Kështu duket metroja e autobusëve në Rimini, transport i shpejtë, për një të ngjashëm ka nevojë Shkupi (FOTO)

Qyteti bregdetar i Riminit është i vetmi në Itali që ka një sistem të shpejtë autobusësh (metro autobusi) dhe ky është një projekt i ngjashëm me atë të cilin Kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska po e bllokon tashmë për më shumë se dy vjet në kryeqytetin e Maqedonisë. Meta.mk realizoi një reportazh për funksionimin e sistemit BRT në Rimini, qytet me rreth 150 mijë banorë, i cili gjatë sezonit veror, si një nga qendrat kryesore turistike në Itali, mirëpret deri në gjysmë milioni vizitorë, transmeton Portalb.mk. Projekti Bus Rapid Transit – BRT në Rimini është një linjë 9.8 km e gjatë që lidh stacionet kryesore hekurudhore në Rimini dhe në qytetin fqinj të Riçiones, bashkë me aeroportin e Riminit dhe zonat e shumta turistike të qytetit. Metroja e autobusëve u lëshua në nëntor të vitit 2019, ndërsa operatori publik Start Romagna SpA tashmë planifikon që vitin e ardhshëm ta zgjasë linjën BRT edhe me 4.2 kilometra shtesë deri në Rimini Fiera. Sipas të dhënave të operatorit Start Romagna SpA vitin e kaluar sistemi BRT është përdorur nga pothuajse 700.000 pasagjerë, transmeton Portalb.mk.

Trolejbus nga metroja e autobusëve në Rimini, Itali; Foto: Meta.mk
Trolejbus nga metroja e autobusëve në Rimini, Itali; Foto: Meta.mk

Për momentin kjo linjë BRT ka 15 ndalesa, ndërsa në të qarkullojnë trolejbusë dhe autobusë. E gjithë rruga kalon përgjatë linjës hekurudhore Rimini-Riçione, gjë që ofron një lidhje efikase për pasagjerët që përdorin transportin hekurudhor në Itali.

Pika e fundit në stacionin e trenit në Rimini, me rrethrrotullimin që e bën të mundurrrotullimin e autobusëve; Foto: Meta.mk
Pika e fundit në stacionin e trenit në Rimini, me rrethrrotullimin që e bën të mundur rrotullimin e autobusëve; Foto: Meta.mk

Përparësitë e ndërtimit të një metroje të autobusëve në Rimini janë të shumta. Siç mund ta shihnim në terren, udhëtimi me BRT në krahasim me udhëtimin me një linjë të rregullt autobusi midis dy stacioneve identike të nisjes dhe mbërritjes në Rimini është më shumë se tre herë më i shpejtë me linjën BRT. Meta.mk udhëtoi me Metromare nga lagjja Miramare deri te stacioni kryesor i trenit në Rimini për më pak se 8 minuta, ndërsa udhëtimi me linjë të rregullt të autobusëve zgjati rreth 25 minuta.

Rruga e veçuar e metrosë së autobusëve në Rimini, Itali; Foto: Meta.mk
Rruga e veçuar e metrosë së autobusëve në Rimini, Itali; Foto: Meta.mk

Metroja e autobusëve është transport shumë më i shpejtë në Rimini, gjë që është e kuptueshme për shkak se vetë rruga, përgjatë së cilës qarkullojnë autobusët dhe trolejbusët, është plotësisht e ndarë nga pjesa tjetër e komunikacionit. Mjetet e transportit lëvizin përgjatë një rruge që është fizikisht e ndarë nga automjetet e tjera, kështu që ato mund të zhvillojnë një shpejtësi më të madhe se ajo e autobusëve të rregullt në rrugët e Rimini. Gjithashtu, koha më e shpejtë e udhëtimit me BRT është e garantuar, sepse nuk ka rrëmujë në komuninacion që mund të ndikojë në çrregullimin e orarit të planifikuar të nisjeve.

