Prokuroria dhe Policia zbuluan zinxhirin e pedofilisë në Tetovë, ka edhe të arrestuar

Nën udhëheqjen e prokurores për krim të organizuar dhe korrupsion, Elizabeta Josifovska, Policia në Tetovë ka zbuluar zinxhirin e pedofilisë dhe tregtisë me fëmijë, konfirmuan për SDK burime nga hetimet, përcjell Portalb.mk.

Megjithatë ata nuk japin detaje, sepse aksioni do të vazhdon akoma. Pas përfundimit, do të dihet saktë sa persona janë arrestuar, për sa vepra penale dhe a bëhet fjale për një ose më shumë viktima.

Aksioni i madh realizohet me ndihmën e njësisë speciale në MPB.

Ndryshe, numri i pedofilëve të regjistruar në Regjistrin e Pedofilëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët me vendim të plotfuqishëm janë dënuar për vepra penale që kanë të bëjnë me abuzimin seksual të fëmijëve, në janar 2023 ishte 303. Disa prej tyre janë në liri, ndërsa të tjerë vuajnë dënimin. Megjithatë, ky regjistër vazhdimisht has në probleme të vazhdueshme, ndërsa numri i veprave penale nga kjo fushë është shqetësues.

Se sa i rëndësishëm është ky fenomen dhe cilat janë pasojat, kjo më së miri u kuptua pas bërjes publike të skandalit të “Dhomës Publike” ku shpërndaheshin materiale pornografike të vajzave, ku në mesin e tyre kishte edhe të mitura. Krijuesit e këtij kanali në “Telegram” u dënuan me katër vite burg.

Çfarë është ky regjistër dhe cilat janë problemet?

Regjistri përmban të dhëna për personat e dënuar me vendim të formës së prerë për krime kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual ndaj fëmijëve, aty janë të shënuara emri, mbiemri, pseudonimi, datëlindja, adresa e vendbanimit-qëndrimit, krimi për të cilin janë dënuar, masa e dënimit, fillimi, pushimi apo ndryshimi i vuajtjes së dënimit me burg.

Të dhënat e të gjithë të regjistruarve në këtë regjistër publik, pavarësisht nëse ndodhen në burg apo dalin nga burgu pasi ta vuajnë dënimin, mbeten në regjistër, me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes së popullatës dhe fëmijëve. Pra nëse një person vendoset në këtë regjistër, ai do të jetë aty derisa të jetë gjallë.

Ky regjistër edhe pse shumë i nevojshëm për popullatën, herë pas here nuk është i qasshëm. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale arsyetohet se faqja me raste bie pasi bëhet përditësimi i së njëjtës.