Kanalet serbe në Telegram glorifikojnë huliganët që sulmuan KFOR-in

Dhuna e ushtruar ndaj forcave paqeruajtëse të NATO-s po riciklohet si akt “heroik” në kanalet serbe të Telegramit dhe në rrjetet sociale. Një nga figurat më të glorifikuara është Dragan Smigiq, huligani që gjatë dhunës së majit 2023 në Zveçan u pa duke sulmuar ushtarët e KFOR-it me shkop gome. Në këto kanale ai referohet me emrin “Ilija” dhe paraqitet si simbol rezistence, raporton Sbunker.

Postimet që u shpërndanë edhe në Facebook e Instagram shoqërohen me fotografi dhe mbishkrime të orientuara për të ndezur emocione tek ndjekësit e këtyre kanaleve, që kryesisht janë qytetarët serb të Kosovës.

Je serb? Bëhu si ILIJA!”, “Ilija e di se Kosova është zemra e Serbisë”, “Satira e Ilias për okupatorët e NATO-s”, apo “Ilija ia rrëmben shkopin okupatorit të NATO-s”, janë disa prej mesazheve që jepen në postim ku ndërtojnë narrativen, sipas së cilës dhuna legjitimohet, ndërsa NATO portretizohet si armik dhe “okupator”.

Kur sulmuesit justifikohen

Komentet mbështetëse e thellojnë këtë normalizim të dhunës: “Koka e tij është prej ari! I uroj gjithë të mirat!”, është njëri prej komenteve që jepet për huliganin që godet me shkop pjesëtarët e KFOR-it. Në këtë ekosistem online, sulmi ndaj KFOR-it justifikohet dhe shpërblehet simbolikisht me lavdërime.

Por konteksti i vërtetë i videos që bëri bujë të madhe është krejt ndryshe. Më 29 maj 2023, protestat në veri të Kosovës të cilën erdhën pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale, përshkallëzuan në sulme të dhunshme. Huliganët që ishin futur mes protestuesve hodhën koktej molotovi, mjete shpërthyese, gurë e shishe qelqi në drejtim të ushtarëve të KFOR-it që kishin vendosur kordonin përreth objektit të komunës së Zveçanit. Pamjet e publikuara nga mediat treguan ushtarë të KFOR-it të rrëzuar përtokë nga goditjet. Një nga sulmuesit më agresivë ishte pikërisht Dragan Smigiç. Të paktën 30 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kishin mbetur të plagosur si pasojë e përleshjeve me protestuesit e dhunshëm në komunën e Zveçanit.

Sipas disa llogarive në X , Smigiq dyshohet se është polic serb nga Rudare që kishte ardhur në Kosovë për t’u përballur me forcat e rendit në veri të vendit. Kërkimet në internet tregojnë se ai është i njohur për autoritetet kosovare dhe se kërkohet si i dyshuar për krime lufte. Emri i tij figuron në një listë të publikuar nga mediume serbe, ku pretendohet se autoritetet e Kosovës kanë shënjestruar rreth 600 persona të dyshuar për krime lufte, mes tyre edhe Smigiq.

Nxitja e dhunës

Heroizimi i dhunës shërben si mekanizëm mobilizimi dhe rrjetet sociale sot përdoren në masë të madhe nga grupet që synojnë të shkaktojnë destabilizim. Duke e shndërruar një huligan në “model”, këto kanale u dërgojnë ndjekësve mesazhin se dhuna është e pranueshme, madje e dëshirueshme kur drejtohet kundër NATO-s dhe institucioneve të Kosovës, të cilave u referohen si “pushtuese”. Përmes gjuhës emocionale, simboleve nacionaliste dhe dehumanizimit të kundërshtarit, tentohet të krijohet një klimë ku inkurajohen aktet e ardhshme të dhunës.

Ky është rreziku real i propagandës në Telegram që në rastin e Kosovës është dëshmuar se nuk pasqyron realitetin por e deformon atë për të nxitur radikalizëm. Kur dhuna paraqitet si trimëri dhe agresori si hero, propaganda shndërrohet në nxitës të drejtpërdrejtë të dhunës.

Duke ndjekur përmbajtjet e shpërndara përmes Telegramit dhe ndërveprimin me rrjete të tjera sociale, Sbunker-i ka identifikuar fushata të mirë-koordinuara që përhapin narrativa të fabrikuara, të cilat synojnë thellimin e përçarjeve ndëretnike, diskreditimin e institucioneve të Kosovës dhe legjitimimin e një narracioni alternativ historik, kryesisht nga burime serbe dhe ruse.