Autobusët janë mjetet e vetme të transportit që lejohen të lëvizin përpararruga; Foto: Meta.mk
Autobusët janë mjetet e vetme të transportit që lejohen të lëvizin përpara në rrugë; Foto: Meta.mk

Për dallim nga Metromare, transporti i zakonshëm me autobusë në Rimini gjatë periudhës së verës është kaotik. Në mes të verës kaosi në komunikacion në këtë destinacion turistik është i madh, pasi një pjesë e madhe e turistëve vijnë me pushime me automjetet e tyre. Si rezultat i kësaj autobusët e qytetit bllokohen nga automjetet e tjera në rrugë, së bashku me parkimin kaotik të automjeteve për çka qytetarët italianë njihen mirë. Në këtë lloj kaosi në komunikacion udhëtimi me autobusë të zakonshëm zgjat shumë, ndërsa për shkak të vonesave në orarin e nisjeve, vjen deri në mbimbushjen e autobusëve për shkak të numrit të madh të pasagjerëve që presin në stacione.

Pasagjerët që presin transportin informohen në kohë reale për mbërritjen e autobusit të radhës; Foto: Meta.mk
Pasagjerët që presin transportin informohen në kohë reale për mbërritjen e autobusit të radhës; Foto: Meta.mk

BRT në Rimini, përveçse që është një mjet më i shpejtë i transportit publik, mundëson edhe  udhëtimin me çmime identike të biletave si autobusët e zakonshëm. Çmimi i një bilete është një euro e gjysmë për një udhëtim brenda një afati kohor prej 60 minutave nga momenti i vërtetimit të biletës në autobus. Në këtë mënyrë, qytetarët që duhet të kryejnë një aktivitet që nuk kërkon shumë kohë në pjesën tjetër të qytetit, mund të udhëtojnë me këtë mjet transporti në të dy drejtimet me një biletë. Kjo është pothuajse e pamundur nëse përdorni transport të rregullt me ​​autobus, pasi koha e udhëtimit është shumë më e gjatë.

Biletë për përdorimin e transportit publik në Rimini, Itali; Foto: Meta.mk
Biletë për përdorimin e transportit publik në Rimini, Itali; Foto: Meta.mk

I gjithë projekti për ndërtimin e linjës BRT në Rimini ka kushtuar 78 milionë euro, përfshirë këtu ndërtimin e rrjetit elektrik për lëvizjen e nëntë trolejbusëve elektrikë të blerë. Trolejbusët filluan të funksionojnë në tetor të vitit 2021, ndërsa për momentin nisjet e planifikuara me orarin e qarkullimit mirëmbahen së bashku me autobusë të zakonshëm me bosht  me të cilët disponon operatori publik në qytet.

Metroja e autobusëve në Rimini funksionon nga ora 5:30 deri në 12:47 pas mesnate, me nisjet e fundit gjatë verës në orën 2 të mëngjesit. Për dallim nga pjesa më e madhe e rrugës së ndarë e cila përbëhet nga një korsi, stacionet e autobusëve kanë dy korsi që mundësojnë kalimin e autobusëve që shkojnë në drejtim të kundërt. Ndryshe nga autobusët e zakonshëm, trolejbusët e blerë që operojnë në linjën BRT kanë kapacitet për të akomoduar një numër më të madh pasagjerësh.

Një pjesë e itinerarit ka dy korsi trafiku, dhe secili stacion mundëson pritjen e sigurt të udhëtarëve me semaforë; Foto: Meta.mk
Një pjesë e itinerarit ka dy korsi trafiku, dhe secili stacion mundëson pritjen e sigurt të udhëtarëve me semaforë; Foto: Meta.mk

E gjithë rruga e linjës BRT ka një kohë të garantuar udhëtimi midis dy stacioneve të terminalit prej 23 minutash. Gjatë periudhës së verës në pikun e kaosit në komunikacion nisjet bëhen çdo 10 minuta, ndërsa gjatë periudhës tjetër të ditës dhe jashtë sezonit veror trolebusët qarkullojnë në çdo 15 deri në 30 minuta.

Harta e stacioneve të autobusëve në Rimini, Itali; Foto: Meta.mk
Harta e stacioneve të autobusëve në Rimini, Itali; Foto: Meta.mk

Ajo që është veçanërisht e rëndësishme për metronë e autobusëve është fakti se biletat për përdorimin e tij janë të integruara me pjesën tjetër të transportit publik të Rimini, ndërsa operatori ofron bileta për 24 orë udhëtim me këtë mjet transporti, përdorim të biletave të udhëtimit për tre dhe shtatë ditë, si dhe një biletë speciale që mundëson përdorimin e trenave rajonalë të operatorit shtetëror Trenitalia në rrethinën e Riminit.

