Komuna Qendër do të ndërtojë ndërtesë të re administrative

Komuna Qendër po fillon procedurën për ndërtimin e objektit të ri komunal në vendin e barakave të vjetra. Muajin e kaluar në një seancë të Këshillit të Komunës Qendër është marrë vendim për fillimin e procedurës për marrjen e tokës ndërtimore për ndërtimin e objektit administrativ, transmeton Portalb.mk.

Komuna i ka dorëzuar dokumentet e nevojshme Ministrisë së Transportit dhe Qeverisë, e cila duhet të marrë vendim për dhënien në shfrytëzim të përhershëm të tokës ndërtimore në të cilën ndodhen barakat e Komunës Qendër.

“Presim që kjo pikë të futet në rend dite në seancën e ardhshme të Qeverisë. Me miratimin e vendimit për dhënien në përdorim të përhershëm të tokës ndërtimore Komunës Qendër përfundon procesi i dokumentacionit të nevojshëm dhe do të mund të shpallet konkursi publik për zgjidhje ideore”, thonë nga Komuna Qendër.

Nëse objekti do të jetë vetëm administrativ apo do të ketë edhe objekt afarist, duke qenë se ndodhet në një lokacion atraktiv në Dibar Maalo, nga Komuna thonë se kjo ende nuk dihet, gjegjësisht do të vendoset kur të vijë koha.

Për këtë projekt janë planifikuar mjete në vlerë prej dy milionë denarë në buxhetin e Komunës Qendër për vitin 2024, të dedikuara për organizimin e konkursit për projekt arkitektoniko-urbanistik, përfshirë zgjidhje ideore arkitektonike për objekt administrativ.

Barakat në të cilat tani janë vendosur kryetari dhe punonjësit e Komunës Qendër janë 56 vjeçare, përkatësisht janë ndërtuar në kuadër të rindërtimit të qytetit pas tërmetit katastrofik të vitit 1963.