Më shumë beton, më pak pyll me planin e ri për Vodnon

Nuk po rreshtin reagimet që kur këshilltarët e Këshillit të Komunës Qendër të martën, më 14 korrik, e votuan Projekt-Planin e Detajuar Urbanistik për Barutanën. Nga “Shans për Qendrën” paralajmërojnë se plani hap mundësi ​​për ndërtime të reja në Vodno dhe mbart rrezikun nga erozioni dhe rrëshqitja e dheut, ndërsa nga Komuna thonë se bëhet fjalë për respektimin e të drejtave tashmë të fituara të pronarëve të tokës, transmeton Portalb.mk nga Dojçe Vele (DW).

Dy partitë më të mëdha në Këshillin e Komunës Qendër, LSDM dhe VMRО-DPMNЕ – dhanë dritë jeshile për planin urbanistik për Lagjen e qytetit J05-Barutana, i cili parashikon ndërtimin e objekteve të reja në shpatet e Vodnos, nën Qarkoren Jugore, në një zonë për të cilën disa këshilltarë paralajmërojnë se është e ndjeshme ndaj erozionit. Këshilltarët e “Shans për Qendrën”, Partisë “E Majta” dhe ZNAM-it dhe dy individë të tjerë nga partitë kryesore ishin kundër përdorimit të këtillë të shpateve dhe pyjeve të Vodnos.

Nga “Shans për Qendrën” thonë se dy partitë më të mëdha sërish i vunë interesat për ndërtim para sigurisë së qytetarëve.

“Socialdemokratët dhe demokristianët së bashku mendojnë se e drejta e pronës dhe ndërtimit në Vodno është më e rëndësishme sesa e drejta e qytetarëve për të qenë të sigurt dhe që Vodno të mos u shembet mbi kokë”, thanë nga “Shans për Qendrën”.

Sipas tyre, me Projekt-PDU-në për Barutanën mundësohet ndërtimi i 25 objekteve të tjera të mëdha në zonën e Vodnos, e cila është shënuar si zonë e prekur nga erozioni. Nga këto 24 janë planifikuar si banesa private.

“Nëse galët në librin komik ‘Asteriksi dhe Obeliksi’ kishin frikë se mos qielli u binte mbi kokë, banorët e Shkupit, e sidomos banorët e Qendrës, duhet të kenë frikë se mos Vodno u bie mbi kokë”, thanë nga “Shans për Qendrën”.

Plani parasheh 25 objekte të reja në Vodno

Në këtë pjesë të Vodnos, e cila kufizohet me zonën e mbrojtur, për momentin ka 15 оbjekte. Plani i ri parasheh ndërtimin e 25 objekteve të tjera. Vetëm njëri prej tyre është paraparë për funksion publik, gjegjësisht si shtëpi për persona të moshuar, projekt i cili e ka mbështetjen e  “Shans për Qendrën”. Objektet e tjera janë paraparë si shtëpi për banim, me ç’rast secila prej tyre mund të përmbajë deri në katër njësi banimi.

Për realizimin e disa prej objekteve të planifikuara do të duhet që Komuna Qendër të hapë rrugë të reja përmes terrenit të pjerrët pyjor dhe të zhvendosë një pjesë të rrjetit kryesor të furnizimit me ujë.

Sipas kundërshtarëve të planit, krahas rrezikut të shtuar nga erozioni, ndërtimet e tilla mund të shkaktojnë shpenzime shtesë të konsiderueshme për buxhetin komunal, pra për qytetarët.

Hulumtimet shkencore tregojnë se aktivitetet ndërtimore mund ta rrisin ndjeshëm erozionin dhe rrezikun nga rrëshqitja e dheut. Përveç kësaj, zona tashmë është e regjistruar si një “zonë e rrezikuar nga erozioni”.

Kritika kishte edhe për shkak se në dokumentacionin për Projekt- PDU-në nuk ka mendim nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, edhe pse bëhet fjalë për një terren me rreziqe potenciale.

Shtëpi pleqsh apo apartamente luksoze?

Argumentet e Komunës janë se plani duhet të miratohet sepse ai i mëparshmi është anuluar nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tyre, me vendimin e ri sipërfaqja bruto e ndërtuar është zvogëluar nga 43.000 në 29.000 metra katrorë, ndërsa lartësia e lejuar e objekteve është kat përdhes plus dy kate.

Kryetari i Komunës Qendër, Goran Gerasimovski, dhe komuna theksojnë se në parcelën e kontestuar të konfiskuar nuk janë planifikuar apartamente luksoze, por një shtëpi pleqsh.

“Në vendin e parcelës të konfiskuar, e cila ishte e destinuar për objekt banimi, ne planifikojmë ta ridestinojmë atë dhe të ndërtojmë një shtëpi pleqsh. Parcelat në Vodno më në fund do të përdoren për qytetarët e zakonshëm, e jo ​​për apartamente luksoze”, tha Gerasimovski në një deklaratë të cilën e përcollën disa media.

Debat i ashpër mes këshilltarëve

Në seancë kritika më të ashpra bënë këshilltarët nga “Shans për Qendrën”, Partia “E Majta” dhe ZNAM-i. Këshilltarja dhe arkitektja Biljana FilipovskaTodorçevska nga “Shans për Qendrën” paralajmëroi se plani parashikon shkatërrimin e rreth 9.000 metrave katrorë pyll të mbjellë pas Luftës së Dytë Botërore pikërisht për ta mbrojtur Vodnon nga erozioni.

“Kjo zonë është një pyll që e kanë mbjellë bashkëqytetarët tanë pas Luftës së Dytë Botërore për ta mbrojtur Vodnon nga erozioni i tokës. Të gjithë e dimë se çfarë do të thotë nëse fillon erozioni dhe rrëshqitja e dheut. Po shkatërrojmë 9.000 metra katrorë pyll dhe gjelbërim për të ndërtuar 13 objekte që do t’i ndërtojë ndonjë investitor. Tani ato janë hacienda me një sipërfaqe ndërtimi prej 700 deri në 1.000 metra katrorë, e pastaj do të bëhen ndërtesa. Pse, a do ta vëmë të gjithë qytetin në rrezik për disa njerëz të fuqishëm?” tha arkitektja.

Pas miratimit të Projet-PDU-së për Barutanën plani do të vihet për konsultim publik ku qytetarët do të mund të bëjnë komente dhe sugjerime.