Incidenti në Leposaviq, një tjetër provë e ‘luftës hibride’ të Serbisë kundër Kosovës

Më 1 nëntor 2025, në afërsi të komunës së Leposaviqit, në veri të Kosovës, autoritetet e Kosovës raportuan për një ngjarje me përmasa serioze. Milan Vukashinoviq shtetas i Kosovës me prejardhje serbe, dyshohet të jetë plagosur dhe më pas rrëmbyer nga forca e xhandarmëria së Serbisë, brenda territorit të Kosovës, transmeton Sbunker.

Informacionet e para lidhur me plagosjen dhe rrëmbimin i bëri publike avokati Ivan Niniq. Ai shkroi në X se Millan Vukashinoviq ishte plagosur rëndë gjatë të shtënave në fshatin Jellakcë, afër Leposaviqit dhe se mjekët në Qendrën Klinike Universitare në Nish po tentojnë që t’ia shpëtojnë jetën. Niniq ndër të tjera ngriti dyshime nëse në incident kanë marrë pjesë pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë në uniforma kamuflazhi, pa shenja dalluese.

Sipas Policisë së Kosovës (PK), vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës (siç quhet pika zero -0-), në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saja hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Tutje, sipas PK-së, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante dhe me organet e drejtësisë, ku në konsultim me prokuroren kompetente të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, është iniciuar rasti.

Në misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) thanë se janë është dijeni rreth njoftimit të Policisë së Kosovës, mirëpo situata e sigurisë në vijën kufitare administrative është e qetë.

“Policia e Kosovës ka nisur hetime dhe vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me disa entitete, përfshirë KFOR-in. Policia e Kosovës e ka koordinuar aktivitetin e vet në anën kosovare të vijës kufitare administrative me KFOR-in”, kanë thënë për REL-in nga KFOR-i.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, deklaroi se ky veprim përbën shkelje flagrante të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe një instrument të strategjisë së Serbisë kundër institucioneve të Kosovës.

Ai shkroi se Serbia po dëshmohet çdo ditë e më shumë jo vetëm si shtet agresor ndaj fqinjëve të saj, por edhe në thelb si shtet antidemokratik, “pasi që z. Vukashinoviq ende po i mohohet mbrojtja ligjore e cila edhe në vendet më diktatoriale garantohet me ligj”

“Institucionet tona po vazhdojnë me hetime intensive në zbulimin e të gjithë rastit dhe akterëve të përfshirë në të dhe në momentin e parë do të sillen para përgjegjësisë, si dhe do të merren masa për të i’u kundërvënë sjelljeve kriminale e destruktive të Serbisë në raport me Republikën e Kosovës”, ka shkruar Sveçla.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi duke vënë në dukje se incidenti është dëshmi e qasjes hegjemoniste të Beogradit.

“Serbia, e cila çdo ditë bën propagandë e dezinformata për të drejtat e serbëve në Kosovë, ka plagosur dhe më pas ka kidnapuar një qytetar serb të Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiqit, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme. Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë. Ndërkaq skena politike në Kosovë duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla”, ka shkruar ajo.

Zona e veriut të Kosovës dhe veçanërisht komunat me shumicë serbe si Leposaviqi kanë qenë prej vitesh një pikë e tensioneve të vazhdueshme midis Kosovës e Serbisë.

Përveç incidentit të fundit, disa ngjarje të mëparshme e kanë shënjuar dinamikën e këtyre përplasjeve. Më 24 shtator 2023 ndodhi sulmi i armatosur në fshatin Banjskë në Zveçan, ku një grup paramilitarësh serbë sulmoi Policinë e Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Autoritetet e Kosovës e cilësuan si akt terrorist dhe organizatori i saj, ndaj të cilit ka aktakuzë vazhdon të strehohet në Serbi.

Në mars të vitit 2012, dy policë të Kosovës ishin arrestuar në fushatin Dumnicë të Podujevës. Pas 48 orësh ata ishin liruar.

Ndërkaq, më 2023 tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës ishin arrestuar.

Rasti i Leposaviqit nuk është një përjashtim, por vijimësi e një lufte hibride që po zhvillohet prej vitesh. Termi luftë hibride i referohet një strategjie që kombinon instrumente ushtarake, informative, politike dhe psikologjike për të arritur qëllime pa hyrë në konfrontim të drejtpërdrejtë. Serbia, e mbështetur shpesh nga aparati mediatik pro-rus, ka ndërtuar me vite një sistem të tillë për të minuar legjitimitetin e shtetit të Kosovës.

Në këtë kuadër, incidentet rreth kufirit, narrativat mediatike, rrjetet e dezinformimit si dhe shtytjet për destabilizim institucional funksionojnë si pjesë e së njëjtës strategji.