Kohë dekretesh

Kur ishim nxënës të Gjimnazit të Tetovës shpesh na kumtohej urdhri që të mblidheshim në korridorin e shkollës, ku funksionarët partiakë lexonin referate të neveritshme kundër “nacionalizmit shqiptar” dhe “paternalizmit kosovar”. Ne refuzonim të merrnim pjesë aty ku flitej keq për shkrimtarët dhe intelektualët shqiptarë, librat e të cilëve i lexonim me admirim.

Në një rast u sulmuan akademikët Rexhep Qosja, Idris Ajeti dhe Gazmend Zajmi, sepse i kishin kërkuar Gjykatës Kushtetuese të Jugosllavisë që të hiqte nenin 180 të kushtetutës së Republikës Socialiste të Maqedonisë, pasi e kufizonte përdorimin e gjuhës shqipe. Kërkesa u hodh poshtë nga kjo gjykatë…

Gjimnazi i Tetovës ishte ndër shkollat më cilësore shqiptare. Kishte profesorë të përjashtuar për “veprimtari armiqësore” dhe “me vërejtje partiake”. Procesi i “diferencimit ideopolitik” i ngjante “ndjekjes së shtrigash”.

Kjo kohë m’u rikthye në kujtesë, derisa lexoja disa numra të vjetër të gazetës “Borba”, e cila ishte bori e LKJ-së. Aty janë botuar shumë shkrime dhe komente kundër “nacionalizmit, separatizmit e shovinizmit shqiptar”.

Propaganda antishqiptare ishte shumë e shprehur pas vitit 1981. Edhe më e shprehur ishte në Republikën Socialiste të Maqedonisë. Funksionarët partiakë e shtetërore (partia ishte shteti) shprehnin egërsi kundër gjuhës, kulturës, arsimit dhe traditave shqiptare. Me deklarata antishqiptare shquheshin akademikë, intelektualë dhe shkrimtarë maqedonas. Të njëjtët shquhen edhe sot, ndonëse tani nuk veprojnë nga pozitat komuniste, por nacionaliste.

Duke i lexuar këto shkrime e komente, më dukej sikur e lexoja një kohë të trishtë, kur Maqedonia shërbente si “laborator për matjen e durimit të shqiptarëve”.

Në gazetë janë botuar shumë shkrime për dënimin e shqiptarëve që “vepronin nga pozitat e nacionalizmit shqiptar”; shkrime për shpërndarjen e “trakteve armiqësore”; për dënimin e të rinjve; për gjykimet e “armiqve të rrezikshëm” Memetriza Gega dhe Rafi Halili; shkrime kundër lindshmërisë te shqiptarët, që quhej “projekt i paramenduar nacionalist”; shkrime kundër përdorimit të antroponimeve dhe toponimeve shqipe. Shkruhej edhe për rrënimit të mureve; për dënimin dhe përjashtimin e profesorëve e mësuesve nga procesi arsimor. Theksohej se “nacionalizmi shqiptar” nxitej nëpër shkolla. Shkruhej edhe për dënimin e disa intelektualëve shqiptarë, të pranishëm në një dasmë ku ishin kënduar “këngë nacionaliste”. Ata ishin “fajtorë” sepse nuk kishin reaguar. Ka shkrime për SHKA “Xheladin Zeqirin”. Akuzoheshin drejtuesit e saj, sepse, gjatë një vizite në Shqipëri, e kishin hequr fotografinë e Titos dhe, përkundër paralajmërimeve, kishin blerë libra në Tiranë. Shkruhej edhe për shuarjen e klubit sportiv “Shkëndija”, sepse kishte vepruar “nga pozita e nacionalizmit shqiptar”. Informohej për krijimin e “paraleleve të përziera”, ku mësimi zhvillohej në gjuhën maqedonase. Dënoheshin nxënësit që e kishin kundërshtuar vendimin. Komitetet partiake shprehnin shqetësim pse nxënësit shqiptarë nuk dinin maqedonisht dhe këtë e komentonin si mosdëshirë për ta mësuar këtë gjuhë. Propagandohej edhe për kinse vendosje të kosovarëve në Tetovë. Informohej për dënimin e një arkitekti shqiptar që e kishte projektuar një çezmë fshati në formë plisi. Pasi terrori duhej t’i prekte të gjithë, përjashtoheshin nga partia edhe funksionarë shqiptarë, sepse kishin qenë, siç thuhej, “oportunistë ndaj nacionalizmit shqiptar”. Ka edhe deklarata të ashpra funksionarësh shqiptarë. Nuk mungojnë as shkrimet për “përparimet ekonomike” në Tetovë, ku mbi 80 për qind e të punësuarve në fabrika ishin maqedonas…

Mjerisht, edhe sot ka protagonistë në skenën kulturore dhe politike që veprojnë sipas së njëjtës skemë dhe përdorin pothuajse të njëjtin diskurs. Nga ajo kohë është trashëguar shumëçka në kohën tonë. Ende ka “diferencime politike”. Ende nuk ka autonomi të duhur të sferave shoqërore. Ende tentohet të kontrollohet çdo institucion. Ende ka media që propagandojnë si gazetat e dikurshme. Ende ka intelektualë që këmbët i kanë në kohën tonë, kurse kokën në kohë tjetër.

Kaluan disa dhjetëvjeçarë nga rënia e sistemin njëpartiak, por fatkeqësisht ende vazhdon inercia nga një kohë paraprake. Ende punohet me dekrete nga lart.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.