Janë gjetur 20 trupa të tjerë të palestinezëve në veri të Rripit të Gazës
Trupat e pajetë të 20 personave u gjetën në një fushë të zbrazët në Rripin e Gazës në të cilën u arrit armëpushim pas sulmeve të Izraelit që vazhduan për më shumë se 15 muaj, raporton Agjencia Anadollu.
Një punonjës i Mbrojtjes Civile i përfshirë në përpjekjet për heqjen e rrënojave tha për AA-në se eshtrat e 20 personave të vrarë në sulme u gjetën pranë një shkolle që përdorej si qendër refugjatësh dhe që u shkatërrua nga ushtria izraelite në qytetin Sheikh Zayed në veri të Rripit të Gazës.
Zyrtari i Mbrojtjes Civile tha se trupat e palestinezëve u gjetën në mesin e grumbujve të rërës në një fushë të zbrazët, duke shtuar se disa prej trupave ishin dekompozuar dhe disa ishin në formën e grumbujve të eshtrave.
Punonjësi i Mbrojtjes Civile vuri në dukje se identitetet e palestinezëve të ekzekutuar dhe të varrosur këtu nga ushtria izraelite, nuk janë përcaktuar ende.
Që kur marrëveshja e armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza hyri në fuqi të dielën më 19 janar, dhjetëra trupa janë nxjerrë çdo ditë nga rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga sulmet e Izraelit para armëpushimit.
Sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë në Gaza, nga rrënojat janë nxjerrë të paktën 488 trupa pas armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit.