Ministri i Jashtëm turk në Tiranë: Të pastrohen mbetjet e fundit të FETO në Shqipëri

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri ku është takuar me homologun e tij shqiptare, Igli Hasani, raporton EN.

Në një konferencë të përbashkët për mediat pas takimit, Fidan vlerësoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, të cilat siç tha duhet të kalojnë në një stad më lart në shkëmbimet ekonomike.

Kryediplomati turk nënvijëzoi se ndër të tjera kishte biseduar me homologun e tij për hapat që duhen ndjekur për të pastruar ato që i cilësoi ‘mbetjet e fundit të FETO në Shqipëri’, organizatës së Fetullah Gulen, të cilën Turqia e cilëson terroriste.

“Ne bëmë edhe diskutime për luftën kundër terrorizmit. Diskutuam për pastrimin e mbetjeve të fundit të FETO në Shqipëri, ndaj treguam ndjeshmërinë që ka Turqia ndaj kësaj çështjeje dhe mbi hapat që mund të hidhen konkretisht për këtë”, tha ministri i Jashtëm i Turqisë.