Keni dyshime se çfarë libri të dhuroni? Ja disa sugjerime…

A ju ka ndodhur të shkoni në librari dhe të rrini gjithë ditën duke kërkuar një libër që dëshironi t’ia dhuroni një njeriut me rëndësi në jetën tuaj? Nuk ka arsye për tu shqetësuar këtu, pasi keni përmbushur kushtin bazë që kërkon bërja e një dhurate, s’është me rëndësi çka është dhuroni, por sa kohë harxhoni duke e gjetur gjënë e duhur. Sa më shumë kohë ndajmë, aq më i rëndësishëm ai njeri për ne. Sfidë e vërtetë është nëse zgjedhim të dhurojmë një libër. Cilin libër të dhuroj? A do t’ia qëlloj shijes së tij/saj? Telefonojmë ‘’librofilët’’ për ndihmë. Ky artikull synon t’ju shpëtoj nga këto telefonata.

Janë studiues, shkrimtarë, poetë, përkthyes, profesoresha, personalitete nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut që për Portalb.mk japin përgjigje në pyetjet: cilat libra i dhuroni më shpesh? Cili libër është i pari libër që ju bie ndërmend për ta bërë dhuratë dhe pse? Me çfarë kriteri i përzgjedhni librat që i dhuroni?

Unë personalisht kam dy kritere: kurrë nuk dhuroj një libër që nuk e kam lexuar dhe kurrë nuk i dhuroj libër dikujt që nuk ia di shijet e leximit. Si kur dhuron një veshje dhe do ta dish numrin, përmasat. Është e njëjta gjë, veç pak më e komplikuar se aq.

Foto nga arkivi personal i Adil Ollurit
Foto nga arkivi personal i Adil Ollurit

Adil Olluri, shkrimtar

Dhurimin e librit e cilësoj si një gjest shumë fisnik, si një akt delikat dhe tejet të rëndësishëm si për dhurimtarin, po ashtu edhe për marrësin e dhuratës. Gjithnjë duhet të mendosh se kujt t’ ia dhurosh një libër dhe çfarë libri duhet ’i dhurosh. A është e vlershme dhe e denjë dhurata për dhuruesin dhe a meriton marrësi akëcilin libër që dëshiron t’ia falësh?! Këto duhet të jenë shqetësime që është mirë ta përcjellin secilin njeri që ndihet i dashuruar me librin letrar.

Shkrimtarët shqiptarë janë fatkeq në këtë drejtim, sepse libri i parë që iu bie në mend t’ia dhurojnë dikujt është pikërisht libri i tyre. Në mungesë të vëmendjes dhe lexuesve, shkrimtarët shqiptarë e shohin dhurimin apo faljen e librit si një mundësi për të qenë të lexueshëm, të pranueshëm si krijues. Është i rralli ai shkrimtar i sotëm shqiptar që nuk e ka këtë shqetësim.

Parapëlqej t’i dhuroj librat me poezi të krijuesve të mëdhenj e të përbotshëm, por edhe të poetëve të mirëfilltë shqiptarë. Romanet i dhuroj më me hezitim. Më duket sikur njerëzit mund të takohen më lehtë me romane të përbotshme e të vlershme se sa me vepra poetike, sado të bukura e shkruara mrekullisht qofshin. Po të kisha më shumë se një kopje, do t’i dhuroja me kënaqësi librat poetikë të Rumiut, Nerudës, Lorkës, Pazit, Borghesit etj, por edhe të krijuesve shqiptarë, si Rrahman Dedaj, Martin Camaj, Ymer Shkreli, Azem Shkreli, Basri Çapriqi, Lulëzim Haziri etj.

