Koçani: Tridhjetë ditë paraburgim për një 24 vjeçar për tentativë vrasje
Prokuroria Themelore Publike në Koçan ka lëshuar një urdhër për fillimin e një procedure hetimore ndaj një 24-vjeçari për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale – vrasje sipas nenit 123, paragrafi 1, në lidhje me nenin 19 (tentativë) të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Siç informon Prokuroria, më 13 shtator, në orët e mbrëmjes, i dyshuari ishte dakorduar me të dëmtuarin për t’u takuar në një hapësirë parkimi pranë monumentit të lirisë në Koçan për blerje-shitjen e një telefoni celular. Kur janë takuar në vendin e caktuar, i dyshuari ka hyrë në makinën e të dëmtuarit dhe ka filluar të flasë me të dhe të shikojë telefonin.
“Pas një kohe të shkurtër, ai ka nxjerrë një thikë nga xhepi dhe e ka goditur atë në një pjesë vitale të trupit, në zonën e kokës dhe qafës nën mjekër, duke i shkaktuar një plagë të hapur prej rreth 2-3 cm. Thika është thyer, por i dyshuari ka vazhduar ta godasë të dëmtuarin edhe disa herë me dorezën e thikës. I sulmuari ka arritur t’ia kapë dorën dhe ta ndalojë, pas së cilës i dyshuari është larguar nga automjeti dhe ka ikur me vrap nga vendi i ngjarjes,” thanë nga Prokuroria.
Për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë për të ndikuar mbi dëshmitarët dhe pengimit të procesit penal, si dhe kërcënimit real për të përsëritur ose për të përfunduar veprën penale të tentuar, prokurori publik i ka paraqitur gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Koçan një propozim për caktimin e masës së paraburgimit. Gjykata e ka pranuar propozimin dhe i dyshuari është dënuar me paraburgim prej 30 ditësh.