ISHP: 12 fëmijë janë helmuar në një çerdhe në Berovë

Të punësuarit në njësinë rajonale të Qendrës së Shëndetit Publik Berovë, muajin e kaluar kanë paraqitur epidemi të fëmijëve të sëmurë të cilët kanë qëndruar në çerdhe për fëmijë. Janë regjistruar 12 fëmijë me Salmonella, të cilat janë konfirmuar në laborator, shkruan në raportin e ri të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) për lëvizjen e sëmundjeve infektive akute në shtet gjatë muajit shkurt shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Për këtë rast, Meta.mk është drejtuar për detaje te Inspektorati Shtetëror Shëndetësor Sanitar (ISHSHS).

“ISHSHS ka marrë informatë nga epidemiologu, për dy paraqitje për shkaktar të izoluar dhe të dëshmuar të sëmundjes Samonella enteritidis spec. te fëmijë të moshës 4-vjeçare të cilët vizitojnë një çerdhe në Berovë. Në çerdhen për fëmijë në Berovë është kryer mbikëqyrje e jashtëzakonshme inspektuese gjatë së cilës nga aspekti sanitar-higjienik nuk janë konstatuar mungesa. Gjatë mbikëqyrjes së epidemiologut të Qendrës së Shëndetit Publik Koçan, janë marrë materialet nga mjedisi jetësor dhe jo i gjallë si dhe mostra ushqimore për ekzaminim mikrobiologjik”, thonë nga ISHSHS.

Prej atje shtojnë se në mënyrë elektronike u janë dorëzuar informatat për fëmijët te të cilët është e izoluar Salmonella enteritidis, por edhe paraqitje për epidemi të sëmundjes infektive për të cilin burimi nuk është konstatuar.

Instituti i Shëndetit Publik gjithashtu informon edhe për helmimin me ushqim në një shitore për hamburgera në Strumicë.

“Janë paraqitur tre persona të sëmurë me ankesa gastrointestinale të moshës 30-39 vjeç. Pas kryerjes së hulumtimit epidemiologjik, është kryer bisedë edukative me personelin në lidhje me ruajtjen, përgatitjen dhe shërbimin e ushqimit. Është kryer edhe dezinfektim i jashtëzakonshëm dhe kontroll i jashtëzakonshëm sanitar”, theksojnë nga ISHP.