Foto nga arkivi personal i Manjola Lumanit
Foto nga arkivi personal i Manjola Lumanit

Manjola Lumani, profesoreshë, studiuese

Përgjigjen për pyetjen Pse t’i lexojmë klasikët? e ka dhënë mjeshtërisht Italo Kalvino, çka përbën dhe thelbin e asaj që unë kam në mendje kur dhuroj një libër klasik. Sipas tij, lexuesit e klasikëve nuk thonë asnjëherë se po lexojnë një libër klasik, porse po e rilexojnë atë. Një vepër klasike është e tillë që nuk e mbaron kurrë së thëni atë që ka për të thënë. Klasikët janë librat që vijnë tek ne duke mbajtur gjurmët e leximeve para nesh e po ashtu gjurmët që ata vetë kanë lënë në kulturën apo kulturat që kanë kaluar. Kështu, një libër klasik është ekuivalent me universin, në të njëjtin kuptim siç janë hajmalitë e lashta. Këto dhe arsye të tjera i bëjnë klasikët libra të papërsëritshëm, ndaj dhe në çdo kohë, sa herë zgjedh të dhuroj një libër e përzgjedh një klasik. Kohët e fundit kam dhuruar Ana Kareninën e Tolstoit, një vepër e jashtëzakonshme e përshkruar nga Uilliam Folkner si romani më i mirë i shkruar ndonjëherë dhe nga Dostojevski si një vepër “e përsosur”. “Ana Karenina” është një roman romantik tipik i letërsisë ruse, shkruar plot me detaje mahnitëse, e që mbart një ngarkesë të fuqishme emocionale. Ana është personazhi kryesor i veprës, e cila nuk e gjen veten gjëkundi në martesën e saj dhe, pas një aventurë jashtëmartesore, e gjen veten në shinat e trenit, e gatshme për t’u vetëvrarë për mëkatin që ka bërë. Anna është një grua e sofistikuar që braktis ekzistencën e saj boshe dhe i drejtohet kontit Vronski për të përmbushur natyrën e saj pasionante, por me pasoja tragjike. Gjatë tërë rrëfimit, Tolstoi nuk vë në dukje asnjë moral, thjesht na fton të mos gjykojmë, por të shikojmë. Siç shprehet Rosemary Edmonds, “Ai i lë modelet e ndryshueshme të kaleidoskopit për të sjellë në shtëpi kuptimin e fjalëve të menduara pas titullit, “Hakmarrja është e imja dhe unë do ta paguaj”.

Gjithashtu, një studentes time, shumë e apasionuar pas letërsisë klasike i kam dhuruar romanin “Xhejn Er” nga Sharlotë Brontë.

“Xhejn Er” renditet si një nga veprat më të mëdha dhe më të njohura të letërsisë angleze. Edhe pse heroina e varfër, por e guximshme edhe pse me një pamje të thjeshtë, zotëron një shpirt të paepur, një zgjuarsi të mprehtë dhe guxim të madh. Ajo detyrohet të luftojë kundër nevojave të një kujdestari mizor, një punëdhënësi të ashpër dhe një rendi të ngurtë shoqëror. Të gjitha këto e kufizojnë jetën dhe pozicionin e saj kur ajo bëhet guvernante e vajzës së z. Roçester, një njeri misterioz e tërheqës. Megjithatë, ka shumë mirësi dhe ngrohtësi në këtë histori epike dashurie, e cila është vendosur në sfondin e mrekullueshëm të maleve të Jorkshajërit. Pasioni i madh i Xhejnit dhe Roçesterit është ngjizur t’i mbijetojë zbulimit (njohjes) e më pas humbjes dhe ribashkimit, vetëm për t’u përballur në fund me tragjedinë.

Foto nga arkivi personal i Bardhyl Zaimit
Foto nga arkivi personal i Bardhyl Zaimit

Bardhyl Zaimi, shkrimtar

Zakonisht nëse një libër më ka pëlqyer e diskutoj me miq, shpërfaqi copëza të receptimit tim dhe gjithsesi nëse nuk e kanë lexuar ua rekomandoj ta lexojnë dhe vetëkuptohet ua dhuroj nëse nuk e kanë në bibliotekën e tyre. Nuk kam ndonjë libër të “përzgjedhur” që mund ta rekomandoj. Rekomandimi dhe dhurimi i një libri për ta lexuar, sigurisht, varet nga mosha, momenti se në çfarë frekuencash leximi jemi dhe sidomos nga botëshikimi letrar që kemi. Leximi mbetet art i vështirë dhe me shumë formësime përbrenda. Gjithnjë kam dilema nëse diçka që më pëlqen mua, mund t’i pëlqejë edhe dikujt tjetër. Mendoj se rekomandimet dhe dhurimet e librave më tepër dalin nga diskutimet me miqtë, nga emfazat dhe trandjet e leximeve që ne dëshirojmë t’i komunikojmë me të tjerët. P.sh, në këtë fazë do ia rekomandoja dikujt “Mbi heronjtë dhe varret” të Ernesto Sabatos, një roman shumëplanesh dhe tronditës. Personalisht leximin e kuptoj si festë të qenies dhe pikërisht mbi këtë kriter do të rekomandoja një libër.

