Hoteli “Jadran” ofrohet për shitje për pothuajse 2 milionë euro, shteti refuzoi ta blejë
Pronari tani mund ta shesë hotelin në tregun e hapur
“Makedonija Turist”, pronare e hotelit “Jadran”, i njohur edhe si “Shtëpia Arabe”, e ka ofruar objektin për shitje për 1,9 milionë euro, ndërsa Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore në emër të shtetit e ka njoftuar atë se nuk do ta blejë, transemeton Portalb.mk nga Prizma.
Kështu bëjnë të ditur nga Drejtoria për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
“Pronari mund t’ia shesë objektin e mbrojtur një personi tjetër me një çmim jo më të ulët se ai i shënuar në ofertë dhe me kushte jo më të favorshme për blerësin se ato që i përmban oferta”, theksojnë nga drejtoria, duke iu referuar në fakt një neni të Ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Me atë nen konkretisht parashihet që shteti të ketë prioritet gjatë shitjes së objekteve të mbrojtura, siç është hoteli “Jadran”. Ato fillimisht duhet t’i ofrohen shtetit me kushte të njëjta me të cilat do t’i shiteshin një blerësi tjetër.
Nëse pronari vendos t’ia shesë pronën blerësit të radhës me kushte më të mira, ligji mundëson edhe mundësi për sanksionim. Shteti mund ta padisë si shitësin ashtu edhe blerësin dhe të kërkojë anulimin e kontratës.
Padia mund të ngrihet brenda “pesë viteve nga data e lidhjes së kontratës së shitjes”.
Oferta drejtuar Drejtorisë do të thotë që “Makedonija Turist” në të ardhmen nuk mund t’ia shesë pronën askujt për më pak se 1,9 milionë euro.
BIRN u përpoq ta zbulojë shumën për “Shtëpinë Arabe” që kur pronari ia dërgoi Drejtorisë, por të gjitha autoritetet kompetente refuzuan ta zbulojnë atë.
Përgjigjen e pyetjes, të cilën ata këmbëngulën të dërgohej në përputhje me Ligjin për Qasje në Informacion me Karakter Publik, e morëm vetëm pasi u vendos që të refuzohej oferta.
Kështu, në një farë mënyre, publiku u përjashtua nga mundësia e ndikimit të mundshëm në vendim.
Pronarë të rinj, vendime të reja
Hoteli “Jadran”, së bashku me një tjetër monument të Shkupit, hotelin “Bristol”, është në pronësi të shoqërisë aksionare “Makedonija Turist”. Ato për vite me radhë kanë qenë jashtë funksionit. Për dallim nga ato, hotelet e tjera që janë në pronësi të shoqërisë aksionare, si “Bellevue”, “Best Western”, Hoteli “Karposh” dhe “Holiday Inn”, janë në funksion.
Pothuajse tre dekada pronarë kryesorë të shoqërisë ishin Done Tanevski dhe Sonja Bibanovska.
Deri në vjeshtën e vitit 2024.
Atëkohë aksionarë dominant në shoqërinë aksionare u bënë “Tregu i Shkupit”, ku aksionarë kryesorë ishin Aco Dudullovski dhe Fatmir Etemi, pastaj “Promedika”, “MG Fashion” e Zoran Antiqit dhe biznesmeni Simeon Pavllov, i cili përndryshe është pronar i kompanisë “Çeza Komerc”.
Pas shumë ditëve me trazira në Bursë aksionari shumëvjeçar Done Tanevski doli plotësisht nga pronësia, ndërsa aksionet qarkullonin midis të njëjtëve njerëz, personalisht ose përmes kompanive të tyre.
Aksionarët e rinj në një takim më 22 maj të këtij viti vendosën të shesin dhjetëra objekte në pronësi të tyre, përfshirë këtu “Shtëpinë Arabe” dhe hotelin “Bristol”, i cili ende nuk është nën mbrojtje.
Në listën e shitjes janë edhe “Birraria” e famshme në sheshin përballë hotelit “Marriott” dhe ndërtesa trekatëshe përballë ish Shoqërisë së sigurimeve ZOIL, edhe ajo në qendër të Shkupit.
Sërish ndryshime në pronësi
Megjithatë, ndërkohë, struktura e pronësisë së “Makedonija Turist” përsëri ndryshoi. I pari nga shoqëria aksionare doli “Çeza Komerc”, i ndjekur nga “Promedika”, ndërsa kompania e Antiq është në proces largimi.
Në fakt, këtë verë, në këtë shoqëri aksionare po hyjnë persona nga orbita e biznesit të ndërtuesit Fatmir Etemi, njerëz me të cilët ai ose ka pasur ose njofton se do të ketë marrëveshje afariste.
Që nga qershori i këtij viti aksionari më i madh është “Poliverzum”, një kompani e vogël nga Shkupi e themeluar gjashtë vjet më parë, në pronësi të Baki Ajdinit, e cila tani zotëron mbi 22 përqind të aksioneve.
Është interesante se e njëjta kompani që u bë aksionari më i madh në shoqërinë aksionare është në fakt pronare e parcelës të cilën aksionarët e “Makedonija Turist” vendosën ta blinin në takimin e mbajtur në muajin maj. Bëhet fjalë për një parcelë prej mbi 8.000 metra katrorë në Lisiçe të Shkupit, në afërsi të qendrës tregtare “Lisa”.
Me paratë nga shitja e “Shtëpisë Arabe”, hotelit “Bristol” dhe pronave të tjera, siç tha më parë biznesmeni Fatmir Etemi për BIRN, është planifikuar blerja e parcelës në të cilën sipas Planit të Detajuar Urbanistik është planifikuar të ndërtohet një kompleks afarist-banesor me pothuajse 35.000 metra katrorë sipërfaqe bruto.
Megjithatë, plani i Etemit është të ndërtojë një objekt që në vete do të ngërthejë një hotel dhe një qendër tregtare.
Në “Makedonija Turist” aktual është edhe një transfer tjetër i aksioneve. Sipas informacionit zyrtar kompania “Promet Still” e Abedin Aliut është në proces të marrjes në pronësi të aksioneve që biznesmeni Zoran Antiç i ka në shoqërinë aksionare të hoteleve. Bëhet fjalë për më shumë se 15 përqind të aksioneve.
Nga ana tjetër, Aliu dhe Etemi edhe më parë kanë qenë të lidhur në biznes. BIRN tashmë ka publikuar se në vitin 2018 Etemi i ka shitur tokë familjes së Abedin Aliut, e cila ndodhet në parkun në afërsi të shkollës “Gjorgija Pulevski” në Aerodrom.
Nga ana tjetër, aksionet e Simeon Pavllovit dhe “Çeza Komerc” përfunduan te personi fizik Jusuf Kamber, i cili tani zotëron mbi 10 përqind të aksioneve.
Kështu, pas gati dy vitesh tregtimi intensiv në Bursën e Maqedonisë ndër aksionarët më të mëdhenj në “Makedonija Turist” tani janë “Poliverzum” e Baki Ajdinit, “Sovremen Dom” e Aco Dudullovskit, “Tregu i Shkupit”, personi fizik Jusuf Kamber dhe “MGF Investment”, e cila është në proces të marrjes në pronësi nga Aliu.