Inspektorati i Tregut paralajmëroi kontrolle të intensifikuara në objektet hotelerike para festave
Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) ka njoftuar zbatimin e inspektimeve të përforcuara në të gjitha objektet hotelierike në pritje të festave, kur pritet një numër dukshëm më i madh festimesh, transmeton Portalb.mk.
Qëllimi i kontrolleve të përforcuara është parandalimi i parregullsive në funksionimin e lokaleve dhe sigurimi i mbrojtjes maksimale për mysafirët.
Inspektorati u bëri thirrje ofruesve të shërbimit të hotelerisë të veprojnë me ndërgjegje dhe t’u përmbahen të gjitha dispozitave ligjore që rregullojnë veprimtarinë e tyre.
Ai thekson veçanërisht nevojën për të respektuar numrin e lejuar të mysafirëve në lokal, orarin e punës, dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen nga Pirja e Duhanit dhe të gjitha detyrimet e tjera ligjore përkatëse.
ISHT paralajmëron se do të reagojë në mënyrë të përshtatshme për çdo mosrespektim të detyrimeve ligjore dhe njoftoi se do të marrë masa dhe sanksione në përputhje me ligjet.
ISHT u bën thirrje qytetarëve të përfshihen aktivisht dhe të raportojnë çdo parregullsi që vërejnë në Inspektorat duke telefonuar në numrin 191 ose në faqen e internetit: www.dpi.gov.mk.