Jëlldëz Asani do të sjellë për lexuesit dy librat e saj për periudhat kyçe të historisë së artit

Me datë 23 prill me fillim nga ora 14:00, tek Amfiteatri “Adylselam Emini”, Fakulteti i Kulturës Fizike në Universitetin e Tetovës, do të përurohen dy librat “Nga perspektiva e Renesansës tek iluzioni optik i Manierizmit” dhe libri “Dritëhijet e Barokut dhe teatraliteti i Rokokosë” me autore Jëlldëz Asani, prodekane për arsim në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës. Këto libra janë rezultat i një pune të gjatë kërkimore dhe krijuese, dhe synojnë të shërbejnë si burim i vlefshëm për të gjithë të pasionuarit pas artit figurativ, shkruan Portalb.mk.

Jëlldëz Asani, prodekane për arsim në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Tetovës për Portalb.mk tha se qëllimi i saj ka qenë të krijoj një udhërrëfyes të qartë, të strukturuar dhe të kuptueshëm, i cili ndihmon lexuesin të njohë dhe të vlerësojë më thellë periudhat kyçe të historisë së artit.

Përmes këtyre dy botimeve, kam synuar të ofroj në gjuhën shqipe një material të strukturuar dhe analitik, të ndërtuar mbi parimin kronologjik të zhvillimit të proceseve dhe fenomeneve që karakterizuan historinë e artit perëndimor, në periudhat e Renesansës, Manierizmit, Barokut dhe Rokokosë. Këto libra janë rezultat i një pune të gjatë kërkimore dhe krijuese, dhe synojnë të shërbejnë si burim i vlefshëm për të gjithë të pasionuarit pas artit figurativ. Qëllimi im ka qenë të krijoj një udhërrëfyes të qartë, të strukturuar dhe të kuptueshëm, i cili ndihmon lexuesin të njohë dhe të vlerësojë më thellë këto periudha kyçe të historisë së artit. Në këtë mënyrë, u ofrohet brezave të ardhshëm jo vetëm informacion të sistemuar, por edhe një pasuri kulturore që mund të trashëgohet dhe të shërbejë si themel për njohje më të gjerë dhe më të thellë të artit figurativ perëndimor”, tha Asani.

Asani foli gjithashtu për historinë e artit, bazën e të cilit ajo e ka hulumtuar.

“Kam studiuar me përkushtim epokën e Renesansës dhe Manierizmit, si dhe ndikimet e mëvonshme të Barokut dhe Rokokosë, me qëllim që t’i paraqes këto periudha në një formë sa më të qartë dhe të strukturuar. Në këtë kontekst, kam përfshirë një numër të konsiderueshëm artistësh dhe veprash përfaqësuese, duke synuar t’u ofroj studentëve të artit figurativ njohuri të thelluara dhe të gjithanshme mbi zhvillimet artistike të këtyre epokave.

Renesansa shënon një periudhë të rëndësishme historike dhe kulturore që filloi në Evropë gjatë shekullit të 14-të dhe vazhdoi deri në shekullin e 17-të, duke shënuar kalimin nga Mesjeta drejt epokës moderne. Ajo përfaqëson një rilindje të interesit për artin, shkencën, filozofinë dhe kulturën e lashtë greke dhe romake.  Një element kyç i Renesansës është humanizmi, një qasje filozofike që vendoste theksin te njeriu dhe potencialin e tij. Risitë që u shfaqën në art, letërsi, arkitekturë dhe shkencë gjatë kësaj periudhe patën një jehonë që do të ndikonte fuqishëm jo vetëm në artin dhe kulturën e kohës, por edhe në epokat e mëvonshme, duke vazhduar të frymëzojnë edhe në ditët e sotme.

