UEFA dënoi dy ekipe për sjelljen e tifozëve pas vdekjes së Mlladiqit

Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ka dënuar klubin Crvena Zvezda të Beogradit dhe Borac Banjalluka për sjelljen raciste të tifozëve të tyre, pasi në ndeshjet e këtyre klubeve në garat evropiane iu bë homazh Ratko Mlladiqit, të dënuarit për gjenocid dhe krime të tjera të luftës, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në ditën e vdekjes së Mlladiqit më 27 gusht, tifozët e Zvezda-s në ndeshjen kundër klubit futbollistik, Viktoria Plzen në Çeki shpalosën pankarta me mbishkrimin “Gjeneral, lavdi e madhe dhe faleminderit”, ndërsa brohoritën emrin e Ratko Mlladiqit. Për këtë arsye, Qendra Përkujtimore e Srebrenicës kërkoi nga UEFA që ta përjashtojë përgjithmonë klubin nga Beogradi.

Komisioni Disiplinor i UEFA-s njoftoi se Crvena Zvezda është dënuar me një gjobë prej gati 100.000 eurosh për sjellje raciste dhe brohoritje të papërshtatshme nga tifozët, si dhe me ndalimin e shitjes së biletave për tifozët e saj për ndeshjen e radhës si mysafir në një garë evropiane.

Gjatë ndeshjes, tifozët e klubit të Beogradit shpalosën pankarta me mbishkrimin “Gjeneral, lavdi e madhe dhe faleminderit ”, ndërsa brohoritën emrin e Ratko Mlladiqit. Më pas, FK Crvena Zvezda publikoi në profilet e saj zyrtare në rrjetet sociale fotografi ku pankartat në fjalë shihen qartë.

Për shkak të sjelljes raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve, Zvezda u gjobit me 40.000 euro, ndërsa për transmetimin e një mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive u gjobit me 50.000 euro. Klubi u gjobit edhe me 8.250 euro për sjelljen e pahijshme të ekipit gjatë ndeshjes si mysafir në Plzen.

Në ndeshjen e Borac Banjalluka kundër Vikingur Reykjavik, më 27 gusht, në ditën e vdekjes së Mlladiqit, në tribunat e stadiumit të qytetit në Banjallukë iu bë homazh Mlladiqit.

Komisioni Disiplinor i UEFA-s njoftoi se klubi nga Banjalluka, për shkak të sjelljes raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve, është dënuar me 30.000 euro, ndërsa është urdhëruar mbyllja e pjesshme e stadiumit për ndeshjen e radhës të Borac-it në një garë evropiane.

Borac është dënuar edhe me 4.000 euro për sjelljen e pahijshme të ekipit, me 3.500 euro për ndezjen e mjeteve piroteknike, ndërsa anëtari i stafit teknik, Bogolub Zhelkoviq, është dënuar me 2.000 euro për fyerjen e zyrtarit të ndeshjes.