Fushatë edukative për nxënësit në RMV: “Krijoni kujtime pa lëndime – thoni JO mjeteve piroteknike!”
Klinika e Kirurgjisë Plastike, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka finalizuar fushatën edukative në shkollat e mesme dhe fillore për ngritjen e vetëdijes mbi rreziqet nga përdorimi i fishekzjarreve dhe petardave. Fushata zhvillohet nën moton: “Krijoni kujtime pa lëndime – thoni JO mjeteve piroteknike!”, transmeton Portalb.mk.
Mjekët nga Klinika e Kirurgjisë Plastike theksojnë se vitet e fundit kanë qenë dëshmitarë të lëndimeve kërcënuese për jetën, të shkaktuara nga shpërthimi i petardave. Petardat nuk janë lodër, përdorimi i tyre është i ndaluar dhe mund të shkaktojë lëndime serioze të syve, të pëllëmbëve, djegie si dhe dëmtime të rënda trupore nga përdorimi i paautorizuar i mjeteve piroteknike.
Me këtë rast, Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, u bën apel qytetarëve që gjatë festave të mos përdorin mjete piroteknike, pasi ato mund të çojnë në pasoja serioze për shëndetin, madje edhe në invaliditet të përhershëm.
Ndryshe në fillim të muajit MPB doli me apel në të cilin thoshte se fishekzjarrët mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e njerëzve, veçanërisht të rinjve, dhe mund të lënë pasoja afatgjata. MPB u bën thirrje qytetarëve të përmbahen nga përdorimi i piroteknikës gjatë festave të Vitit të Ri.