Janevska: Nuk do ta tërheqim ligjin për arsimin e lartë, do të jetë për të mirën e të gjithëve

Ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska, sot në një seancë plenare konfirmoi se nuk do ta tërheqë projektligjin për arsimin e lartë, edhepse deputetët e opozitës e kanë kërkuar këtë gjë. Janevska theksoi se diskutimet publike mbi ligjin po zhvillohen ende në të gjitha universitetet dhe se teksti i draftit është i disponueshëm në ENER për komente nga të gjitha palët e interesuara, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Deputetja e LSDM-së, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, në seancën e sotme iu drejtua Janevskës me një pyetje në lidhje me projektligjin për arsimin e lartë dhe pasojat e zgjidhjeve të tij mbi autonominë e universiteteve, cilësinë e arsimit dhe mundësitë e zhvillimit për studentët dhe stafin akademik.

“Cilësia në arsimin e lartë duhet të jetë prioriteti më i lartë jo vetëm i ministrit kompetent dhe qeverisë, por edhe e të gjithë atyre që janë të përfshirë në atë nivel arsimi. Dhe për këtë arsye, çdo zgjidhje ligjore që e rregullon arsimin e lartë duhet të modernizohet rregullisht, por ky proces duhet t’i përfshijë të gjitha palët e interesuara dhe të gjitha palët duhet të dëgjohen”, tha Kostadinovska-Stojçevska.

Pas deklaratës, deputetja i dërgoi një pyetje direkte ministres së arsimit, e cila është si vijon “Ministre, a mendoni se ky propozim i mbulon vërtet të gjitha profilet që studiojnë në institucionet tona të arsimit të lartë?”

“Nuk do ta tërheq ligjin. Do t’ju shpjegoj se është për të mirën e të gjithëve”, u përgjigj Janevska në pyetjen e parashtruar nga deputetja e LSDM-së, Bisera Kostadinovska Stojçevska, e cila bëri një sërë vërejtjesh dhe kërkoi që ligji të tërhiqet.

Ministrja theksoi se ligji ka shkaktuar reagime të caktuara, por ato nuk mund të përgjithësohen dhe vijnë nga studentët dhe kuadri mësimor dhe hulumtues universitar. “Po, kam lexuar disa nga komentet”, shtoi ajo, duke theksuar se disa nga kritikat janë tepër të përgjithësuara dhe të mbushura me floskula.

Janevska shpjegoi se ligji është hartuar sipas standardeve evropiane dhe botërore. Me të përmirësohen të drejtat e studentëve, parashihet një mandat dyvjeçar për të gjitha organet universitare, u jepet përparësi studentëve më të mirë që kthehen nga universitete prestigjioze, si dhe fituesve të unazës së inxhinierisë dhe dhjetë studentëve më të mirë në universitete. Përveç kësaj, me këtë ligj parashihet një shumë për demonstratorët dhe për punësimin e studentëve në projekte.

Ministrja, duke reaguar ndaj kritikave të deputetëve të opozitës, theksoi se neni 13 flet për autonomi dhe ruajtjen e autonomisë së universiteteve, e jo për ndërhyrjen e shtetit. Ajo theksoi se në hartimin e ligjit morën pjesë mbi gjashtëdhjetë profesorë dhe se do të mbahen një sërë seancash dëgjimore me qëllim që të bëhen konsultime shtesë.

Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) më 16 shkurt filloi me vizita në universitetet në vend, si pjesë e debatit publik për Ligjin për Arsimin e Lartë. Sipas ministres së Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, përfaqësues nga MASH do të takohen me të gjithë profesorët që duan të marrin pjesë në debatin publik, ku do të diskutohen nenet kontroverse të Ligjit.

Zgjidhjet e reja ligjore për arsimin e lartë parashikojnë një mënyrë të re të financimit të institucioneve të arsimit të lartë, forcimin e kritereve për avancimin në titujt e fakultetit, riorganizimin e Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë dhe ndryshime në programet e studimit.

Pas përfundimit të debatit publik, do të miratohet versioni përfundimtar i Propozim-Ligjit për arsimin e lartë.