Janë shtuar manipulimet përmes inteligjencës artificiale para zgjedhjeve parlamentare

Me afrimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, kanë marrë intensitet manipulimet në rrjetet sociale përmes krijimit të përmbajtjeve të rreme. Derisa më herët mjaftonte një titull apo tekst i rremë, tani qarkullojnë imazhe të gjeneruara me inteligjencë artificiale e video të fabrikuara nga profile anonime që synojnë të ndikojnë tek publiku dhe të nxisin polarizime në shoqëri, shkruan Sbunker.

Kjo po bëhet shpesh duke keqpërdorur emrin e UÇK-së apo duke prodhuar skena që nuk kanë ndodhur kurrë.

Faqja në facebook “UÇK – Ushtria Çlirimtare e Kosovës” publikoi më 6 dhjetor një foto që shfaq Albin Kurtin, sapo del nga burgu i Nishit, duke u “përshëndetur” me ish-presidentin serb, Vojislav Koshtunica. Në përshkrimin e postimit thuhet:

“Albin Kurti ishte liruar nga burgu i Nishit, me vendim të Koshtunicës, madje ai ishte kujdesur personalisht që ta përcillte gjatë daljes nga burgu. Reporteri ka siguruar fotografinë dhe vendimin e lirimit nga burgu”, shkruan në postim.

Ky pretendim është plotësisht i rremë. Nuk ekziston asnjë dokumentim, fotografi apo dëshmi që Koshtunica ka qenë prezent fizikisht në momentin e lirimit të Kurtit.

Kurti ishte i arrestuar politik gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe ishte liruar më 7 dhjetor 2001 nga burgu i Nishit, pas presionit të ndërkombëtarëve për të liruar të burgosurit politik të regjimit serb.

Fotografia e shpërndarë është e manipuluar ku fytyrat janë vendosur artificialisht në një sfond dhe në një situatë që nuk ka ndodhur kurrë. I njëjti postim është shpërndarë edhe nga faqja tjetër në “facebook”, Prishtina.  Manipulimet e tilla janë të rrezikshme sepse tentojnë të rikonstruojnë një moment historik duke i dhënë atij ngjyrime të rreme politike në prag të zgjedhjeve.

Në postimin tjetër, paraqitet fotografia e rreme ku gjoja Albin Kurti shfaqet së bashku me Aleksandar Vuçiqin dhe Vojislav Sheshelin. Postimi me mbishkrimin “del foto e A.Kurti, me Vuçici dhe Shesheli”, si dhe fotoja është qartazi e manipuluar. Gjenerimi i imazheve të tilla është pjesë e taktikës së njohur të për ta diskredituar imazhin e dikujt- metodë kjo e vjetër propagande që tani realizohet më lehtë përmes inteligjencës artificiale.

Ka edhe postime të tjera ku manipulohet logoja e UÇK-së dhe përdoret si armë propagandistike. Në një postim tjetër ë qendër të logos e cila asocion me UÇK-në është vendosur fotografia e ish drejtorit politik të saj, Hashim Thaçi, i cili aktualisht po gjykohet në Hagë për krime lufte të supozuara dhe nuk është pjesë e garës zgjedhore. Postimi përfshinë edhe figura tjera të PDK-së e partivë të tjera duke ua vendosur mbishkrimin “hajnia ka emër” e “partia e interesit”.  Fotoja është e manipuluar dhe qartazi shfaqen anomalitë tipike të modeleve tekst mbi fotografi.

Pjesë e debatit vazhdon të jetë edhe roli i diasporës së Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Së fundi u publikua një  video e manipuluar, kinse një burrë që prezantohet si mërgimtar nga diaspora e quan Albin Kurtin “spiun të Serbisë”, ndërkohë që në pamje shihet logoja e Klan Kosovës. Logoja është e vendosur artificialisht dhe vërehet deformimi i saj – një nga shenjat më të dukshme të përmbajtjeve me inteligjencë artificiale. E njëjta faqe ka publikuar edhe disa intervista të tjera të gjeneruara përmes inteligjencës artificiale.

Në një terren politik të ndjeshëm ku emocionet janë po aq të rëndësishme sa edhe argumenti, “deepfake” është shndërruar në armë politike. Synimi është i qartë- krijimi i realiteteve alternative duke manipuluar perceptimin e votuesit përmes profileve anonime.

Në klimën politike të tensionuar si pasojë e bllokadës disamujore pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, manipulimi vizual ka marrë hov dhe synohet të ndërtohet mbi perceptime ekzistuese, ku shfrytëzohen ndarjet e krijuara për t’i përforcuar paragjykimet e grupit që synohet.

Përdorimi i AI-së në fushata zgjedhore nuk është fenomen vetëm në Kosovë. Kjo është parë edhe në SHBA, Moldavi, Sllovaki dhe së fundmi në Rumani. Madje Gjykata Kushtetuese e Rumanisë para një viti pati anuluar zgjedhjet presidenciale. Vendimi erdhi pas akuzave për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, e cila dyshohet se ndihmoi ta fitojë rundin e parë të zgjedhjeve, kandidatin e ekstremit të djathtë, i afërt i Moskës, Calin Georgescu.

Shërbimi i inteligjencës i Rumanisë beson se Georgescu është promovuar masivisht në TikTok me mbështetje nga Rusia, përmes metodave të shumta, duke përfshirë llogari të koordinuara, algoritme për të rritur praninë e tij në platformë dhe promovim me pagesë. Dokumentet shpjegojnë se si popullariteti i Georgescut u rrit nga 1 për qind pak para garës në 22 për qind, përmes një operacioni të gjerë manipulimi që përfshinte influencerë dhe mashtroi institucione rumune si dhe votues të zakonshëm. Por atij iu ndalua që të rikandidojë në zgjedhjet e majit të këtij viti në Rumani.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”