Këshilli gjyqësor në kontroll te Gjykata e Strugës për Ramiz Merkon

Këshilli gjyqësor do të formojë komision, i cili në Gjykatën themelore të Strugës do të bëjë kontroll për verifikimin e pretendimeve të Departamentit të Shtetit dhe ambasadores amerikane, Anxhela Ageler, e cila dje njoftoi se kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, është futur në listën e zezë të personave në SHBA për shkak të dyshimeve se ka ndërhyrë në procedura gjyqësore, raporton MIA.

“Këshilli gjyqësor do të kontrollojë pretendimet e Departamentit të Shtetit dhe të ambasadores amerikane dhe do të formojë një komision, i cili së bashku me koordinatorin e kësaj gjykate nga radhët e anëtarëve, do të bëjë një vizitë në këtë Gjykatë, që të jetë në gjendje të bëjë një inspektim në vend”, thotë zëdhënësja e Këshillit gjyqësor, Gordana Duvnjak.

Ajo informoi se gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit ka pasur 15 peticione të qytetarëve të Strugës për punën e Gjykatës së Strugës, ndërsa Këshilli Gjyqësor ka zhvilluar dy procedura për gjyqtarët e kësaj gjykate.

“Por, them se në asnjë rast nuk vendosen në lidhje me kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, por për raste konkrete në të cilat janë palët”, thekson Duvnjak.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot më herët deklaroi se vendosja e kryetarit të Komunës së Strugës në listën e zezë të SHBA-së, dëshmon se sistemi ynë hetimor dhe ligjor ka nevojë për një rishikim të përgjithshëm. Në përgjigjen e pyetjeve të gazetarëve, Kovaçevski sot nga Vinica kritikoi autoritetet hetimore dhe gjyqësore vendase se deri tani nuk kanë arritur të marrin informacione për kryetarin e Komunës së Strugës.

Lidhur me zëvendëskryeministren Sllavica Gërkovska, megjithatë, ka shkruar se porositë nga Aleatët ndërkombëtarë duhet të kuptohen nga autoritetet vendase të drejtësisë.

“Porositë e qarta dhe hapat konkretë, të ndërmarra nga aleatët tanë ndërkombëtarë në luftën kundër korrupsionit duhet të kuptohen siç duhet nga autoritetet vendase të drejtësisë. Pasi roli i tyre kryesor është të sigurojnë barazi të qytetarëve para ligjit dhe të japin drejtësi efektive dhe jo selektive”, porosit zëvendëskryeministrja Gërkovska në Fejsbuk.

Ambasadorja amerikane Ageler njoftoi edhe emra të rinj në listë përveç kryetarit të komunës Ramiz Merko, por nuk zbuloi për cilët persona bëhet fjalë, vetëm tha se është në proces të shqyrtimit.

Më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramiz Merkon. Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Ky vendim, thuhet më tej në njoftim, dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit. Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre përfundon njoftimi i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Koordinatori për antikorrupsion në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nephew, në një intervistë për redaksinë shqiptare të “Zërit të Amerikës” tha se nuk mund të ndahen më shumë detaje se pse Merko është futur në listën e zezë amerikane. Vendimi u mor sepse Sekretari i Shtetit kishte informacione të besueshme që sugjeronin se Merko ishte i përfshirë në korrupsion masiv. Dhe kështu sipas ligjeve, kur sekretari vjen në atë përfundim, përcaktimi i dikujt është ligjërisht i detyrueshëm.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

 11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.

SHBA, ka paralajmëruar se Merko nuk është i fundit që është shpallur “nongrata”, por se do të ketë edhe të tjerë.