Foto nga arkivi personal i Elvi Sidherit
Foto nga arkivi personal i Elvi Sidherit

Elvi Sidheri, shkrimtar, përkthyes

Pyetje shumëplanëshe për mua, ngaqë fatmirësisht kam mundësinë të dhuroj një gamë të gjerë librash, qofshin nga përkthimet e mia të shumta nga disa gjuhë të huaja, qoftë ndonjëherë romanet e mia si shkrimtar, qoftë diçka që zgjedh vetvetiu për këtë qëllim si dhuratë, qoftë diçka në gjuhë të huaj… Gjithsesi, përmbledhtas, libri i parë që më bie ndërmend për këtë qëllim, do të ishte ndonjë nga përkthimet legjendare të përkthyesit të madh Robert Shvarc, i preferuari im në absolut, Çifutja e Toledos, apo ndoshta veprat e pavdekshme të Remarkut, Tre Shokë sidomos, përveçse për hir të ngjarjeve dhe personazheve të mrekullueshme që gjejmë në faqet, e tyre, por mbi të gjitha për shkak të mahnitjes që të shkaktohet nga pasuria, dëlirësia dhe harlisja e gjuhës shqipe të lëvruar përmes këtyre përkthimeve mjeshtërore të Shvarcit. Dhuroj përgjithësisht përkthimet e mia, meqë këtë “luks” e kam sepse përkthej vazhdimisht, për më tepër nga zhanre të ndryshme letrare, dhe kam mundësinë e përzgjedhjes, sipas mikut a mikes përkatëse që dëshiroj të nderoj dhe kënaq me një libër. Së fundi do të filloj të dhuroj dy romane të Rudyard Kipling (“Njeriu që donte të bëhej mbret” dhe “Drita që u fik“), që porsa i kam sjellë në shqip me përkthimin tim. Kriteri është gjithmonë i ndërvarur nga njeriu të cilit ia dhuroj një libër, gjithashtu ka të bëjë thelbësisht edhe me arsyen përse vendos të dhuroj një libër, por sigurisht kriter themelor është cilësia letrare e një libri që unë dhuroj, mesazhi që një libër përçon, ngjarjet apo personazhet që aty përshkruhen, koha për të cilën bëhet fjalë në faqet e tij, por ndoshta edhe shkrimtari apo shkrimtarja, poeti apo poetja përkatëse që e ka shkruar, kanë rëndësinë e tyre parësore nganjëherë.

Foto nga arkivi personal i Valdeta Dulahut
Foto nga arkivi personal i Valdeta Dulahut

Valdeta Dulahu, profesoreshë, poete

Njerëzve që nuk janë të fushës së letërsisë përherë epet e mëdha “Iliada” dhe “Odiseja”Homerit, por edhe “Prometheun” e Eskilit, madje libri i fundit dhuratë ka qenë komplet vepra e Eskilit.

Pse? A mundet njeriu të jetoj pa provuar ndjesinë që të jep leximi i dy veprave të Homerit ( zemërimi i Akilit, lutjet e Priamit, mençuria e Odiseut etj.) Pastaj si do ishte njerëzimi nëse Prometheu nuk do ta kishte vjedhur zjarrin nga Perënditë? Kurrë nuk e bëj dhuratë atë libër që nuk e kam lexuar. Përherë zgjedh, jo në bazë të shijes së tjetrit se çka pëlqen ai/ajo, pak egoiste, por shkoj me diçka që ta provokoj për ta lexuar atë që mendoj se nuk e ka njohur deri tani. Madje me kusht që ta bisedojmë pasi e ka lexuar. (S’di e kam atë pjesën që dua ta bindi tjetrin se atë që ia kam rekomanduar ta lexoj është më e mira).