Kontrabandimi i kafshëve të egra është biznes i madh në RMV, ilegalisht shiten breshka, ngjala, merimanga, zogj, luanë dhe ujqër

Breshkat, ngjalat, merimangat, zogjtë, peshqit, por edhe luanët, ujqërit, arinjtë, zvarranikët, gjarpërinjtë… një numër i madh i kafshëve të egra janë objekt i tregtisë ilegale përtej kufijve të Maqedonisë, por edhe brenda vendit. Ky krim, edhe pse shpesh nuk evidentohet nga institucionet, mediat dhe publiku, nga viti në vit po bëhet gjithnjë e më i pranishëm dhe në institucione tashmë janë dokumentuar raste të kontrabandimit apo tentimit për transportimin apo shitjen e paligjshme të kafshëve të egra, shkruan Meta.mk.

Tregtia e paligjshme ndërkombëtare është një nga faktorët për zhdukjen e shumë llojeve të kafshëve dhe kjo dukuri nuk e anashkalon as Maqedoninë e Veriut, si vend me florë dhe faunë të pasur dhe me një numër të madh të llojeve të rralla dhe endemike. Tashmë janë evidentuar edhe raste kur në vendin tonë janë shfaqur kafshë të rralla, ekzotike dhe të rrezikuara, për të cilat nuk dihej se kush i sillte dhe as si importoheshin, siç ishte rasti me kontrabandimit të luanëve të vegjël.

Por tregtia e paligjshme e kafshëve të egra jo gjithmonë i kalon kufijtë e vendeve, ndaj ndodh që në rrjetet sociale, ose në faqet për shitblerje të postohen reklama në të cilat shiten kafshë të egra karakteristike të rajoneve tona si zogj, ujqër të vegjël apo arinj.

Kafshët që më shpesh janë pjesë e tregtisë ilegale në vendin tone janë zvarranikët, thonë nga Shoqata ekologjike e Maqedonisë. Këto janë specie vendase si breshka e malit, e fushës dhe e kënetës, por edhe specie jo-vendase si breshka amerikane veshëverdha dhe veshëkuqe. Janë dokumentuar edhe raste të tentativave për transportimin ilegal dhe tregtimin e specieve të tjera, si ngjala qelqi dhe merimanga.

“Numri i kafshëve të egra të sekuestruara që kanë qenë objekt i tregtisë së paligjshme nga viti në vit ndryshon. Për shembull, para më pak se një muaj, në pikën kufitare Stenje u zbuluan 98 breshka amerikane veshëverdha”, thotë Bogoljub Sterijovski, herpetolog nga ShEM.

Ai thekson se vendi ynë në vitin 1999 e ka ratifikuar CITES –Кonventën për tregëtinë ndërkombëtare të specieve të rrezikuara të llojeve të egra shtazore dhe bimore, e cila ka për qëllim të kontrollojë tregtinë ndërkombëtare të specieve deri në atë masë sa të mos rrezikohet mbijetesa e tyre. Kjo bëhet përmes bashkëpunimit me autoritetet doganore, policore dhe gjyqësore, përmes komunikimit me autoritetet ndërshtetërore, përmes një rrjeti të ndërtuar shumëpalësh, si dhe përmes bashkëpunimit dypalësh me të gjitha palët e përfshira.

“Maqedonia e Veriut ka për obligim që të njoftojë konventën për transportin e regjistruar ilegal të specieve të egra dhe derivateve të tyre, si dhe të lëshojë leje për transport të ligjshëm të specieve dhe derivateve të tyre që i nënshtrohen mbrojtjes së kësaj konvente”, thotë Sterijovski.

Nga Drejtoria e doganave thonë se që nga fillimi i vitit 2021 në sferën e parandalimit të tregtisë ilegale me kafshë të gjalla janë dokumentuar gjithsej katër raste. Janë sekuestruar papagaj, breshka akuariumi, peshq akuariumi dhe qen të racës së pastër.

“Kundër autorëve Drejtoria e doganave ka ngritur kallëzime përkatëse, ndërsa përgjegjësia për mallin e sekuestruar, në këtë rast kafshë të gjalla, i është dorëzuar Agjencisë për Menaxhimin e Pasurive të Sekuestruara, nga ku është siguruar kujdesi i duhur” thonë nga Drejtoria e Doganave.

Maqedonia e Veriut nuk ka një Qendër për përkujdesjen e kafshëve të sekuestruara dhe në rastet kur zbulohet tregti ilegale kafshët e sekuestruara, pas kontrollit të kryer nga shërbimet veterinare kufitare, transportohen në një institucion që mund të kujdeset për to, siç janë kopshti zoologjik në Shkup dhe ai në Manastir. Në vitin 2020, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor bëri një Studim për ngritjen e një Qendre të tillë, si një institucion që do t’i përgjigjet sfidave në këtë temë, por ajo ende nuk është krijuar. Nga Ministria thonë se deri në fund të vitit të ardhshëm, në kuadër të programit IPA II për mjedisin jetësor dhe ndryshimet klimatike, do të duhet të përfundojë projekti “Përforcimi i kapaciteteve për NATURA 2000 dhe CITES”, i cili i referohet edhe Konventës për rregullimin e tregtisë ndërkombëtare të specieve të rrezikuara të llojeve të egra shtazore dhe bimore.

“Në kuadër të projektit do të hartohet një ligj i ri me akte nënligjore në të cilat do të transponohet plotësisht rregullorja e BE-së CITES, si dhe Konventa për rregullimin e tregtisë ndërkombëtare të specieve të rrezikuara të llojeve të egra shtazore dhe bimore. Do të hartohet dhe zhvillohet një plan për përforcimin e kapaciteteve administrative në nivel qendror për zbatimin e duhur të CITES në Maqedoninë e Veriut, si dhe për zhvillimin e një softueri special për përgatitjen dhe lëshimin e lejeve dhe certifikatave CITES”, njoftojnë nga Ministria.