Izraeli i hoqi vizat për qytetarët e Republikës së Kosovës

Pasi shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Arabisë Sauditë i hoqën vizat për qytetarët e Republikës së Kosovës, edhe Izraeli vendosi për një vendim të tillë, transmeton Portalb.mk.

“Ambasadorja Ziv e njoftoi Presidenten Osmani se pas kërkesës së Presidentes drejtuar institucioneve të Izraelit, qeveria e Izraelit ka shprehur pajtueshmërinë për miratimin e marrëveshjes për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, njoftojnë nga Presidenca e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka zhvilluar takim me ambasadoren e Izraelit në Prishtinë, Tamar Ziv. Përmes kësaj, qytetarët do të mund të udhëtojnë pa viza në Izrael për qëllime turistike.

“Në takim u diskutua për bashkëpunimin në mes të dy shteteve, si dhe për marrëveshjet ndërshtetërore në fusha të ndryshme të cilat pritet të nënshkruhen së shpejti”, njoftoi Presidenca, ndërsa qytetarët do të njoftohen përsëri kur liberalizimi i vizave do të hyjë në fuqi.