Integrimi në BE në mes dilemave dhe bisedimeve për paqe në Ukrainë
Presidenca e Këshillit të BE-së që kryesohet nga Qipro në vitin 2026 duket se do t’i japë përparësi një qasje të ndryshme Ballkanit me anëtarë të rinj të afërt për tu anëtarësuar dhe të tjerë që qëndrojnë larg. Ndërkohë, Bullgaria dy dekada pas të enjten u bë shteti i 21-të që adaptoi euron.
“E mirëpres ngrohtësisht Bullgarinë”, tha Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Evropiane. Sipas agjencisë AFP, ajo e quajti euron një “simbol të fuqishëm” të “vlerave të përbashkëta dhe forcës kolektive”.
Në anën tjetër, bisedimet për ndërprerjen e luftës në Ukrainë po vazhdojnë. “Bisedime të nivelit të lartë, të cilat përfshijnë zyrtarë ukrainas, BE-në dhe SHBA-në, do të zhvillohen këto ditë për të finalizuar planet për paqe të mundshme dhe vendosjen e trupave ushtarake në Ukrainë.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky në një paraqitje në X tha se në Ukrainë do të zhvillohet një takim i këshilltarëve të sigurisë kombëtare. “Ky është takimi i parë i tillë në Ukrainë dhe është i fokusuar në paqe. Përfaqësuesit evropianë do të marrin pjesë dhe ne presim që ekipi amerikan të bashkohet online. Pesëmbëdhjetë vende kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre, së bashku me përfaqësuesit e institucioneve evropiane dhe NATO-s”.
“Më pas, më 5 janar, do të ketë një takim të ushtrisë, të shefave të shtabeve të përgjithshme. Çështja kryesore janë garancitë e sigurisë për Ukrainën. Politikisht, pothuajse gjithçka është gati dhe është e rëndësishme të punohet me çdo detaj se si do të funksionojnë garancitë në ajër, në tokë dhe në det, nëse ia dalim ta përfundojmë luftën. Dhe ky është qëllimi kryesor për të gjithë njerëzit normalë”. “Ne po përgatitemi tani për të siguruar që takimi të jetë produktiv, që mbështetja të rritet dhe që të ketë besim më të madh politik si në garancitë e sigurisë ashtu edhe në marrëveshjen e paqes. Falënderoj të gjithë ata që na ndihmojnë”, tha Zelensky.
Nga akuzat ruso rreth pretendimeve të Moskës se Ukraina ka sulmuar residencën e Putinit, ku paralelisht Ukraina i ka mohuar të njëjtat, bashkë me raportin e fundit të CIA-s, ministria ruse e Mbrojtjes vazhdoi me raporte të tjera. Zyrtarët rus iu dorëzuan amerikanëve të dhëna nga një dron, ky sipas rusëve është ai (droni) që dyshohet se fluturoi më 29 dhjetor për të sulmuar rezidencën e Putinit. Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se gjetën një “dosje me misionin e fluturimit” në një nga UAV-të, i cili supozohej se po shkonte për të sulmuar rezidencën e Putinit në Valdai.
Përderisa akuzat nuk janë ndërprerë, diplomacia vazhdon përpjeket për një armëpushim dhe kushte të reja të pas luftës në Ukrainë. Presidenti i Francës Emmanuel Macron deklaroi se Evropa duhet të përshpejtojë forcimin e mbrojtjes së saj. “Vetëm brenda pak ditësh në Paris, shtetet evropiane dhe aleatët do të bien dakord për hapa konkretë për të mbrojtur Ukrainën dhe për të siguruar një paqe të drejtë në kontinent”, tha Macron. Për habi, shtetet e Evropës Qendrore që kanë fituar aq shumë nga BE-ja që nga shembja e komunizmit, tash janë kthyer kundër BE-së dhe vetë Ukrainës. Kështu po ndodh me Hungarinë, Poloninë, Sllovakinë dhe Çekinë si një ndër fituesit më të mëdhenj të fondeve evropiane pas vitit 1990.
Zhvillimi i sotëm ekonomik nuk është i rastësishëm në këto shtete. Mirëpo, gjatë tre viteve të fundit e sidomos në vitin 2025, të tre shtetet kanë kundërshtuar politikat e BE-së. Kryeministri hungarez Viktor Orban tha se Hungaria nuk po largohet nga Perëndimi. “Ne po qëndrojmë për ta ndryshuar atë. Ne duam një aleancë të udhëhequr nga logjika e shëndoshë. Brukseli duhet t’u shërbejë kombeve, jo të veprojë si kukull”, tha Orban në X. Kritikë të tjerë thonë se tre përfaqësuesit e shteteve të Evropës Qendrore nuk janë të vetmit, pasi të tjerë nga Ballkani që po ashtu që kanë përfituar nga BE-ja po veprojnë ndryshe. Ata janë afruar më shumë me politikat autoritare në favor të atmosferës së pasluftës që pritet pas çdo marrëveshjeje midis Ukrainës dhe Rusisë.
