Komuna e Likovës ngulfatet nga mbeturinat, zgjidhja po zvarritet (Foto)
Komuna e Likovës vazhdon të ngulfatet nga deponitë ilegale. Edhe pse deponia në Nikushtak është mbyllur, mbeturinat grumbullohen pranë Liqenit të Likovës dhe në fshatin Orizare. Deponia rajonale në Sveti Nikole e cila pritet të zgjidh këtë problem nuk do të jetë gati edhe për disa muaj, ndërsa gjatë kësaj periudhe nuk ka zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme për deponitë ilegale, shkruan Portalb.mk.
Komuna e Likovës po përballet me probleme serioze nga deponitë ilegale. Edhe pse më 15 shtator 2024 u mbyll zyrtarisht deponia në Nikushtak, një deponi tjetër u hap vetëm një muaj më vonë, e cila ndodhet njëqind metra larg kopshtit “Rrezja” në fshatin Orizare.
Portalb.mk në terren ka vërejtur se mbeturinat po grumbullohen çdo ditë edhe në deponinë në hyrje të Liqenit së Likovës dhe në deponinë e Orizares.
Kjo situatë shqetëson qytetaret të cilët theksojnë se nuk ka një zgjidhje për mbylljen e deponive dhe si institucionet nuk po ndërmarrin asnjë veprim për ta adresuar problemin.
Pyetëm drejtorin e Ndërmarrjes Publike Komunale “Pisha”, Hamdi Sherifin, nëse ndërmarrja vazhdon të hedhë mbeturinat në deponinë e Haraçinës, si dhe a kanë zgjidhje tjetër. Ai thotë se, për një afat të shkurtër do t’i hedhin mbeturinat aty, deri sa të gjejnë një lokacion të ri.
“Po atje nuk kemi tjetër vend, dhe kemi marrëveshje me ministrin e Mjedisit dhe kryetarin që, për një afat të shkurtër, mbeturinat t’i dërgojmë atje. Patjetër duhet të gjejmë një lokacion të ri, dhe kjo është zgjidhja e përkohshme që na është premtuar deri sa të gjejmë një lokacion tjetër”, tha Sherifi.
Në brifingun e tij të parë, Portalb.mk e pyeti ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxhën në lidhje me këtë çështje dhe për deponinë rajonale në Sveti Nikole, që sipas paraardhësit të tij ishte zgjidhja e vetme për deponitë në Komunën e Likovës, ndërkohë që procedura po zvarritet dhe mbeturinat vazhdojnë të grumbullohen.
Ai thotë se për dy qendrat rajonale është hapur thirrja, e cila do të përfundojë deri në fund të muajit mars, ndërsa realizimi i tyre varet nga renditja e dokumentacionit.
“Rregullimi i dy qendrave rajonale për grumbullimin e mbeturinave, bëhet me financim nga kredia në kuadër të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe granitet nga qeveria suedeze dhe ajo zvicerane, ndërsa kjo në dy rajonet ajo e Veriut dhe Jug-Veriore ndërtohet me IPA fonde dhe veç atje siç e tha edhe zëvendëse ministrja është hapur thirrja dhe do të përfundojë deri në fund të muajit mars. Varësisht nga renditja e dokumentacionit për ndërtimin e këtyre dy qendrave rajonale, të cilët iu theksova do të jetë e shpallur edhe thirrja”, tha Hoxha më 30 janar.
Projekti për ndërtimin e deponisë rajonale në Sveti Nikole po zvarritet, tenderi për përzgjedhjen e kompanisë u shpall sërish muajin e kaluar dhe do të zgjasë deri në mesin e marsit, pas së cilës do të vlerësohen ofertat.
Tenderi i vitit të kaluar dështoi, pasi aplikuesit nuk plotësonin kushtet. Tani kriteret janë lehtësuar, sepse nuk ka kompani me përvojë në rajon për kësi lloj projektesh.
Ndërkohë, në nëntor 2025, Enti Shtetëror i Revizionit konstatoi se Komuna e Likovës nuk ka marrë vendim për rregullimin e mirëmbajtjes e pastërtisë publike në hapësirat publike dhe për shumat e kompensimit për këtë shërbim, për çka nuk realizohen të ardhura nga kjo bazë.
Përndryshe, Portalb.mk në vazhdimësi monitoron deponitë e krijuara përreth Komunës së Likovës.
- LEXO: Deponi mbeturinash vetëm 100 metra nga kopshti “Rrezja” në Orizare, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente (Video)
- LEXO: Ministria me vendim e mbylli deponinë e mbeturinave në Nikushtak
- LEXO: Liqeni i Gllazhnjës i rrezikuar nga deponia e egër: Banorët kërkojnë pastrim, autoritetet komunale në gjumë
- LEXO: Deponia ilegale në Nikushtak mbi dy dekada helmon qytetarët, shkilen premtimet për pastrimin e saj
- LEXO: Pas alarmit për mbeturinat, rinia e Vaksincës i pastroi deponitë në hyrje të fshatit