Kompania hungareze dhe EVN u zgjodhën si ofertuesit më të favorshëm në RMV për blerjen e 150 autobusëve
Ministria e Transportit njoftoi se në lidhje me thirrjen publike për furnizimin e 150 autobusëve ekologjikë elektrikë dhe 75 stacioneve të mbushjes së autobusëve elektrikë, Komisioni i përbërë nga ekspertë, pas vlerësimit, përcaktoi se nga gjithsej katër oferta, tre operatorë ekonomikë nuk i plotësonin kërkesat e thirrjes publike dhe në bazë të ofertave të paraqitura, bëri një përzgjedhje paraprake dhe dorëzoi një propozim për përzgjedhjen e ofertuesit më të volitshëm, raporton MIA.
Sipas vlerësimit, oferta e përbashkët e kompanisë hungareze “Elektrobus-Ikarus” dhe EVN austriake, e cila plotësoi kushtet e thirrjes publike, u zgjodh si ofertuesi më i favorshëm.
“Elektrobus – Ikarus” dhe EVN austriake përmbushën të gjitha kushtet e përcaktuara në prokurimin publik për 150 autobusë të rinj elektrikë dhe 75 stacione mbushëse dhe njëkohësisht ofruan çmimin më të ulët prej 19 milionë e 350 mijë denarësh ose rreth 314 mijë euro për autobus, që është një çmim jashtëzakonisht konkurrues në tregun e autobusëve elektrikë. Sipas Vendimit, kompania “Ikarus” duhet të dorëzojë autobusët elektrikë, ndërsa kompania “EVN” stacionet e mbushjes. Sipas karakteristikave teknike, ndër të tjera, autobusët elektrikë duhet të kenë të paktën një fuqi maksimale prej 300 kW, një kapacitet prej të paktën 66 pasagjerësh, një kondicioner ajri të rregulluar automatikisht për ftohje/ngrohje. Operatori ekonomik i përzgjedhur është i detyruar të kryejë mirëmbajtje dhe riparim aktual të të gjitha defekteve teknike dhe të sigurojë pjesë këmbimi për 10 vitet e ardhshme nga data e hyrjes në shërbim të automjeteve. Autobusët duhet të jenë të miratuar në përputhje me Direktivën Evropiane 2018/858″, njofton Ministria.
Gjithashtu informon se pas lidhjes së kontratës, ofertuesi më i favorshëm është i detyruar të dorëzojë autobusët dhe stacionet e mbushjes sipas dinamikës së mëposhtme: 30 autobusë elektrikë dhe 15 stacione mbushëse të dorëzohen brenda një periudhe jo më të gjatë se gjashtë muaj nga data e lidhjes së kontratës, 60 autobusë elektrikë dhe 30 stacione mbushëse brenda një periudhe jo më të gjatë se dymbëdhjetë muaj nga data e lidhjes së kontratës, 60 autobusë elektrikë dhe 30 stacione mbushëse brenda një periudhe jo më të gjatë se tetëmbëdhjetë muaj nga data e lidhjes së kontratës.
Pas marrjes së vendimit të përzgjedhjes, është caktuar një afat prej dhjetë ditësh për ankesë.
Nga 150 autobusë, 100 do të jenë për Qytetin e Shkupit, ndërsa 50 të tjerët për qytete të tjera.
Sipas specifikimit teknik në njoftimin e publikuar në faqen e internetit të Byrosë së Prokurimit Publik, vlera e parashikuar është 51 milionë euro. Autobusët duhet të jenë të kuq ose të bardhë, të kenë të paktën 33 vende dhe një kapacitet për të paktën 66 pasagjerë. Do të blihen gjithashtu 75 stacione karikimi autobusësh me një fuqi prej të paktën 120 kilovat për pikë lidhjeje në stacionin e karikimit.
Ky është tenderi i dytë qeveritar për prokurimin e autobusëve të rinj elektrikë, pasi i pari i shpallur në qershor dështoi sepse e vetmja kompani që aplikoi nuk i plotësoi kushtet e nevojshme.