Koreja e Veriut tha se ka ndërtuar një nëndetëse të re bërthamore

Koreja e Veriut pretendoi se nëndetësja e saj e re ka aftësi për të kryer sulme bërthamore. Kjo nëndetëse është zhvilluar prej vitesh dhe sipas liderit verikorean, Kim Jong Un, ajo është thelbësore për përpjekjet e tij për të krijuar anije me aftësi bërthamore për të kundërshtuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre aziatikë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Agjencia verikoreane e lajmeve, KCNA, tha se anija, e emërtuar “Hero Kim Kun Ok”, është dizajnuar të lëshojë armë taktike bërthamore nga uji, por nuk specifikoi se sa raketa mund të bartë dhe të lëshojë.

Zyrtarët e Koresë së Jugut u shprehën skeptikë se nëndetësja funksionon ashtu siç e ka përshkruar Veriu, dhe thanë se anija ka të ngjarë që ende nuk është gati për të kryer operacione. Megjithatë, zhvillimi i kësaj nëndetëseje tregon se si Veriu vazhdon që potencialisht të rrisë arsenalin bërthamor me sisteme që vështirë detektohen paraprakisht.

Bazuar në komentet e Kimit dhe fotografive të publikuara nga mediat verikoreane, ka të ngjarë që nëndetësja është e njëjta që Kim inspektoi më 2019, kur ajo ishte ende duke u ndërtuar. Atëbotë, ekspertët kishin vlerësuar se ndërtimi i nëndetëses ishte një përpjekje për të fshehur një nëndetëse ekzistuese.

Nëndetësja duket se ka të paktën dhjetë tuba për lëshim, katër prej të cilëve janë më të mëdha, që potencialisht mund të jenë të dizajnuara për të lëshuar raketa.

“Kjo nëndetëse, edhe pse është modifikuar shumë, është e bazuar në teknologjinë sovjetike të viteve ’50 dhe do të ketë kufizime për këtë fakt. Megjithatë, në kuptim të ndërlikimit të sfidave me të cilat do të përballet SHBA-ja dhe aleatët e saj, kjo nëndetëse do t’iu shërbejë qëllimeve të Koresë së Veriut”, tha Ankit Panda, ekspert në Carnegie Endowment for International Peace.

Në vitet e fundit, Koreja e Veriut ka testuar një sërë raketash të dizajnuara që të lëshohen nga nëndetëses, përderisa shteti ka kërkuar që të posedojë aftësi që të kryejë sulme bërthamore nga nëndetëset. Në teori, kapacitete të tilla do të rrisnin aftësinë e këtij shteti për t’u hakmarrë në rast të një sulmi bërthamor nga toka.

Ndërkaq, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, pritet të takojë presidentin Vladimir Putin në Rusi për të diskutuar për furnizimin me armë të Moskës për luftën e saj në Ukrainë, ndërsa Shtëpia e Bardhë paralajmëroi më 5 shtator se Koreja e Veriut do ta “paguajë shtrenjtë” nëse e furnizon Rusinë me armatim për luftën e saj në Ukrainë.