Interoperabiliteti si fuqi: boshti ushtarak Shqipëri-Kosovë në standardet e NATO-s

Shkruan: Prof.dr.Muhamet Racaj nga Universiteti ”Nënë Tereza”- Shkup 

Takimi i fundit ndërmjet komandantëve të Ushtrisë së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës nuk përfaqëson thjesht një akt protokollar apo një sinjal politik të radhës. Ai përbën një tregues të qartë të pjekurisë strategjike ushtarake dhe të një vetëdijeje të re se siguria kombëtare shqiptare, në të dy anët e kufirit, nuk mund të konceptohet më si realitet i fragmentuar, por si arkitekturë e përbashkët mbrojtëse, e ndërtuar mbi standardet euroatlantike.
Në një mjedis sigurie të karakterizuar nga paqëndrueshmëria rajonale, kërcënimet hibride, presionet gjeopolitike dhe rikthimi i logjikës së forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare, bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës merr dimension strategjik, jo thjesht operacional. Ballkani Perëndimor mbetet hapësirë e ndjeshme ndaj ndikimeve destabilizuese, ku shtetet e vogla dhe të reja duhet të ndërtojnë kapacitete reale parandalimi dhe mbrojtjeje.

Në këtë kontekst, dy terma të doktrinës së NATO-s marrin rëndësi kyçe: interoperabiliteti dhe interoperativiteti. Këta terma shpesh përdoren si sinonime në diskursin publik, por në realitet përfaqësojnë dy nivele të ndryshme, por të pandashme, të bashkëpunimit ushtarak.

Interoperabiliteti nënkupton aftësinë strukturore, teknike, doktrinare dhe njerëzore të forcave të armatosura për të bashkëvepruar me forca të tjera aleate. Ai është kapacitet afatgjatë dhe përfshin përputhshmërinë me doktrinat e NATO-s (STANAGs), sistemet e armëve dhe komunikimit, procedurat e planifikimit, si dhe kulturën ushtarake dhe gjuhën operative. Një ushtri që është interoperabile është e gatshme të integrohet, edhe pa qenë ende në fushëbetejë.
Interoperativiteti, në anën tjetër, është shprehja praktike e këtij kapaciteti. Ai nënkupton aftësinë për të vepruar realisht së bashku në një operacion konkret, nën një zinxhir të përbashkët komandues, sipas planeve operacionale të NATO-s, duke koordinuar manovrën, zjarrin, logjistikën dhe mbështetjen ajrore apo detare. Me fjalë të thjeshta: interoperabiliteti i përgjigjet pyetjes “a mundemi të punojmë bashkë?”, ndërsa interoperativiteti pyetjes “a po veprojmë bashkë?”.

Për Ushtrinë e Shqipërisë dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, ndërtimi i një boshti të përbashkët mbrojtës do të jetë i qëndrueshëm vetëm nëse bazohet në këto dy shtylla. Harmonizimi doktrinar, stërvitjet e përbashkëta, shkëmbimi i inteligjencës ushtarake dhe ndërtimi gradual i kapaciteteve të përbashkëta nuk janë luks, por domosdoshmëri strategjike. Ky proces është plotësisht në përputhje me standardet e NATO-s dhe kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin rajonal.

Ky koncept, i cilësuar si një lloj “mini-NATO” funksional, nuk synon zëvendësimin e Aleancës Atlantike, por forcimin e kapaciteteve vetanake mbrojtëse dhe rritjen e gatishmërisë në situata emergjente.
Një iniciativë e tillë, nëse zhvillohet në mënyrë transparente dhe të koordinuar me NATO-n, do të sillte përfitime të shumta: rritjen e gatishmërisë luftarake, uljen e varësisë operative dhe dërgimin e një mesazhi të qartë parandalues ndaj çdo aktori destabilizues.

Nga këndvështrimi im profesional, bashkëpunimi ushtarak Shqipëri–Kosovë dhe iniciativat për struktura të përbashkëta nuk duhet parë si provokim, por si evolucion normal i sigurisë kolektive në një rajon me histori pasigurish. Shtetet që ndajnë vlera, interesa dhe kërcënime të përbashkëta kanë jo vetëm të drejtë, por edhe obligim strategjik të ndërtojnë mekanizma të përbashkët mbrojtjeje.

Takimi i komandantëve duhet të pasohet me hapa konkretë institucionalë, strategjikë dhe buxhetorë, në mënyrë që bashkëpunimi të mos mbetet në nivel deklarativ, por të shndërrohet në kapacitet real mbrojtës.
Në përfundim, bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës është prioritet strategjik kombëtar dhe rajonal. Ai forcon;

● paqen përmes fuqisë,
● stabilitetin përmes parandalimit dhe
●sigurinë përmes unitetit.
Në një botë gjithnjë e më të pasigurt, vetëm shtetet që mendojnë dhe veprojnë së bashku janë të afta të mbrojnë lirinë, sovranitetin dhe të ardhmen e tyre.