Lufta kundër dezinformimit kërkon një partneritet mes institucioneve dhe shoqërisë civile

Dezinformatat elektronike përhapen dhe tashmë askush nuk është imun ndaj tyre. Ato janë një kërcënim për shoqëritë. Lufta kundër dezinformimit kërkon një partneritet mes institucioneve dhe shoqërisë civile. Kjo u theksua në konferencën e sotme “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, e organizuar nga Qendra Presidenciale për Edukim Politik në bashkëpunim me Fondacionin “Metamorfozis”, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Gjatë hapjes së konferencës të pranishmëve iu drejtuan Presidenti Stevo Pendarovski, Dirk Jan Kop, ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Maqedoninë e Veriut, Bardhyl Jashari, drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis”, si dhe Prof. d-r. Aleksandar Lj. Spasov, kryetar i Këshillit Programor të Qendrës Presidenciale për Edukim Politik, këshilltar i Presidentit për politikë të brendshme, politikë të jashtme dhe çështje kushtetuese dhe profesor i çrregullt në Fakultetin Juridik “Justiniani I” pranë UKM-së.

“Dezinformatat si një mjet për të shkaktuar apo për të thelluar ndarjet shoqërore, gjegjësisht si një mjet për luftë psikologjike, nuk janë një fenomen as i ri, e as i panjohur. Ato janë të pranishme në të gjitha shoqëritë në intervale kohore të ndryshme dhe janë përdorur nga grupe të ndryshme brenda dhe jashtë shoqërive. Në këtë kuptim, shoqëritë demokratike janë veçanërisht të cenueshme, sepse pluralizmi i mendimeve dhe i qëndrimeve, gjegjësisht liria e shprehjes përfshin edhe lirinë e mospajtimeve verbale që janë vetë thelbi i shoqërive demokratike dhe mënyra se si merren vendimet në to”, theksoi presidenti Pendarovski në fjalimin e tij gjatë hapjes së konferencës.

Presidenti Stevo Pendarovski, foto: Portalb.mk
Presidenti Stevo Pendarovski, foto: Portalb.mk

Ai tha se të gjitha informacionet, përveç atyre me karakter të sigurisë, duhet të jenë në dispozicion të publikut sepse e vërteta është arma më e mirë kundër dezinformatave dhe gënjeshtrave.

“Për një rezistencë afatgjate të shoqërisë maqedonase çelësi është arsimi. Në sistemin arsimor duhet të përfshijmë përmbajtje që kanë të bëjnë me edukimin mediatik, ndërsa unë rekomandoj edhe përfshirjen e edukimit politik në sistemin e rregullt arsimor në frymën e vlerave demokratike. Qendra Presidenciale për Edukimin Politik tashmë ka nisur një iniciativë të tillë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Byronë e Zhvillimit të Arsimit dhe Fondacionin Westminster Democracy të Britanisë së Madhe dhe pikërisht nesër do të promovohet publikimi me udhëzime dhe rekomandime të qarta për zbatimin e politikave në këtë segment”, theksoi Presidenti.

Ambasadori Jan Kop foli për interesin e Holandës dhe të Maqedonisë së Veriut i cili është i qartë, e që është se të dyja vendet duan stabilitet dhe prosperitet.

“Prandaj vendi, përveç i NATO-s, duhet të jetë edhe anëtar i BE-së”, tha ambasadori.

Ambasadori holandez Jan Kop në konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në RMV“, 20 qershor, 2023; Foto: Meta.mk
Ambasadori holandez Jan Kop në konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në RMV“, 20 qershor, 2023; Foto: Meta.mk

Ambasadori Jan Kop rikujtoi se që nga fillimi i agresionit rus ka pasur shumë dezinformata.

