Keqpërdorën seksualisht fëmijën për para, kallëzim penal ndaj 11 personave nga Tetova dhe Gostivari

Njësia Kombëtare për Ndalimin e Kontrabandës së Emigrantëve dhe Trafikimit me Qenie Njerëzore, nën drejtimin e prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kanë ndjekur rastin për veprën penale “trafikim me fëmijë” të cilin e kanë  kryer 11 persona në Tetovë dhe Gostivar. Si rezultat i kësaj, dhjetë nga to janë arrestuar ndërsa një person ndodhet jashtë shtetit, raporton Portalb.mk.

Prokuroria njoftoi se ky aksion është rezultat i bashkëpunimit ndërinstitucional disa mujor për shkak të ekzistimit të bazave të dyshimit se veprën penale “trafikim i fëmijëve” të kryer nga këto 11 persona.

“Në periudhën nga viti 2020 deri në shtator 2021, G.Sh., duke përfituar nga pafuqia dhe vulnerabiliteti i fëmijës, në një marrëveshje të mëparshme me S.S., A.P. dhe K.H., e kanë kryer veprën duke e joshur për të kryer akte seksuale me anë të shfrytëzimit seksual dhe duke e përdorur në aktivitete seksuale ose forma të tjera të shfrytëzimit seksual me të denoncuarit R.A., I.Z., I.E., A.M., Q.Q., F.A. dhe A.Sh., për kompensim monetar në shumën prej 50 deri në 200 euro, dhe me synimin për të përfituar për vete përfitim pasuror të kundërligjshëm”, bën të ditur Ministria e Punëve të Brendshme.

Nga atje thonë se në bazë të urdhrave të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale – Shkup, në Tetovë janë kryer bastisje në një shtëpi dhe objekte tjera në dy lokacione ku  tetë persona janë privuar nga liria , dhe dy persona janë privuar nga liria në Gostivar. Një person ndodhet jashtë vendit.

“Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka bërë kallëzim penal ndaj 11 personave, nga të cilët G.Sh. (51) nga Tetova për veprën penale “Trafikim me fëmijë” (neni 418-d paragrafi 2), S.S. (59) nga Tetova për “trafikim me fëmijë” (neni 418-d paragrafi 1 dhe 3), A.P. (67) nga Tetova dhe K.H. (50) nga Gostivari për “trafikim me fëmijë” (neni 418-d paragrafi 1) dhe R.A. (69), I.Z. (55), I.E. (67), A.M. (50), Q.Q. (53) dhe F.A. (63), të gjithë nga Tetova dhe A.Sh. (51) nga Gostivari për “trafikim me fëmijë” (neni 418 paragrafi 3) i Kodit Penal”, njoftoi MPB.

Prokuroria sqaroi se në verën e vitit 2020, i dyshuari i parë ka pranuar në shtëpinë e saj fëmijën katërmbëdhjetë vjeçare – viktimë dhe më pas ka pranuar edhe motrën dhjetëvjeçare dhe vëllain shtatë vjeçar të kujdeset për ta për shkak të marrëdhënieve të trazuara në familjen e tyre.

“ Menjëherë pas kësaj, duke përfituar nga gjendja e pafuqisë dhe vulnerabilitetit të fëmijës-viktimës, duke e kërcënuar dhe duke aplikuar forma të tjera, ka filluar ta shtyjë fëmijën të kryejë akte seksuale me disa nga të dyshuarit dhe persona të tjerë për shumë të caktuar monetare. Shpesh, kërcënimet ndaj fëmijës viktimë ishin të lidhura me vëllain dhe motrën e saj, se nëse ajo nuk pranonte aktivitetet seksuale. do t’ia kthente nënës së tyre”, sqaroi Prokuroria.

Për këto krime, autorët mund të dënohen më së paku nga tetë deri në dhjetë vite burg.

Ndryshe, numri i pedofilëve të regjistruar në Regjistrin e Pedofilëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët me vendim të plotfuqishëm janë dënuar për vepra penale që kanë të bëjnë me abuzimin seksual të fëmijëve, në janar 2023 ishte 303. Disa prej tyre janë në liri, ndërsa të tjerë vuajnë dënimin. Megjithatë, ky regjistër vazhdimisht has në probleme të vazhdueshme, ndërsa numri i veprave penale nga kjo fushë është shqetësues. Ky regjistër edhe pse shumë i nevojshëm për popullatën, herë pas here nuk është i qasshëm. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale arsyetohet se faqja me raste bie pasi bëhet përditësimi i së njëjtës.