Udhërrëfyesit për të hyrë në metronë e autobusëve janë në vendet më të frekuentuara në Rimini; Foto: Meta.mk
Udhërrëfyesit për të hyrë në metronë e autobusëve janë në vendet më të frekuentuara në Rimini; Foto: Meta.mk

Një përparësi e veçantë e metrosë së autobusëve në Rimini është dimensioni ekologjik. E para, trolejbusët punojnë me energji elektrike dhe nuk e ndotin ajrin. Projekti ka për qëllim ta reduktojë përdorimin e automjeteve në Rimini, i cili ka komunikacion rrugor tejet të ngarkuar, sidomos gjatë muajve të verës. Të dhënat nga autoritetet tregojnë se Metromare ka për qëllim të eliminojë nga 12.000 deri në 15.000 udhëtime në ditë me automjete në Rimini, gjë që nga ana tjetër do të mundësojë një reduktim vjetor prej 11 përqind të grimcave në ajër përgjatë rrugës bregdetare të Riminit.

Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është siguria e lartë në komunikacion. Për faktin se rruga është e ndarë nga pjesa tjetër e komunikacionit, mundësia e aksidenteve në komunikacion është e reduktuar në minimum. Të gjitha ndalesat dhe mjetet e transportit kanë kamera për video survejim, të cilat i minimizojnë vjedhjen e sendeve personale nga pasagjerët.

Qasshmëria për personat me aftësi të kufizuar ofrohet në çdo stacion në Rimini; Foto: Meta.mk
Qasshmëria për personat me aftësi të kufizuar ofrohet në çdo stacion në Rimini; Foto: Meta.mk

Ajo që në mënyrë të padiskutueshme të përkujton Shkupin sa i përket metrosë së autobusëve në Rimini është kritika dhe rezistenca afatgjatë e një pjese të popullatës lokale për realizimin e saj. Ideja e ndërtimit të një transporti publik alternativ të shpejtë dhe me kapacitet të lartë në këtë qytet u ngjiz dhe u realizua në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar. Projekti Rimini BRT mori mbështetje nga qeveria italiane në vitin 2006, ndërsa zbatimi i tij zgjati nga viti 2012 deri në vitin 2017. Për të mundësuar një korsi të veçantë për këtë linjë BRT, janë ndërtuar mbikalime dhe nënkalime të reja për këmbësorët dhe automjetet, si dhe ura të reja përgjatë korsisë.

Trolejbus nga metroja e autobusëve në Rimini, Itali; Foto: Meta.mk
Trolejbus nga metroja e autobusëve në Rimini, Itali; Foto: Meta.mk

Shumë politikanë lokalë dhe një pjesë e popullatës atje, ngjashëm si me situatën aktuale në Shkup, ishin kundër ndërtimit të linjës BRT. Disa nga politikanët, sidomos disa në krye të qytetit të Riçiones mendonin se projekti i metrosë së autobusëve ishte i vjetëruar. Prishja e një pjese të pronave për ndërtimin e rrugës, shpronësimi i tokës dhe prerja e pemëve shkaktuan protesta të një pjese të popullatës, si dhe padi për shpronësimin e tokës. Kryetarja e djathtë e komunës Riçione, Renata Tosi, si një kritike e hapur kundër ndërtimit të projektit, tentoi ta bllokojë realizimin e tij në vitin 2014, ndërsa apele për ndalimin e projektit iu dërguan drejtpërdrejt kryeministrit italian Matteo Renzi.

Mosmarrëveshjet disavjeçare midis autoriteteve në Riccione dhe qeverisë qendrore italiane ngjasojnë shumë me situatën aktuale me të cilën përballet projekti për zbatimin e dy linjave BRT në Shkup, me përplasjet mes kryetares Danella Arsovska dhe pushtetit qendror të Kryeministrit Dimitar Kovaçevski, i cili mori kredinë për ndërtimin e projektit dhe po tenton ta përmirësojë transportin publik në Shkup.

Por, pavarësisht gjithçkaje që ndodhi, kundërshtimet e shumta për ndërtimin e metrosë së autobusëve në Rimini nuk arritën ta ndalonin atë, por vetëm të vononin realizimin e një transporti publik alternativ në këtë qytet. Mbetet për të parë nëse Shkupi do të ketë të njëjtin fat si qendra e famshme turistike italiane.