KOHË SHAJNISH

Jetojmë në botë shajnish. Më shumë e rrejshme sesa e vërtetë. Më shumë i besohet rrenës së stolisur sesa të vërtetës lakuriqe. Mediat vlojnë nga spektaklet. Përmasa tjetër e jetës nuk shihet.

Protagonistët e ekraneve përsërisin klishe dhe refrene. Na këshillojnë si ta ulim nivelin e kolesterolit dhe të sheqerit në gjak. Të shmangim miellin e bardhë, sheqerin dhe kripën. Të konsumojmë më shumë ujë. Të bëjmë më shumë ushtrime dhe lëvizje që ta largojmë stresin. Të lëmë duhanin, sepse na rrezikon shëndetin. Të njëjtat gjëra përsëriten çdo ditë.

Pastaj shfaqen ekspertët e modës. Na këshillojnë për ngjyrat e veshjeve dhe grimin që duhet përdorur në stinë të ndryshme edhe pse një pjesë e madhe e njerëzve mezi ia dalin të mbijetojnë.

Pasojnë eksponentët e estradës, të cilët bëjnë muzikë me dy nota dhe “krijojnë” tekste ku janë të pashmangshme fjalët: “tradhti”, “dashuri”… Nuk kanë asgjë për të thënë e megjithatë flasin për gjithçka me kompetencë të frikshme. Afirmohen si modele për brezin e ri edhe pse u ngjajnë gjelave të detit, që, sipas Mithat Frashërit, ndonëse janë shpendët më pak të zgjuar, krekosen më shumë.

Ne duhet të dimë se kush u tradhtua dhe tradhtoi apo çfarë veture luksoze bleu; cilat shenja të horoskopit na favorizojnë në jetë; kush e dërmoi me grushte rivalin e tij…

Nuk mungojnë edhe ekspertët e teorive të komplotit. Babavangat parashikojnë gjëra të frikshme, të mërzitshme, skajshmërisht të mërzitshme, idiotësisht të mërzitshme.

Pastaj shfaqen gjithollogët që e kënaqin sedrën kombëtare me teori protokroniste dhe pas tyre shpikësit e kauzave të ndryshme.

Politikanët janë protagonistë të çdoditshëm, por në këtë rast po i përjashtojmë.

Mediat e reja sikur janë shpikur vetëm për ata që e pëlqejnë budallallëkun, i cili, sipas Borges-it, është mjaft i popullarizuar.

Gjërat më të bukura, më të domosdoshme dhe më të dobishme i erdhën botës nga ata që nuk u kushtuan rëndësi këshillave të mësipërme.

Të mendosh dhe të krijosh do të thotë të jesh në stres të vazhdueshëm. Balzaku punonte gjithë natën dhe konsumonte nga 50 kafe. Sa e sa gjeni nuk u kushtuan rëndësi dëmeve që vijnë nga buka e bardhë, sheqeri apo kripa… Nuk u kushtuan rëndësi ahengjeve dhe modës… Në kohën tonë ata nuk hyjnë në grupin e “mendjehapurve”. Janë demode edhe pse i flasin secilës kohë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.