ISHP: Kujdes, ja si të mbroheni nga infeksionet seksualisht të transmetueshme gjatë verës

Instituti i Shëndetit Publik ka vazhduar me thirrjet për mbrojtjen e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme edhe gjatë sezonit veror, transmeton Portalb.mk.

“Infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST) janë infeksione që më së shpeshti transmetohen përmes kontaktit seksual të pambrojtur – vaginal, anal ose oral. Ato mund të shkaktohen nga bakteret, viruset ose mikroorganizma të tjerë. Disa IST shkaktojnë simptoma të qarta, ndërsa të tjera mund të kalojnë pa u vërejtur për një kohë të gjatë. Një person që nuk ka simptoma, megjithatë, mund t’ia transmetojë infeksionin partnerit seksual. IST-të e patrajtuara mund të shkaktojnë pasoja serioze shëndetësore, përfshirë inflamacionet e organeve riprodhuese, probleme me fertilitetin, komplikime gjatë shtatzënisë dhe rritje të rrezikut për lloje të caktuara të kancerit“, theksohet në njoftim.

Nga Instituti theksojnë se testimi në kohë, trajtimi i duhur dhe masat parandaluese janë mënyra më e mirë për mbrojtje.

“Shëndeti seksual është pjesë e rëndësishme e shëndetit të përgjithshëm. Për zvogëlimin e rrezikut nga IST-të rekomandohet përdorimi i prezervativit gjatë marrëdhënieve seksuale, përdorimi i duhur e zvogëlon ndjeshëm rrezikun nga shumica e IST-ve; testimi i rregullt, veçanërisht te personat që kanë partnerë të rinj ose më shumë partnerë seksualë, apo dyshojnë se kanë qenë të ekspozuar. Gjithashtu, rekomandohet vizita në kohë te mjeku në rast të shfaqjes së simptomave si sekrecione të pazakonta, djegie gjatë urinimit, dhimbje në zonën gjenitale ose shfaqje të ndryshimeve në lëkurë apo në mukozë“, thonë nga ISHP.

Ata theksojnë se nuk duhet të përdoren antibiotikë ose barna të tjera pa rekomandimin e mjekut. Trajtimi i papërshtatshëm, siç nënvizohet, mund të shkaktojë komplikime dhe rezistencë ndaj barnave.

Nga ISHP-ja rikujtojnë edhe rëndësinë e vaksinimit dhe theksojnë se ekzistojnë vaksina efektive kundër HPV-së dhe hepatitit B. Njëkohësisht, bëjnë thirrje për komunikim të hapur me partnerin dhe sjellje të përgjegjshme seksuale.