Katari njoftoi se armëpushimi në Gazë do zgjatet edhe për dy ditë

Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi disa minuta më parë se armëpushimi në Gazë, do të zgjatet edhe për dy ditë të tjera, raporton VOA. Më herët, Izraeli kishte thënë se do ta zgjaste ndërprerjen e luftimeve nëse Hamasi lironte 10 pengje në ditë.

Hamasi ka thënë gjithashtu se shpreson ta zgjasë armëpushimin, i cili hyri në fuqi të premten, pas disa javë negociatash indirekte të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti.

Më vonë gjatë ditës palët pritet të kryejnë shkëmbimin e fundit në kuadër të armëpushimit katër ditor.

Sipas marrëveshjes fillestare, pritej që në total të liroheshin 50 pengje izraelite dhe që Izraeli të lironte 150 të burgosur palestinezë.

Por gjithashtu Izraeli thotë se mbetet i përkushtuar për të shkatërruar aftësitë ushtarake të Hamasit dhe për t’i dhënë fund sundimit të tij 16-vjeçar në Gazë.

Kjo mund të nënkuptojë zgjerimin e një ofensive tokësore nga pjesa veriore e shkatërruar e Gazës në jug të rajonit, ku qindra mijëra palestinezë janë grumbulluar në vendstrehimet e ngritura nga Kombet e Bashkuara dhe ku kushtet e vështira vazhdojnë, pavarësisht rritjes së nivelit të ndihmave gjatë armëpushimit.