Në aspektin estetik, arti i Renesansës solli risi në teknikë dhe në përfaqësimin e hapësirës, perspektivës dhe anatomisë njerëzore. Studimet mbi perspektivën lineare, u mundësuan artistëve të krijonin paraqitje më realiste të botës vizuale, duke i dhënë veprave të tyre një thellësi dhe hapësirë më të madhe. Këto përparime shënuan një largim nga format e stilizuara dhe të sheshta të Mesjetës, duke hapur rrugën për realizmin dhe natyralizmin që do të karakterizonte artin evropian për shekuj me radhë.” thotë ajo.

Pamje nga librat “Nga perspektiva e Renesansës tek iluzioni optik i Manierizmit” dhe libri “Dritëhijet e Barokut dhe teatraliteti i Rokokosë”. Foto: Jëlldëz Asani
Pamje nga librat “Nga perspektiva e Renesansës tek iluzioni optik i Manierizmit” dhe libri “Dritëhijet e Barokut dhe teatraliteti i Rokokosë”. Foto: Jëlldëz Asani

“Në librin e dytë kam trajtuar historinë e artit të Barokut dhe Rokokosë. Baroku është një nga stilet më të diskutueshme të historisë së artit dhe historia e termit është po aq e ndërlikuar sa edhe arti që përshkruan. Historianët e artit me termin Barok kanë përfshirë kulturën e cila është kultivuar që nga viti 1600 dhe deri në vitin 1750.

Paraqitja e barokut ka qenë e nxitur nga ndryshimet që në atë kohë po përjetonte Evropa, ku sidomos rol të veçantë ka luajtur kisha. Kisha, në periudhën e Renesansës e kishte humbur ndikimin e saj dominues te besimtarët, dhe se vendin e saj e kishte zënë shkenca. Ndërkohë që në periudhën e stilit të Barokut, kisha bënë përpjekje që ta rikthejë ndikimin e saj në shoqëri.

Edhe piktura pëson ndryshime, sidomos në aspektin kompozicional, ajo paraqitet më monumentale, më e shqetësuar, më ritmike, më e pasur me kostumografi, dominojnë draperitë me shumë pala (rrudha), kurse ndriçimi është më ireal, më reflektorik me një tenebrizëm të theksuar.” thotë mes tjerash Asani.

Në këtë libër janë trajtuar në mënyrë të detajuar arkitektura, piktura dhe skulptura e periudhës së Barokut, me një fokus të veçantë te përfaqësuesit më të rëndësishëm të saj dhe kryeveprat që i karakterizojnë. Padyshim janë analizuar veprat e Lorenco Berninit, Karavaxhos, Velaskezit, Rubensit, Rembrandit, Vermerit etj.

Në vendin tonë vazhdojnë të mungojnë iniciativa të qëndrueshme dhe përkrahje institucionale, theksoi ajo.

“Unë mbetem me shpresë se çdo përpjekje apo kontribut, pavarësisht përmasës, që synon të promovojë njohjen dhe vetëdijen mbi artin, përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një kulture të zhvilluar, të civilizuar dhe shpirtërisht të pasuruar”, tha Asani.

Sipas saj, këto libra do plotësojnë një boshllëk në literaturën shqipe për studentët, sidomos në fushën e artit figurativ, ku mungonin tekste të strukturuara për këto periudha.

“Ky kontribut, ndonëse modest në raport me pasurinë e madhe që ofron historia e artit, mund të shërbejë si një pikë referimi për studime të mëtejshme dhe si një ndihmë konkrete për studentët dhe për një shtresë më të gjerë lexuesish shqiptarë”, tha Asani.

Foto nga librat “Nga perspektiva e Renesansës tek iluzioni optik i Manierizmit” dhe libri “Dritëhijet e Barokut dhe teatraliteti i Rokokosë”. Foto: Universiteti i Tetovës (Facebook)
Foto nga librat “Nga perspektiva e Renesansës tek iluzioni optik i Manierizmit” dhe libri “Dritëhijet e Barokut dhe teatraliteti i Rokokosë”. Foto: Universiteti i Tetovës (Facebook)