Izraeli nis një tjetër ofensivë në Gaza, Hamasi: Kemi filluar bisedimet e reja për paqe

Hamasi thotë se është hapur një raund të ri bisedimesh që synojnë t’i japin fund luftës në Gaza, disa orë pasi Izraeli nisi një tjetër ofensivë, raporton TopChannel. Taher al-Nounou, një këshilltar i kreut të Hamasit, tha për BBC se një raund i ri negociatash ka filluar sot zyrtarisht në Doha.

Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, tha se negociatorët e Hamasit po ktheheshin në bisedime indirekte në Katar për të kërkuar një marrëveshje për pengjet.

Kjo erdhi pasi ushtria izraelite tha në llogarinë e në X se trupat ishin mobilizuar për “Operacionin Karrocat e Gideonit” për të pushtuar “zonat strategjike” të Gazës dhe për të liruar pengjet.

Gazeta “Times of Israel” tha se “Qerret e Gideonit”, një referencë për një luftëtar biblik, do të shihnin IDF-në të merrte dhe kontrollonte territorin, të zhvendoste civilët në jug të Rripit, të sulmonte Hamasin dhe ta pengonte atë të merrte kontrollin e furnizimeve me ndihma.

Banorëve në shumë pjesë të Gazës veriore dhe qendrore u është thënë të largohen nga shtëpitë ose vendet e strehimit të tyre – një urdhër që punonjësit e ndihmës thonë se është pothuajse i pamundur sepse shumë prej tyre kanë mbetur vazhdimisht pa strehë gjatë luftës.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, më herët këtë muaj tha se Izraeli po përgatitej për një “hyrje intensive në Gaza” për të pushtuar dhe mbajtur territorin. Qeveria e tij tha se nuk do të fillonte derisa Trump të përfundojë turin në Lindjen e Mesme.

Shefi i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, ka paralajmëruar se përshkallëzimi i fundit i situatës nga Izraeli mund të konsiderohet si shkelje e së drejtës ndërkombëtare.

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA-të ishin “të shqetësuara” nga situata.