Jeniçerizmi makth frymëzënës për qytetërimet e vogla

Pjesë e fenomeneve të gjithkohshme dhe të kudondodhshme është dhe Jeniçerizmi. Me emra të ndryshëm, atë e kanë praktikuar superfuqitë e hershme, si: perandoria kineze, perandoria romake, fallanga maqedonase, strellcovët e perandorisë ruse, perandoria otomane… Natyrisht, e paktikojnë edhe fuqitë e mëdha të kohës sonë.

Jeniçerizmi lidhet gabimisht vetëm me rekrutimin e ushtarëve nga radhët e popujve me identitet tjetër nga ai i shtypësve. Në fakt, ai shfaqet në versione të shumëllojshme gjithandej ku njerëz profesionesh të ndryshme pranojnë statuse renegatësh dhe vihen vetëdijshëm në shërbim të interesave politike, ushtarake, gjuhësore e kulturore të tjetrit.

Jeniçerizmi është makth frymëzënës për qytetërimet e vogla, vetëdije e shtresuar në myshqet e së shkuarës, e cila do kohë për t’u shkulur që andej. Ndër shqiptarët, më mirë se kushdo tjetër këtë e kuptuan Rilindësit, si Enciklopedia e gjallë – Faik Konica, që për çrrënjosjen e kësaj mendësie një jetë të tërë lëvroi shkëmbin

Ai besonte se të ligat shqiptare vin nga fryma e jeniçerizmit dhe nënprodukteve të tij: filozofisë fataliste, shpirtit të izmeqarit, kompleksit të madhështisë së munguar, kacagjelimet ndërvëllazërore, që vazhdojnë të jenë më të forta dhe më të kobshme se armiqësitë me pushtuesit. Pikërisht te ky shpirt i fortë robi, Konica njohu  gjenezën e viktimizimit të shqiptarëve për të tjerët, sa herë që nuk janë në gjendje t’i kanalizojnë energjitë dhe të bëjnë diçka serioze për vetveten e kllumur n’gazep.

Kruajeni pak realitetin për ta kuptuar se koha e Konicës është dhe koha jonë, me gjithë takamin e ileteve tona kronike. Do ta shihni se, ndërsa jeniçerët e patakat të politikave shqiptare përballen me padronin, si Don Kishoti i Servantesit me mullinjtë e erës, jeniçerët e kulturës shfrytëzojnë amullitë e tranzicionit të mbetur peng në mëshirën e askujt për të brrejtur si minjtë substancën etnike. Të tillët aktualisht janë të zënë me meremetimin e të kaluarës shqiptare. Ata lexojnë histori të huaja, kryesisht të ish-pushtuesve, për t’i kundruar heronjtë e kombit “të tyre” po me atë dioptri, gjithnjë për interesat e shtypësve, të cilëve u konvenon zhveshja e shqiptarëve nga personlitetet historike që ua njeh bota. Për mendjen e çatrafiltë Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani, Gonxhe Bojaxhiu… janë sllavë, Ismail Kadareja agjent Vatikani, Sami Frashëri turk e hajt bir. Prandaj këtij të fundit, bie fjala, ia njohin dhe afirmojnë gjithë veprat letrare e shkencore të shkruara në gjuhën e tjetrit, por ia mohonjë traktatin politik të Rilindjes kombëtare, të shkruar në Gjuhën Shqipe “Shqipëria çka qënë ç’është e ç’do të bëhetë?”, sepse kjo vepër ua qet sheshit bozën e abuzimeve jeniçerishte.

Sidoqoftë, dua të besoj se specia e argatëve iftiaçli për honorare fijengatërruara si lesharapi nuk ka kapacitet të ngufatë Shqiptarët me fund, por dëmet e shkaktuara mund t’na mbajnë gjatë në ankthe vendnumërimesh dhe prapakthimesh të kobshme për rritën tonë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre