Kërcënimet në rrjetet sociale, në Maqedoninë e Veriut kërkohen dënime më të rrepta

Në Maqedoninë e Veriut në gjashtë muajt e fundit janë shpallur dhjetëra vendime gjyqësore lidhur me veprën penale “përndjekje”, që ka të bëjë me kërcënimet kryesisht përmes platformave sociale, ngacmimet në vendin e punës, si dhe forma të tjera të shqetësimit, raporton REL.

Për shkak të mesazheve kërcënuese në Viber, ngacmimeve në punë, por edhe ndaj familjes dhe miqve të ngushtë të një gruaje nga Ohri, ish-partneri i saj është dënuar me kusht. Sipas aktgjykimit për përndjekje nga Gjykata në Ohër, të akuzuarit nga ky qytet i është shqiptuar dënimi prej tre muajsh me kusht nëse brenda dy vjetëve nuk e përsërit veprën penale.

Një persona tjetër nga qyteti i Tetovës, i cili, sipas vendimit të gjykatës, për një muaj të tërë përndiqte ish-partneren e tij, e ngacmonte në punë, e ndiqte në shtëpi dhe vazhdimisht e ofendonte publikisht, është dënuar me nëntë muaj burgim me kusht, por vendimi nuk do të zbatohet nëse brenda dy vjetëve nuk e përsërit veprën.

Ndërkohë, një banor nga qyteti i Vinicës kërcënoi se do të publikonte mesazhe dhe video komprometuese të ish-partneres së tij, nëse ajo nuk pranonte të rifillonte lidhjen e tyre. Gjykata në Vinicë e dënoi të akuzuarin me tre muaj burgim me kusht.

Për veprën penale “përndjekje” nga shkurti i vitit të kaluar janë pranuar 51 kallëzime penale dhe për dymbëdhjetë prej tyre janë ngritur aktakuza, ndërsa për gjashtë të tjera gjykatat kanë kërkuar gjobë.

“Në nëntë raste, pas kontrollit të të gjitha pretendimeve, është marrë vendim për refuzimin e kërkesës. Në 24 raste procedura pas kallëzimit penal është ende në vazhdim”, thuhet në përgjigjen nga Prokurorisë Themelore Publike.

Në pjesën e veprave penale bëjnë pjesë edhe përndjekja dhe ngacmimet seksuale, duke përfshirë thirrjet telefonike, dërgimin e letrave apo dhuratave. Raportohet që shumica e viktimave të përndjekjes janë vajzat dhe gratë.

Ndryshe, Portalb.mk kreu një anketë për problemin e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Tetovës, Universitetin Nënë Tereza dhe Universitetin e Evropës Juglindore në Maqedoninë e Veriut. Nga 122 persona që u përgjigjën në anketë, 24 u shprehën se kanë përjetuar ngacmim seksual. Studentët nuk i paraqesin rastet sepse kanë frikë dhe mosbesim që rasti i tyre do të do të ketë epilog pozitiv.

Universitetet thonë se nuk kanë pranuar asnjë denoncim. Denoncime nuk ka as në polici. Nga shoqëria civile thonë se ky problem mbetet një “sekret publik” dhe se studentëve u kërkohen favore seksuale për nota.