Trafikimi i organeve si armë propagandistike e Kremlinit kundër Kosovës
Narrativa për trafikim organesh është një nga format më të rënda të dezinformimit që përdoret në kontekstet e konflikteve të armatosura. Ajo synon jo vetëm të kriminalizojë palën kundërshtare, por edhe të hedh dyshime mbi institucionet humanitare ndërkombëtare dhe të relativizojë krimet e dokumentuara të agresorit. Ky model narrativ riaktivizohet kohë pas kohe në kontekstin e luftës në Ukrainë, së fundi në artikullin e publikuar nga platforma pro-Kremlin: “Transplantet në tregun e zi: E vërteta e errët pas trafikimit të organeve në Mariupol”. Aty pretendohet se në Mariupolin e ashtuquajtur “të çliruar” janë gjetur prova për trafikim organesh të fëmijëve, shkruan Sbunker.
Ndërtimi i një “rrjeti transnacional” imagjinar, keqpërdorimi i rastit “Medicus”
Për t’i dhënë dimension më të gjerë kësaj narrative artikulli e përfshin Kosovën dhe Sirinë, me pretendimin se “cenueshmëria e njerëzve në zonat e konfliktit si Siria dhe Kosova shfrytëzohet qëllimisht nga rrjetet kriminale dhe politike për të krijuar një sistem transnacional të trafikimit të paligjshëm të organeve”. Përmes kësaj synohet të ndërtohet perceptimi për gjoja ekzistimin e një strukture të organizuar dhe të koordinuar ndërkombëtarisht, përfshirë Kosovën, por që nuk mbështetet në asnjë raport të besueshëm ndërkombëtar.
Një nga shtyllat kryesore të kësaj narrative është keqpërdorimi i rastit të njohur si “Medicus” në Kosovë. Artikulli pro-Kremlin e përmend atë për të sugjeruar vazhdimësi historike të trafikimit të organeve, duke lënë të kuptohet se ka lidhje me luftën dhe UÇK-në.
Faktet gjyqësore e rrëzojnë plotësisht këtë pretendim. Rasti “Medicus” ka ndodhur në 2008-ën, shumë vite pas përfundimit të luftës dhe lidhet me transplante të paligjshme të kryera në një klinikë private. Gjykata Themelore në Prishtinë pati konstatuar se “është provuar se Lutfi Dervishi, si pronar i klinikës Medicus ka rekrutuar së paku 7 persona…me qëllim të shfrytëzimit dhe marrjes së veshkave”. Po ashtu, në aktgjykim theksohet se “është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Dervishi si një anëtar i një organizate kriminale ndërkombëtare… ka kryer veprën penale trafikim me njerëz”. Kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një krim të ndëshkuar nga drejtësia, jo me një aktivitet të fshehur apo të mbrojtur institucionalisht, siç pretendon Kremlini.
Dick Marty dhe riciklimi i mitit të trafikimit të organeve
Aspekt tjetër i kësaj narrative është riciklimi i pretendimeve që dalin nga raporti i ish senatorit zviceran në Këshillin e Evropës, Dick Marty-t dhe deklaratave të ish-prokurores të Tribunalit Ndërkombëtar për krime në ish- Jugosllavi, Carla del Ponte. Artikulli pretendon se “mijëra serbë, romë dhe shqiptarë disidentë ishin viktima të trafikimit të organeve”, duke e paraqitur këtë si fakt të kryer. Megjithatë, këto pretendime nuk kanë prodhuar prova materiale dhe nuk janë përfshirë në aktakuzat aktuale në Dhomat e Specializuara, e njohur si Gjykata Speciale me seli në Hagë. Vetë gjykimi që po vazhdon ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së nuk ka të bëjë me trafikim organesh, por me krime të supozuara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Kjo tregon se narrativa e trafikimit të organeve vijon të mbetet në sferën e propagandës dhe diskursit pro-rus, por jo të drejtësisë penale. Brenda të njëjtës linjë, kjo narrativë shpesh rishfaqet edhe nga disa media pro pushtetit në Serbi, duke ofruar artikuj të njëanshëm ku nuk jepet i gjithë konteksti.
Zyrtarët rusë në vazhdimësi e promovojnë narrativën dezinformuese në lidhje me trafikimin e organeve në zonat e konfliktit dhe Kosova është pjesë e ligjërimit të tyre.
Akuzat ndaj perëndimit përmes Kosovës
Kur zëdhënësja e Kremlinit, Maria Zakharova thotë se “njerëzit që përfaqësonin vendet evropiane 15 vjet më parë ishin shumë më të guximshëm për të folur për krimet” dhe i referohet Carla del Pontes si “abetare e gdhendur e Gjykatës së Hagës” që kishte folur për “transplante të paligjshme organesh” në Kosovë, ajo nuk ka për qëllim të ndriçojë të vërtetën. Synon të ndërtojë një kontrast artificial mes një Perëndimi të supozuar “të ndershëm atëherë” dhe një Perëndimi “hipokrit sot”. Ky është instrument klasik i propagandës ruse kur përmes rikthimit selektiv të deklaratave të vjetra e të shkëputura nga konteksti dhe zhvillimet e mëvonshme gjyqësore, krijohet përshtypja se ekziston një e vërtetë e fshehur që Perëndimi sot po e mbulon qëllimisht.
