Kopshti Zoologjik i Shkupit humbi statusin e kandidatit për anëtarësim në Asociacionin evropian të kopshteve zoologjike

Kopshti Zoologjik i Shkupit nuk është më kandidat për anëtarësim në Asociacionin evropian të kopshteve zoologjike dhe akuariumeve (EAZA). Dy javë më parë, kopshti humbi statusin e kandidatit për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve të vendosura nga EAZA në dy vitet e fundit, transmeton Sdk.mk.

U.d dejtori Zoran Popov ka konfirmuar për Sdk.mk se kopshti zoologjik nuk është më kandidat, por nuk ka dashur të diskutojë për arsyet që kanë çuar në këtë dhe çfarë do të thotë për institucionin që është bërë më i vizituari në vend në vitet e fundit.

Siç mëson Sdk.mk nga burime jozyrtare por të mirëinformuara, në fillim të muajit ka mbërritur e-mail zyrtar nga EAZA për Zoologjikun, me të cilin menaxhmenti informohet se kopshti zoologjik i Shkupit nuk është më kandidat për anëtarësim. Arsyet janë ndërprerja e komunikimit me EAZA në periudhën e kaluar, amullia 2-vjeçare e Kopshtit Zoologjik, akuariumi i pandërtuar dhe ndërrimi i shpeshtë i drejtorëve.

Burimet e SDK-së komentojnë se në 8 vitet e ardhshme Kopshti Zoologjik nuk ka të drejtë të aplikojë për t’u anëtarësuar. Kjo do të thotë se gjatë asaj periudhe nuk mund të bashkëpunojë me asnjë kopsht zoologjik evropian dhe as me kandidatët për anëtarësim në EAZA. Nuk do të mund të pranojë kafshë siç ishte në vitet e kaluara, kur një numër i madh i kafshëve si elefantët Dunja dhe Daela, flamingot, pinguinët, luanesha Aketi u bënë anëtarë të kopshtit zoologjik të Shkupit.

Shoqata evropiane e kopshteve zoologjike dhe akuariumeve (EAZA) është një lloj Bashkimi Evropian për kopshtet zoologjike. Kopshti i Shkupit ishte kandidat për anëtarësim në EAZA që nga viti 2007, përkatësisht kryetarët e komunave Trifun Kostovski, Koce Trajanovski dhe Petre Shilegov punuan për anëtarësimin e saj.

Gjatë mandatit të Arsovskës për një vit e gjysmë janë ndërruar tre drejtorë. Pas dorëheqjes së Gjorgi Galetanovskit në dhjetor të vitit 2021, i cili u emërua nga ish-kryetari Petre Shilegov, Arsovska emëroi drejtor Kristian Stamenov, djalin e ish-drejtoreshës Tanja Stamenov. Ai u ndërrua brenda pak muajsh sepse lejoi therjen e 10 kuajve në kopsht. Më pas, vitin e kaluar në gusht, në vend të tij u emërua Dragan Ilievski. Në janar të këtij viti, kryetarja e komunës vendosi ta emërojë Ilievskin për kryetar të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellës dhe kanalizime”, kështu që Kopshti Zoologjik mori drejtor të tretë Zoran Popov. Ai erdhi në kopsht si pjesë e ekipit të Ilievskit.