Këshilli Rinor Lokal në Tetovë ende jofunksional, Komuna nuk tregon a do të ketë zgjedhje brenda këtij muaji
- Autore: Lejla Beqiri
Zgjedhjet e reja për Këshillin Rinor Lokal (KRL) në Komunën e Tetovës jozyrtarisht do të mbahen këtë muaj. Vonesa në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj vjen si pasojë e prishjes së procedurës disa muaj më herët kur u konstatuan parregullësi. Komuna e Tetovës refuzon të përgjigjet pse po len të rinjtë pa përfaqësimin e tyre ligjor në nivel lokal, shkruan Portalb.mk.
Kujtojmë që Këshilli Rinor Lokal është detyrim që çdo komunë duhet ta formojë bazuar në Ligjin për Pjesëmarrje dhe Politika Rinore të cilin e miratoi Kuvendi i RMV-së janarin e vitit 2020.
Siç mëson redaksia e Portalb.mk brenda këtij muaji duhet të mbahen zgjedhjet e reja për Këshillin Rinor Lokal (KRL) në Komunën e Tetovës. Zgjedhjet e kaluara dështuan sepse kishte ankesa nga aplikuesit për parregullësi në proces. Megjithatë, Komuna e Tetovës refuzon të deklarohet zyrtarisht për arsyet pse ka ndodhur kjo shtyerje edhe pse redaksia jonë ka disa javë që insiston në përgjigje.
Po ashtu, edhe pse u kontaktuan disa përfaqësues të Këshillit Rinor dhe aktivistë lokalë, shumica heshtën.

Transparencë dhe përfaqësim real
Për Olti Esatin, kryetarin e parë të KRL-së në Tetovë, kur shtyhet një proces i tillë, institucioni ka për obligim të komunikojë qartë arsyet dhe afatin e ri. Ai shpreson që shtatori të jetë afati përfundimtar, por nënvizon se sfida e vërtetë fillon pas formimit të strukturës.
“Këshilli Rinor Lokal është një mekanizëm i rëndësishëm i pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje. Tetovës nuk i duhet një KRL vetëm në letër apo për të përmbushur një obligim formal i duhet një Këshill legjitim, pluralist, aktiv dhe i aftë që zërin e të rinjve ta shndërrojë në pjesë reale të vendimmarrjes lokale”, deklaron Esati.
Një nga shqetësimet kryesore mbetet edhe rreziku i politizimit ose kapjes së KRL-së nga një rreth i kufizuar organizatash.
“Nëse një strukturë rinore dominohet nga një rreth i kufizuar interesash, humbet vetë kuptimi i përfaqësimit rinor. Çështja kryesore është se si do të fitohet legjitimiteti për ta udhëhequr atë,” shton Esati, duke kërkuar që transparenca të nisë që nga shpallja e konkursit e deri te vendimet përfundimtare.
Lorina Karemani, e angazhuar prej vitesh në iniciativa qytetare, vëren se KRL-ja duhet të shkëputet nga burokracia dhe të jetë më pranë të rinjve të zakonshëm.
“Shumë të rinj ende nuk e dinë mjaftueshëm se çfarë është KRL-ja dhe si mund të përfshihen. Përfaqësimi rinor nuk duhet të kufizohet te disa individë, por duhet të krijohet hapësirë për sa më shumë zëra përmes konsultimeve publike,” thotë Karemani, duke kërkuar prani më aktive në rrjetet sociale dhe njoftim periodik për rezultatet e punës.
Kronologjia e KRL-së në Tetovë 2015–2019
Përpjekjet e para nisën nga sektori civil në vitin 2015, por pa arritur të konsolidojnë një strukturë të qëndrueshme. Në vitin 2017 u publikuan thirrje për delegatë për Këshillin Rinor Lokal në Tetovë. Organizatat dhe grupet që aplikonin duhej të dorëzonin dokumentacion për punën e tyre, përfshirë portofol, letër motivimi dhe raport vjetor që dëshmonte aktivitetin e organizatës.
Në vitin 2019 u miratua Strategjia e re Rinore e Komunës, ku u zgjodhën organet e para drejtuese.
Në vitin 2020, Kuvendi miratoi Ligjin për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore i cili detyroi komunat të krijojnë këshillat rinorë duke përfshi dhe Tetovën.
Më 21 qershor 2022, Komuna e Tetovës shpalli thirrjen për Këshillin Nismëtar prej 5 anëtarësh për të përgatitur themelimin e KRL-së sipas ligjit të ri.

Në shkurt 2023, Tetova më në fund e konstituoi Këshillin Rinor.
Komuna e Tetovës në vitin 2024 ka miratuar vendimin për verifikimin e mandateve të anëtarëve të Këshillit Rinor Lokal, si dhe vendimin për miratimin e Programit Vjetor të Punës së Këshillit Rinor Lokal për vitin 2025.
Gjatë përurimit të Qendrës së re Rinore në vitin 2025, kryetari i Komunës, Bilall Kasami, deklaroi se KRL-ja u vendos fizikisht brenda kësaj qendre.
Pas përfundimit të mandatit të udhëheqësisë së kaluar, zgjedhjet e reja janë shtyrë për në shtator 2026, pa një arsyetim zyrtar nga autoritetet lokale, duke e kthyer sërish organin në pikën zero.
Mekanizmat rinorë në RMV ende jofunksionalë në një pjesë të madhe të komunave
Mungesa e aktivizmit dhe zvarritja e krijimit të mekanizmave funksionalë për rininë mbetet një sfidë e përbashkët për shumë komuna në Maqedoninë e Veriut. Kujtojmë se Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë në maj e publikoi Raportin e Monitorimit për zbatimin e Ligjit për Pjesëmarrje Rinore dhe Politika Rinore për vitin 2025, i cili tregon mangësi serioze dhe trende shqetësuese në zbatimin e obligimeve ligjore ndaj të rinjve. Edhe pse Ligji u miratua me qëllim që të rinjtë më në fund të kenë pjesëmarrje të strukturuar në proceset e vendimmarrjes dhe qasje në shërbime rinore lokale, gjashtë vite më vonë një pjesë e madhe e obligimeve ligjore mbeten të papërmbushura ose zbatohen vetëm formalisht.
Raporti thekson se institucionet më së shpeshti i përmbushin vetëm ato obligime ligjore që nuk kanë implikime të konsiderueshme financiare, ndërsa mekanizmat që kërkojnë investime reale, mbështetje strukturore dhe pjesëmarrje aktive të të rinjve mbeten jofunksionalë ose pjesërisht të zbatuar.
Shumica e të rinjve në RMV qendra rinore panë vetëm përmes videove të fushatave zgjedhore
Qendrat rinore, së bashku me mekanizmat e tjerë që duhet të ofrohen përmes Ligjit për Rininë, po krijohen me shpejtësinë e kërmillit, tregon analiza e Këshillit Kombëtar të Rinisë. Hulumtimi tregon se komunat, edhe pse i kanë tejkaluar afatet e përcaktuara me ligj, nuk janë shumë të interesuara t’u ofrojnë të rinjve shërbime dhe hapësira ku ata mund të mblidhen dhe të vendosin për nevojat e tyre, për kulturën, arsimin apo socializimin.