KE kritikon RMV-në, BDI dhe VLEN shkëmbejnë akuza për ngecjen drejt BE-së

Dy javë pasi u publikua raporti i progresit i Komisionit Evropian, sot ka reaguar BDI opozitare duke shprehur shqetësime mbi vlerësimin e BE-së për vendin. Për VLEN-in, BDI është e fundit që duhet të flasë për Bashkimin Evropian, raporton Portalb.mk

Përmes një konference për shty, Bashkimi Demokratik për Integrim sot shprehu shqetësimin e thellë për vlerësimin tepër negativ që Komisioni Evropian i ka dhënë Maqedonisë së Veriut në raportin e tij të fundit për vitin 2025. 

“Ky raport, i përfshirë në Paketën e Zgjerimit, paraqet një nga vlerësimet më të dobëta që vendi ynë ka marrë në dhjetë vitet e fundit. Ai është një pasqyrë e qartë e stagnimit institucional, e mungesës së reformave dhe e mungesës së vullnetit politik për ta çuar vendin përpara në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian ka folur me një gjuhë të qartë dhe pa ekuivok. Termat që përdoren në raport: “pa progres”, “progres i kufizuar”, “nuk u morën masa” dhe “zbatimi mbetet i dobët”, përbëjnë një diagnostikim të rëndë të gjendjes së brendshme të shtetit”, tha Arbër Ademi. 

Nga Koalicioni VLEN në Qeveri thonë se dy javë pas debaklit në zgjedhjet lokale dhe dy javë pas publikimit të Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian, BDI dhe Arbër Ademi u “zgjuan nga gjumi” për të treguar shqetësimin e tyre të improvizuar për rrugën evropiane.  

“Ironia është e thellë, me gjysmën e kryesisë në listat e zeza për korrupsion të lartë, ata dalin e mbajnë konferenca për progresin evropian, progres që vetë e kanë bllokuar për shumë vite. Të gjitha gjetjet në raport nuk kanë ndodhur në 12 muajt e fundit. Këto janë pasoja të akumuluara të keqqeverisjes shumëvjeçare, të cilat sot i shohim të shkruara bardhë e zi nga Komisioni Evropian”, thanë nga VLEN. 

Raporti i Progresit i vitit 2025 për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera që aspirojnë BE-në u publikua më 4 nëntor.  KE-ja vëren se nuk janë bërë përpjekje për të miratuar ndryshimet kushtetuese të listuara në përfundimet e Këshillit të 18 korrikut 2022 për të përfshirë komunitete të tjera, siç është ajo bullgare, në Kushtetutë. Në këtë drejtim, shtohet se Parlamenti i Maqedonisë së Veriut duhet të përshpejtojë reformat e nevojshme për procesin e integrimit në BE.