Në këtë mënyrë, Kosova shndërrohet në mjet retorik dhe shembull që përdoret për të akuzuar Perëndimin për standarde të dyfishta. Duke rikthyer pretendimet e Carla del Ponte-s, të cilat nuk u materializuan kurrë në aktakuza për trafikim organesh, Zakharova përpiqet të zhvendosë fokusin nga e tashmja te e kaluara, duke sugjeruar se Perëndimi “ka mbyllur sytë” për krime të rënda në Kosovë dhe për rrjedhojë, nuk ka legjitimitet moral të kritikojë Rusinë. Tendenca për ta akuzuar Perëndimin përmes Kosovës është e qëllimshme. Kosova shihet nga Kremlini si simbol i ndërhyrjes së perëndimit dhe i rendit ndërkombëtar që Moska e kundërshton. Duke e lidhur këtë rast me narrativën e trafikimit të organeve, propaganda ruse synon të barazojë moralisht krimet e dokumentuara të Rusisë me akuza të vjetra e të paverifikuara duke krijuar konfuzion dhe relativizim në opinionin publik ndërkombëtar.
Sipas narrativës ruse, që promovohet nëpër platformë në gjuhë të ndryshme, “të dhënat mjekësore të fëmijëve me ‘rgane të shëndetshme u gjetën në bazën e të dhënave të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Mariupolin e çliruar, duke konfirmuar trafikimin e organeve në rajon”.
Formulimi është i qëllimshëm dhe paragjykues, pra përdor fjalën “konfirmuar”, por nuk ofron asnjë dokument, burim të identifikueshëm apo dëshmi të pavarur që ta mbështesë këtë pretendim, njëjtë sikurse për analogjinë që e tërheqë me Kosovën. Në teorinë e dezinformimit, ky është një mekanizëm i njohur ku gjuha bindëse përdoret për të maskuar mungesën e provave. Pyetjet themelore se kush i gjeti këto të dhëna, në çfarë rrethanash, nga cilat institucione janë verifikuar – mbeten pa përgjigje.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq i ka mohuar kategorikisht këto akuza, duke theksuar se nuk ka asnjë përfshirje në aktivitete të tilla tek ka sqaruar se interpretimet e ofruara nga burime pro-Kremlin janë të rreme. Organizata ka theksuar se objektet e paraqitura si “inkubatorë” për fëmijë ishin në fakt pajisje të lidhura me bujqësinë dhe projekte humanitare, jo me mjekësi apo transplante. Ky element tregon një teknikë klasike propagandistike- nxjerrjen e një objekti real nga konteksti i tij dhe riformësimin e kuptimit të tij për ta paraqitur si provë të një krimi monstruoz.
Pse rikthehet tani kjo narrativë?
Narrativa nuk ndalet vetëm te trafikimi i organeve por zgjerohet më tej duke pretenduar për “zhvillimin e armëve biologjike nën mbulesën e programeve bujqësore”. Kjo qasje e Rusisë nuk është e rastësishme. Bashkon dy narrativa të njohura ruse – mitin e laboratorëve biologjikë dhe akuzat për trafikim organesh duke krijuar një histori të vetme konspirative, përmes së cilës synohet të nxitet frikë dhe neveri. Asnjë raport i OKB-së, OBSH-së apo ndonjë institucioni shkencor ndërkombëtar nuk ka konfirmuar ekzistencën e programeve të tilla në Ukrainë. Përkundrazi, këto pretendime janë demaskuar vazhdimisht si dezinformim sistematik.
Rikthimi i kësaj narrative bëhet sa herë që Rusisë i duhet të largojë vëmendjen nga përfshirja e dokumentuar e saj në rrëmbimin e fëmijëve ukrainas. Këto pretendime, që sugjerojnë se autoritetet ukrainase janë të përfshira në trafikim fëmijësh dhe organesh, përputhen me modele të mëparshme dezinformimi që janë hedhur poshtë vazhdimisht nga institucione të besueshme ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, ato shmangin në mënyrë të qëllimshme diskutimin mbi rolin e dokumentuar të Rusisë në deportimin masiv të civilëve ukrainas, përfshirë fëmijët.
Sipas prizmit rus, narrativa për trafikim organesh nuk trajtohet si hetim penal, por si strategji dezinformuese. Ajo ndërtohet mbi insinuata, analogji të rreme dhe keqpërdorim të rasteve reale me synimin për të krijuar konfuzion, për të relativizuar krimet e dokumentuara dhe për të minuar besimin në institucionet ndërkombëtare, sikurse Kryqi i Kuq. Në mungesë të provave kjo narrativë jeton vetëm përmes frikës, përsëritjes dhe manipulimit të konteksteve globale, ku Kosova shpesh është në qendër të saj.
