Kosova u dërgoi notë verbale shteteve të BE-së për dialogun

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës u ka dërguar notë verbale shteteve të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi përmes ambasadave të saj, raporton Koha.net. Në një përgjigje për Kohën, MPJD-ja ka bërë me dije se kjo notë verbale përmban qëndrimin e saj për zhvillimet në procesin e dialogut.

“Ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes ambasadave të Republikës së Kosovës ka përcjellë me notë verbale qëndrimin e saj lidhur me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

Ministria nuk ka dhënë më shumë detaje lidhur me përmbajtjen e kësaj note verbale, por ka shtuar se “korrespodencat e tilla janë komunikim standard diplomatik, përmbajtjen e të cilave nuk e komentojmë”.

Në notën verbale mësohet se është shprehur kundërshtim dhe kritika serioze ndaj të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, “dhe njëanshmërinë e tij në procesin e dialogut”.

Gjatë së mërkurës, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se SHBA-ja ka besim të plotë te Bashkimi Evropian në ndërmjetësimin e dialogut.

Ai ka thënë se ekziston besimi i SHBA-së për përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell dhe në të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Deklarata e Hovenierit vjen dy ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, drejtoi akuza ndaj Lajçakut, që e cilësoi si ndërmjetësues të njëanshëm.