narrativat serbe për Reçakun kanë të njëjtin qëllim- të manpiulojnë historinë dhe të shmangin përgjegjësinë e ish-regjimit të Millosheviqit për krimet ndaj shqiptarëve.

Reçaku u bë pikë kthese politike dhe diplomatike, jo sepse u shpik, porse ekspozoi para botës dhunën sistematike ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.