Izraeli goditi një fakultet në Gaza, ka të vrarë dhe të plagosur
Tre punonjës të universitetit në Gaza janë vrarë, ndërsa tetë studentë janë plagosur në një sulm ajror izraelit, sipas burimeve lokale palestineze, të cilat raportuan edhe për katër viktima në pjesë të tjera të enklavës, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Një sulm me dron izraelit goditi Universitetin Islamik të Gazës, në pjesën veriore të territorit, ku u vranë tre pjesëtarë të sigurisë dhe u plagosën tetë studentë, thanë për AFP-në disa burime nga institucioni.
Spitali Al-Shifa në qytetin e Gazës konfirmoi se kishte pranuar tre trupa dhe se po trajtonte tetë të plagosur pas sulmit.
Mes studentëve të plagosur, të cilët ndodheshin në kampus dhe po ndiqnin mësimin, “disa janë në gjendje kritike”, njoftoi Ministria palestineze e Arsimit, e cila dënoi “heshtjen e botës përballë sulmeve që shënjestrojnë studentët dhe universitetet”.
Nuk është hera e parë
“Dhjetë studentë dhe mësimdhënës janë vrarë gjatë gjashtë ditëve të fundit”, njoftoi Ministria, duke shtuar se “95 përqind e ndërtesave që u përkasin institucioneve universitare” janë dëmtuar gjatë luftës trevjeçare mes Izraelit dhe Hamasit.
Sipas Mbrojtjes Civile të Gazës, shërbimit të shpëtimit nën kontrollin e lëvizjes islamiste, katër persona të tjerë janë vrarë edhe në pjesë të tjera të enklavës.
Dy persona u vranë në një sulm ajror në Khan Junis, në jug, një person në Deir al-Balah, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, ndërsa personi i katërt u vra nga zjarri izraelit në veri të Rripit të Gazës, tha për AFP-në zëdhënësi i shërbimit.
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkeljen e armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor 2025, pas dy vjetësh luftë të shkaktuar nga sulmi më i madh i lëvizjes palestineze në territorin izraelit, më 7 tetor 2023.
Më shumë se 1.500 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i armëpushimit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza dhe të dhënat e së cilës konsiderohen të besueshme nga Kombet e Bashkuara.