Kos e ashpër pas fyerjeve të Vuçiqit: “Kemi një problem në Beograd”

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, reagoi ashpër ndaj deklaratave të Aleksandar Vuçiqit, i cili i quajti anëtarët e Parlamentit Evropian që morën pjesë në protestën në Novi Sad “llum”. Sipas Kos, një qëndrim i tillë ndaj përfaqësuesve evropianë zbulon një “kuptim të dyshimtë të demokracisë” dhe dëmton më tej reputacionin ndërkombëtar të Serbisë, transmeton Portalb.mk.

“Kemi një problem në Beograd. Kur eurodeputetët fyhen në një mënyrë të tillë, kjo vë në pikëpyetje pjekurinë demokratike të një vendi kandidat”, tha Kos pas një takimi me shefen e diplomacisë austriake, Beate Meinl-Reisinger.

Ajo kujtoi se autoritetet serbe kanë detyrime të ndërmarra para Komisionit Evropian, të cilat përfshijnë një gjyqësor të pavarur, media të lirë dhe rregulla të drejta zgjedhore.

Paralelisht, pesë përfaqësues të lartë të Partisë së Gjelbër Evropiane i dërguan një letër Ursula von der Leyen, Roberta Mezzola dhe Antonio Costas, duke i kërkuar institucioneve të BE-së të dënojnë publikisht sjelljen e Vuçiqit. Ata paralajmërojnë se fyerjet e tij, kërcënimet për ndjekje penale dhe fushatat e dezinformimit përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj vlerave demokratike.

“Bashkimi Evropian nuk duhet të heshtë përballë retorikës autoritare dhe frikësimit. Kjo është një goditje ndaj demokracisë evropiane dhe aspiratave të qytetarëve të Serbisë”, thanë të Gjelbrit në një deklaratë të përbashkët.

Udhëheqësit e partisë kujtojnë se mbështetja për protestat paqësore është themeli i çdo shoqërie demokratike.