Komuna e Tetovës miratoi buxhetin për vitin 2026, mbi 4 milionë euro më pak se në vitin 2025
Me shumicë votash, Këshilli Komunal i Tetovës ka miratuar buxhetin për vitin 2026, i cili kap vlerën prej 44.707.765 euro. Krahasuar me buxhetin e vitit 2025, që ishte rreth 49.3 milionë euro, buxheti i ri është më i ulët për afërsisht 4.6 milionë euro. Megjithatë, nga komuna theksojnë se buxheti i vitit 2026 është i orientuar drejt përgjegjësisë financiare dhe zhvillimit të qëndrueshëm, raporton Portalb.mk.
“Me shumicë votash u votua buxheti për vitin 2026! Një buxhet që reflekton përgjegjësi, vizion dhe angazhim për zhvillim të qëndrueshëm. Me këtë vendim hapim rrugë për investime konkrete, projekte të reja dhe përmirësim të drejtpërdrejtë të jetës së qytetarëve. Falënderoj këshilltarët për sugjerimet, idet dhe debatin konstruktiv”, thonë nga Komuna.
Kujtojmë se buxheti i Komunës së Tetovës ka shënuar rritje në vitet e fundit, duke arritur kulmin në vitin 2025 me rreth 50 milionë euro. Buxheti për vitin 2024 ishte 31 milionë euro, në 2023 buxheti ishte 29 milionë euro, në 2022 buxheti ishte 26 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 buxheti ishte 30 milionë euro.