Komuniteti i Energjisë zbarkoi në Shkup: Tranziconi energjetik është rruga e së ardhmes

Tranziconi energjetik është rruga e së ardhmes për një mjedis më të gjelbër dhe më miqësor ndaj ambientit, pra një tranzicion i gjelbër i cili përfshin disa sfera të shoqërisë. Kjo, mund të bëhet me politika dhe veprime të mençura politike, në mënyrë që të arrihen rezultate konkrete. Tranzicioni është jo i lehtë për tu realizuar por jo i pamundur. Këto mes tjerash u theksua në Forumin e Tranziconit të Drejtë (Just Transition) i cili u mbajt sot në Shkup, raporton Portalb.mk.

Tranzicioni i Drejtë (Just Transition) është termi i përdorur për të përshkruar kalimin në një ekonomi neutrale ndaj klimës duke siguruar të ardhmen dhe jetesën e punëtorëve dhe komuniteteve të tyre. Ky koncept përfshin në të vërtetë dy dimensione të ndërlidhura: gjetjen e alternativave ndaj burimeve konvencionale të energjisë (tranzicioni i energjisë) dhe gjetja e alternativave për punësimin e njerëzve.

Ngjarja u hap nga Dirk Buschle, zëvendës drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë i cili mes tjerash theksoi se bashkëpunimi rajonal qëndron në bërthamën e asaj të cilën ata e bëjnë. Sa i përket vendit ai theksoi se RMV-ja ka bërë përparim në këtë drejtim.

Fjalë rasti patën edhe Razmena ÇekiçDuroviç, sekretare e shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë të Maqedonisë së Veriut e cila  përmendi aktivitetet e ndërmarra nga vendi në këtë drejtim ku theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe nga BE-ja është i një rëndësie të veçantë në këtë drejtim.

Michela Matuella, ushtruesja e detyrës së drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit me Ballkanin Perëndimor (NEAR.D) theksoi se është thelbësore që tranziconi të ndodh në mënyrë të drejtë/fer dhe askush të mos mbetet prapa.

Si një nga pikat më të rëndësishme gjeografike potenciale të të vendit për këtë tranzicon është Manastiri, këtë mes tjerash e theksoi kryetari i Komunës së Manastirit, Toni Konjanovski.

Sa i përket RMV-së, sekretari shtetëror në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nebi Rexhepi tha se kjo paraqet një proces kompleks ku vendi ballafaqohet me sfida të ndryshme dhe se e njëjta është edhe e kushtueshme. Mes tjerash nënvizoi se e shohin dekarbonizimin edhe si punë të gjelbra si dhe shpëtim i jetëve njerëzore.

Konferencë nga Komuniteti i Energjisë në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Konferencë nga Komuniteti i Energjisë në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Komuniteti i Energjisë thekson se lufta ndaj ndryshimeve klimatike është në krye të agjendës politike të tyre, ku  ambiciet e dekarbonizimit u materializuan përmes vendosjes së objektivave për klimë dhe energji për vitin 2030 për Komunitetin e Energjisë dhe palët kontraktuese. Fokusi tani siç sqarojnë është vënë në zbatimin e Paketës së Energjisë së Pastër, së bashku me planet e integruara kombëtare dhe klimatike.

“Rregullorja e sapo-miratuar e BE-së për mekanizmin e rregullimit të kufirit të karbonit (CBAM) dhe vendimi i nevojshëm që do të merret nga palët kontraktuese për çmimin e linjës së karbonit të BE-së, në mënyrë të pashmangshme do të ankorojë më tej tranzicionin në diskursin e politikave. Kjo vlen për diskutimin mbi instrumentet e nevojshme për të arritur tranzicionin e gjelbër duke mbrojtur më të rrezikuarit”, theksojnë nga Komuniteti i Energjisë.

Katër panelet e diskutimit në konferencë përfshinë përfaqësues të lartë shtetërorë, profesionistë të fushës, organizatave civile dhe ekspertë të tjerë jo vetëm nga vendi por edhe nga rajoni e bota.

Forumi  i sotëm u përqendrua në trajtimin e aspekteve kryesore të tranzicionit si planifikimi dhe zbatimi i politikave nga Qeveritë të cilat duhet të pasqyrojnë siç duhet planifikimin e drejtë të tranzicionit në strategjitë e tyre kombëtare të transformimit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për palët kontraktuese që janë shumë të varura nga qymyri, pasi rajonet e qymyrit kanë nevojë urgjente për strategji tranzicioni që është gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme dhe e mirëkoordinuar në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Konferencë nga Komuniteti i Energjisë në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Konferencë nga Komuniteti i Energjisë në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

U theksua edhe dekarbonizimi i cili ndikon në jetën e njerëzve dhe mjedisit. Me theks të veçantë  në tranzicionin e tregut të punës, duke trajtuar në mënyrë efektive pabarazitë e rrënjosura dhe duke përmirësuar cilësinë e ajrit në rajonet më të ndotura.

Mes tjerash vëmendje iu kushtua se tranzicioni i suksesshëm energjetik kërkon mbështetje adekuate, e cila nga njëra anë do të ndihmojë në drejtimin efektiv të fondeve për investime të qëndrueshme dhe nga ana tjetër do të sigurojë shpërndarje të drejtë dhe të barabartë të burimeve. Ku në këtë kontekst, të ardhurat e ardhshme nga çmimi i karbonit duhet të bëhen pjesë e rëndësishme e peizazhit financiar.

Konferencë nga Komuniteti i Energjisë në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Konferencë nga Komuniteti i Energjisë në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në biseda joformale me ekspertë të kësaj fushe gjatë konferencës na u tha se në këtë drejtim duhen politika të mençura dhe më e rëndësishmja implementimi i së njëjtave për këtë tranzicon të gjelbër, si dhe i njëjti të jetë proces gjihtëpërfshirës.

Konferencë nga Komuniteti i Energjisë në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Konferencë nga Komuniteti i Energjisë në Shkup. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Ndryshe, Komuniteti i Energjisë është organizatë ndërkombëtare e themeluar në vitin 2005 e cila bashkon Bashkimin Evropian dhe fqinjët e tij për të krijuar një treg të integruar pan-evropian të energjisë. Objektivi kryesor i Komunitetit të Energjisë është të shtrijë rregullat dhe parimet e tregut të brendshëm të energjisë të BE-së në vendet në Evropën Juglindore, rajonin e Detit të Zi dhe më gjerë mbi bazën e një kuadri ligjërisht të detyrueshëm.

Komuniteti i Energjisë ka nëntë palë kontraktuese, pjesë e të cilëve është edhe Maqedonia e Veriut së bashku me Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën. Gjeorgjinë, Moldavinë, Malin e Zi, Serbinë dhe Ukrainën. Bashkimi Evropian është palë në Traktatin e Komunitetit të Energjisë ndërsa e përfaqësuar nga Komisioni Evropian, që shërben si zëvendës-president i përhershëm i organizatës. Çdo shtet anëtar i Bashkimit Evropian mund të marrë statusin e pjesëmarrësit. Ndërkaq Armenia, Norvegjia dhe Turqia marrin pjesë si vëzhgues.