Sipas vlerësimeve, bashkimi me BE-në ka qenë një biletë magjike drejt përparimit ekonomik e financiarë për ish-shtetet satelite komuniste dhe atyre nga Ballkani. Edhe një nga performuesit më të dobët, si Bullgaria, tani po shkon drejt rritjes vertikale thonë analistët. Një krahasim i thjeshtë me Serbinë si vend jo anëtar i BE-së tregon shumë. Sipas tyre kjo do të ndodhë edhe me Ukrainën pas luftës në aspekt të zhvillimit duke i pasur parasysh burimet natyrore të Ukrainës. Një Ukrainë e zhvilluar pranë një Rusie në rënie është një tmerr i madh.
Krahasuar me mundësitë dhe vendin e duhur që morën shtetet e Evropës Qendrore e Lindore në BE, ato nga Ballkani pothuajse disa prej tyre janë në iluzion. Kanë kopjuar pothuajse politikat e vjetra serbe. Shqipëria dhe Mali i Zi janë afër anëtarësimit duke lënë larg Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Në vend që të merren me zbatimin e reformave, mosmarrëveshjet dhe dilemat ndërshtetërore janë shtuar. Në një hamendje të madhe është Serbia. Sipas agjencisë AFP, SHBA-të i kanë dhënë kompanisë serbe të naftës, (NIS), një pezullim nga sanksionet deri në fund të janarit të 2026. “NIS ka marrë një licencë nga OFAC i SHBA-së që i lejon asaj të vazhdojë operacionet deri më 23 janar. Kjo do të thotë që rafineria e Pançevës do të jetë në gjendje të rifillojë operacionet pas 36 ditësh”, tha Ministrja serbe e Energjisë Dubravka Djedovic. Se sa kohë do t’i duhet përfaqësuesëve të Serbisë, Maqedonisë së Veriut, trashigimtarëve politikë të Millorad Dodikut në Bosnjë-Hercegovinë për tu vetëdijësuar se me egot personale do ta kenë vështirë të qeverisin, kjo mbetet të vlerësohet më tej.
Nga dëshira dhe përpjekjet e BE-së për të anëtarësuar shtetet e Ballkanit në union, duhet zbatuar një optimizim të kujdesshëm nëse shtetet në garë në përjashtim të Malit të Zi dhe Shqipërisë e kanë për qëllim përfundimtarë BE-në. Përveç ndikimi rus, disa herë në ngritje dhe ulje, pengesa të tjera të natyrës së jashtme nuk ka, janë motive të brendshme të qeverive që herë thonë jemi afër e po punojmë e në realitet janë shumë larg.
Anëtarësimi fazë fazë për grupin e shteteve që vështirë ecin drejt reformave, duhet të ishte motivi për dekadën e ardhshme që të bëhet pjesë e BE-së. Viti 2026 mund të vendosë disa rregulla dhe se si do të jetë rruga përpara. Në njërën anë, diplomacia amerikane në Ballkan është bërë transaksionale duke u larguar nga politika e jashtme e administratave të mëparshme. Politika amerikane aktuale promovon marrëveshje të shpejta. Shembull, largimi i ish- liderit separatist të Srpska Republika Millorad Dodik nga lista e zezë amerikane, sinjalizoi pragmatizëm amerikan të llojit të vet. Gjithashtu, Akti i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) i vitit 2026, e riafirmoi mbështetjen amerikane për anëtarësimin e shteteve ballkanike në organizatat euroatlantike. Kosova nuk u la anësh.
Nga të gjitha zhvillimet dhe më tej, shihet se disa shtete po përgatiten për paqe dhe disa për luftë. Situata ndërkombëtare e jashtme dhe e brendshme na kujton romanin e Lev Tolstoit “Lufta dhe Paqja” 1869, ku forcat historike dhe rezistenca mbizotërojnë mbi ambiciet personale të udhëheqësve. Ballkani tani po përballet me një fazë të rëndësishme në kontekstin e rastit ukrainas. Të reformohet në tërësi apo të përqafojë stagnimin me gjasa të kthimit prapa.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre