Konferenca e NATO-s do të mbahet nesër në Tiranë
Në kuadër të zhvillimit të Konferencës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike, nga data 8 deri më 10 tetor 2025 në Pallatin e Kongreseve, Policia e Tiranës ka vendosur një plan të posaçëm masash për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, raporton Klan.
Sipas njoftimit zyrtar, kufizime të trafikut do të ketë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga semafori pranë Presidencës deri te sheshi “Nënë Tereza”, përfshirë edhe sheshin në rrugën “Gjergj Filipi” dhe në aksin që lidh hotel “Marriott” me bulevardin.
Për këmbësorët, do të jetë i bllokuar trotuari nga hyrja e hotel “Rogner” deri te Pallati i Kongreseve.
Kufizimet do të jenë në fuqi nga ora 07:00 e datës 9 tetor deri në orën 15:00 të datës 10 tetor 2025.
Kjo është konferenca e tretë e NATO-s për mbrojtje kibernetike, ku do të priten ekspertë dhe përfaqësues nga vendet e ndryshme aleate.