Klea Çutra: Në tregun e komercializimit, dua të jem zëri që i rikujton publikut se muzika ka edhe dimension tjetër
Që nga paraqitjet e hershme në skenë, te garat e mëdha muzikore dhe momentet virale që pushtuan rrjetet sociale, Klea Çutra së bashku me kitarën e saj po ndërton një identitet artistik të veçantë. Në një bisedë për Portalb.mk, ajo foli pa filtra për rrugëtimin e saj, sfidat dhe ëndrrën që nuk ka ndërmend ta ndalë.
Portalb.mk: Ku e sheh veten të pozicionuar në skenën shqiptare si këngëtare e re jo-komerciale në një skenë ku muzika shpesh matet me klikime dhe komercializim?
Klea Çutra: Unë e shoh veten si një artiste që vjen me qetësi, me muzikë të ndërtuar mbi emocion dhe jo mbi formulën e hitit të shpejtë. Nuk kam synim të garoj me klikime, por të krijoj një identitet që qëndron gjatë. Në një treg që shpesh vrapon pas komercializimit, unë dua të jem ai zëri i pastër që i rikujton publikut se muzika ka edhe një dimension tjetër, më të thellë, më njerëzor.
Portalb.mk: Me çfarë sfidash përballen këngëtarët e ri kur duan të bëjnë muzikë të vërtetë, jo thjesht hit-e që shuhen shpejtë?
Klea Çutra: Sfida më e madhe është presioni për t’u përshtatur me tregun, për të bërë muzikë që pëlqehet menjëherë, edhe kur ajo s’ka thellësi. Artistët e rinj përballen me mungesë mbështetjeje financiare, me shifra marramendëse nga studio regjistruese apo studio produksioni për realizim të klipeve muzikore, riskun që projekti i tyre të mos marrë vëmendje, dhe shpesh me paragjykimin se muzika e vërtetë “nuk shet”. Por unë besoj se koha i jep vlerën e saj çdo gjëje të bërë me shpirt.

Portalb.mk: Sa e vështirë është sot për një artist të ri të mbijetojë në një treg gjithnjë e më të komercializuar?
Klea Çutra: Është shumë e vështirë, sepse industria shpesh kërkon ritëm të shpejtë, prodhim të vazhdueshëm dhe imazh të gatshëm. Por nëse ke unitet, integritet dhe durim, mund ta gjesh audiencën tënde. Pastaj ku ka më bukur se të të dojë populli/audienca, nuk është rruga më e lehtë, por është më e qëndrueshmja.
Portalb.mk: Si e ruan krijimtarinë tënde nga presioni i industrisë komerciale?
Klea Çutra: E ruaj duke iu rikthyer vetes, duke u fokusuar te muzika që dua të bëj, jo tek “limonada 1 mujore” që i quajmë me shoqërinë e ngushtë, sepse muzika e vërtetë do kohë. Nuk kam frikë të tregoj ndjeshmëri, qetësi apo thellësi në këngët e mia. Krijoj vetëm kur kam diçka për të thënë, kjo më mbron nga rënia në kompromise sepse të qenurit unik do guxim.
Portalb.mk: Çfarë do të thotë për ty të bësh muzikë që ka “shpirt”, përveçse t’i pëlqejë publikut?
Klea Çutra: Do të thotë t’i japësh publikut diçka të sinqertë. Një emocion që qëndron edhe kur kënga mbaron. Një histori që nuk vjen për të bërë bujë, por për të prekur dikë, qoftë edhe një person të vetëm dhe këtë rresht dua ta shoqëroj me një varg të Alban Skenderaj “Veç një emocion vlen një mijë pasuri”. Muzika me shpirt është muzika që rritet me kohën, jo ajo që shuhet pas 24 orësh, por por… e theksoj që do durim.
Portalb.mk: Së fundmi performuat katër net me radhë në hapjen e koncertit të Alban Skenderaj, cilat janë reflektimet pas saj dhe çfarë do të thotë kjo për ju?
Klea Çutra: Ka qenë dhe do të jetë një nga përvojat më të bukura në rrugëtimin tim të vazhdueshëm. Të performoja katër net me radhë para një publiku kaq të ngrohtë dhe në skenën e një artisti që ka shkruar historinë e muzikës sonë, nuk gjej dot fjalë ta përshkruaj ndjesinë, por ishte dhe dyfish e veçantë sepse në skenë shoqërohesha dhe nga kitaristi im i preferuar që është babai im. Çdo eksperiencë të rrit dhe unë absolutisht nga këto 4 netë jam rritur dhe pjekur artistikisht. Jam mirënjohëse për ftesën dhe besimin, për mua ishte një konfirmim i heshtur se jam në rrugën e duhur.

Portalb.mk: Sa artistët e mëdhenj, të mirëfilltë i përkrahin talentet e reja sot, sipas teje a po bëjnë mjaftueshëm?
Klea Çutra: Ka artistë që e bëjnë me zemër, dhe kjo duket qartë. Por gjithmonë ka vend për më shumë mbështetje. Kur një artist i madh hap derën për dikë të ri, ai nuk jep vetëm një mundësi, por edhe guxim për të vazhduar. Personalisht, unë jam me fat që kam përjetuar një mbështetje të tillë, nga disa artistë duhet theksuar.
Portalb.mk: Cilat janë planet në të ardhmen, kur mund të presim ndonjë projekt të ri?
Klea Çutra: Pas projektit tim të fundit, dedikuar atdheut ‘Për Ty Shqipëri’, po vazhdoj të punoj mbi materiale të reja, duke i lënë çdo kënge hapësirën dhe kohën e vet për të marrë frymë. Dua që çdo projekt të vijë natyrshëm, me pjekuri dhe sinqeritet. Aktualisht jam duke ndërtuar një projekt që më përfaqëson në çdo detaj dhe shumë shpejt publiku do të dëgjojë një copëz të re nga Klea.
Portalb.mk: Cili është synimi juaj për 5-10 vitet e ardhshme, ku e shihni veten?
Klea Çutra: Ta ndërtoj hap pas hapi një muzikë që zgjat. Të kem një repertor që më identifikon si artiste dhe të krijoj një lidhje të thellë me publikun tim. Synimi im nuk është thjesht “fama”, por suksesi dhe qëndrueshmëria, një emër që lidhet me histori dhe emocion, jo vetëm me trendë.
Portalb.mk: Çfarë do ju thoje të rinjve sot që duan të ndjekin rrugën e muzikës?
Klea Çutra: Të jenë origjinalë. Të mos kërkojnë rrugë të shkurtra. Të punojnë, të besojnë dhe të mos kenë frikë nga zëri i tyre i vërtetë. Muzika nuk shpërblen gjithmonë menjëherë, por ia vlen kur e bën me zemër dhe jo për statistikë dhe patjetër asnjë punë dhe përpjekje nuk ngelet pa shpërblim në këtë botë.
