Irani lëshoi raketa drejt dy bazave amerikane, Trump paralajmëron: Përgjigjia do të jetë e ashpër
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar një përgjigje të ashpër ndaj Iranit, pasi Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) lëshoi raketa drejt dy bazave amerikane në Jordani, transmeton Euronews.
“Do t’i godasim ashpër”, citohet të ketë thënë Trump më 31 gusht për një gazetar të Fox News. “Do të ketë përgjigje”, shtoi presidenti amerikan.
Trump deklaroi se mbrojtja ajrore amerikane kishte penguar të gjitha raketat iraniane që mund të kishin shkaktuar dëme. Nga ana tjetër, IRGC-ja pretendoi se kishte lëshuar raketa balistike drejt bazave Mbreti Husein dhe Al Azrak në Jordani, duke shkaktuar “dëme të mëdha”.
Pretendimet e IRGC-së nuk janë verifikuar menjëherë, ndërsa burimi thekson se Garda Revolucionare shpesh i ekzagjeron pretendimet e saj.
Sulmi në Jordani ndodhi pasi forcat amerikane goditën raketahedhësit në ishullin iranian Larak, në atë që, sipas raportimit, ishte sulmi i parë i bërë publikisht nga SHBA-ja ndaj pozicioneve ushtarake iraniane në më shumë se një muaj.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se masat e reja ekonomike ndaj Teheranit po shkaktojnë çrregullime të mëdha në ekonominë iraniane.
“Ata po e marrin shumë seriozisht… janë të tronditur nga gjendja e ekonomisë së tyre”, u tha Bessent gazetarëve gjatë një takimi të ministrave të financave dhe drejtuesve të bankave qendrore të G20-ës në Karolinën e Veriut.
Bessent tha se SHBA-ja do të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Iranit, ndërsa vlerësoi se “javët ose muajt” e ardhshëm mund të sjellin një pikë kthese në fushatën amerikane të presionit.
Edhe ministri francez i Financave, Roland Lescure, deklaroi se vendet duhet të punojnë për forcimin e sanksioneve ndaj Iranit.
SHBA-ja ka nisur më 24 gusht një fushatë sanksionesh të cilësuar si “ofensiva ekonomike”, e cila synon rrjetet financiare iraniane në mbarë botën./