“Narrativi përforcohet nga aktorët lokalë për përfitime politike afatshkurtra ose për më shumë pëlqime në mediat sociale. Këtë vit ne shënojmë 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Ajo që ka qenë konstante ndër vite është se Holanda është miku më besnik dhe mbështetësi më i fortë i Maqedonisë së Veriut për anëtarësim e saj në BE. Kemi kënaqësinë të mbështesim Fondacionin Metamorfozis, i cili punon në projekte mbi dezinformatat dhe propagandën që vjen nga aktorët ekstremistë në rajon. Nëse fokusohemi vetëm në verifikimin e informacionit dhe debankimin, mbetemi gjithmonë një hap prapa. Nevojitet një rezistencë sociale ndaj informacionit, e kjo kërkon udhëzime dhe legjislacion kombëtar. Njerëzit nuk duhet të besojnë gjithçka që lexojnë, nxënësit duhet t’i pyesin mësuesit e tyre, ndërsa qytetarët duhet t’u parashtrojnë pyetje autoriteteve. Ne kemi nevojë për mendimtarë më kritikë, më analitikë dhe më lateral”, theksoi ambasadori holandez.

Drejtori i Metamorfozis, Bardhyl Jashari, theksoi se që nga viti 2011 Fondacioni e ka njohur këtë problem dhe ka filluar të merret fillimisht me verifikimin e fakteve.

Drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari
Drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari

“Me kalimin e kohës ne pamë që dezinformatat janë një problem shumë serioz. Ato janë edhe një problem i sigurisë dhe duhen trajtuar si të tilla. Për probleme të tilla komplekse sociale mendojmë se ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për të gjetur një zgjidhje dhe për t’i reduktuar dëmet nga fushatat dezinformative. Duhet të krijojmë një sistem që do t’i reduktojë ndikimet e dëmshme. Pikërisht për këtë ajo puna e përbashkët është shumë e rëndësishme. Roli i organizatave joqeveritare është i rëndësishëm, duhet të punohet në edukimin e qytetarëve, në ndëtimin e kapaciteteve, analizave dhe hulumtimeve që do të mundësojnë një kredibilitet edhe më të madh të asaj që po bëjmë. Presim që institucionet shtetërore të jenë më transparente dhe të mos lënë hapësirë për manipulime. Komuniteti akademik, mediat tu përmbahen standardeve të tyre. Ky mision nuk është i pamundur nëse punojmë bashkë dhe fokusohemi në luftën kundër dezinformatave”, tha drejtori Jashari.

Në konferencë profesori Aleksandar Spasov në prezantimin e tij tha se është e nevojshme ta luftojmë propagandën dhe të ndërtojmë një sistem.

Profesori Aleksandar Spasov në konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në RMV“, 20 qershor, 2023; Foto: Meta.mk
Profesori Aleksandar Spasov në konferencën “Ndërtimi i rezistencës sociale ndaj efekteve të dëmshme të dezinformimit në RMV“, 20 qershor, 2023; Foto: Meta.mk

“Propaganda dhe dezinformatat tashmë prej kohësh janë mes nesh. Veprimi i tyre është i fuqishëm si në planin gjeopolitik, ashtu edhe në atë të brendshëm politik. Dhe jo vetëm një sistem që do të përbëhet vetëm nga organet shtetërore, por një sistem rezistence nga ana e gjithë shoqërisë. Lufta më efektive kundër propagandës është nëse vetë shoqëria të mund të dallojë se çfarë është stereotip, çfarë është paragjykim, çfarë është gënjeshtër dhe çfarë është e vërtetë”, tha profesori Spasov.

Në kuadër të konferencës mbahet edhe sesioni i titulluar “Situatat aktuale dhe sfidat lidhur me ndikimin e dezinformatave në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, në të cilën folës janë Erolld Musliu, drejtor i Agjencisë së Zbulimit, Mile Bosnjakovski, sekretar i përgjithshëm i kabinetit të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Filip Stojanovski, drejtor për partneritet dhe zhvillim të resurseve në Fondacionin “Metamorfozis”, si dhe Biljana Georgievska, drejtoreshë ekzekutive e “Këshillit për etikë në media të Maqedonisë”.

Në sesionin e dytë të titulluar “Zgjidhjet dhe hapat e ardhshëm – rekomandime për veprim të përbashkët” do të flasin Elida Zylbeari, menaxhere e projektit në Fondacionin “Metamorfozis”, Svetllana Siljanoska, bashkëpunëtore për komunikim dhe marrëdhënie me publikun për NATO-n dhe çështjet e sigurisë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Petra Ballazhiq, përfaqësuese e “Qendrës për Perspektivë Evropiane” nga Republika e Sllovenisë dhe Rosana Aleksoska, përfaqësuese e Asociacionit Qytetar – MOST.