Kovaçevski kërkon konsensus nacional për BE, opozita përsërit se nuk i mbështet ndryshimet kushtetuese

Kryeministri Dimitar Kovaçevski kërkon konsensus nacional për ndryshimet kushtetuese të cilat janë parakusht për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare dhe fillim praktik të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Opozita, nga ana tjetër, mbetet në qëndrimin se ndryshimet kushtetuese “sipas diktatit bullgar” nuk i pranon. Qëndrimet janë të pandryshuara, ndërkaq nëse ato do të konfirmohen ose jo, opinioni do të mësojë për më pak se dy javë kur duhet të fillojë seanca për konfirmimin për nevojën për ndryshime kushtetuese e cila është e caktuar për më 18 gusht, njofton Portalb.mk.

“Deputetët tani kanë, do të thoja detyrën më të rëndësishme, a ajo është që të sigurojnë ardhmëri evropiane dhe perspektivë të vendit për qytetarët të cilët ua kanë dhënë mandatin. Jo vetëm Qeveria, jo vetëm opozita, por tërë shoqëria duhet që të jemi të përkushtuar në integrimet euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Nevojitet konsensus nacional, shoqëror që përfundimisht ta arrijmë qëllimin strategjik, Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së”, thekson Kovaçevski.

Seanca për ndryshime kushtetuese fillon më 18 gusht, ndërkaq Kovaçevski pret, debat parlamentar të sinqertë, të frytshëm dhe cilësor “nëpërmjet të cilit do të sqarohen të gjitha argumentet, me qëllim që bashkë të arrijmë deri te vendimi mbipartiak, siç na ka hije, dhe me të cilën do ta dëshmojmë seriozitetin dhe përgjegjësinë tonë përpara momentit i cili rëndë se do të përsëritet”.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE thekson se mbetet në qëndrimin se konsensus për ndryshimet kushtetuese “nën diktat bullgar” nuk është i mundshëm dhe se i vetmi konsensus i mundshëm janë zgjedhjet. Nga partia me të cilën udhëheqë Hristijan Mickoski theksojnë se “mbi 80% e qytetarëve dhe ekspertëve janë kundër ndryshimit të Kushtetutës nën diktat bullgar”.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, publikoi një video në Fejsbukun e tij me sqarim të shkurtër, siç thekson, të esencës së Kornizës negociuese për negociatat me BE-në, si përgjigje ndaj spekulimeve të shumta lidhur me përmbajtjen e saj

Ajo që është më e rëndësishme, potencon ai, është se në asnjërin nga këto dispozita, udhërrëfyes apo pika të pjesës së posaçme të Kornizës negociuese nuk ka ndonjë referencë apo lidhje me Marrëveshjen për Miqësi me Bullgarinë, asnjë referencë për çështjen e punës së Komisionit të historisë e as rishikime të Nenit 12 nga e njëjta Marrëveshje.

Kujtojmë se, Qeveria e Maqedonisë së Veriut i dërgoi Kuvendit amendamentet kushtetuese. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi më 19 korrik të këtij viti e pranoi propozimin për fillimin e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me udhëzime për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Xhaferi, menjëherë e dërgoi Propozimin te deputetët në Kuvend dhe me këtë procedurë fillojnë të rrjedhin afatet kohore të parashikuara me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit. Seanca për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht 2023 në ora 11:00.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.