Iluzioni populist: Pushteti, frika dhe kriza e demokracisë

Në vitet e fundit, rritja e populizmit ka riformësuar skenën politike në mbarë botën. Nga Trump në Shtetet e Bashkuara te Bolsonaro në Brazil, nga Orban në Hungari te lëvizjet populiste nëpër Europë dhe Azi, udhëheqësit populistë kanë fituar terren duke pretenduar se flasin në emër të “popullit”, ndërsa sulmojnë institucionet tradicionale, elitën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Por çfarë është në të vërtetë populizmi dhe pse është kaq i fuqishëm në kohën tonë?

Yuval Noah Harari, në shkrimet e tij, përfshirë librin 21 Mësime për Shekullin e 21-të si dhe librin e fundit Nexus, ofron një kornizë të fuqishme për të kuptuar ngritjen e populizmit. Sipas Hararit, thelbi nuk qëndron vetëm tek ekonomia apo ideologjia, por tek manipulimi i identitetit dhe frikës. Populistët, thotë ai, kanë sukses duke ndërtuar tregime emocionale që ndajnë shoqërinë në “ne të ndershmit” dhe “ata të korruptuarit”. Ata ofrojnë përgjigje të thjeshta për sfida shumë komplekse dhe zëvendësojnë debatin me spektakël.

Harari thekson se në një botë të ndërvarur, problemet me të cilat përballemi, si ndryshimet klimatike, pandemitë, tronditjet teknologjike, kërkojnë bashkëpunim global. Por populistët e refuzojnë këtë logjikë. Ata lëvdojnë kufijtë kombëtarë, minojnë institucionet ndërkombëtare dhe e paraqesin globalizmin si kërcënim ndaj sovranitetit. Duke vepruar kështu, ata i flasin frikës së njerëzve që ndihen të lënë pas në një botë që ndryshon shpejt. “Kur ndihesh i stërnagrkuar nga forca globale jashtë kontrollit tënd,” shkruan Harari, “më e lehta është të tërhiqesh në një tregim ngushëllues se dikush po të vjedh vendin, punën, vlerat.”

Ky tregim është joshës, por tejet i rrezikshëm. Jan-Werner Müller, një ndër studiuesit më të rëndësishëm të populizmit, thekson se populistët pretendojnë të kenë monopolin për të përfaqësuar “popullin e vërtetë” dhe delegjitimojnë çdo kënd që nuk bie dakord me ta. Prandaj, populizmi nuk është vetëm një stil politik, është një kërcënim për pluralizmin. Kur marrin pushtetin, populistët shpesh dobësojnë balancat demokratike, minojnë gjyqësorin dhe i kthejnë mediat publike në vegla propagande.

Anne Applebaum, në librin e saj Perëndimi i Demokracisë, shton edhe një aspekt tjetër: ajo paralajmëron për intelektualët që i shërbejnë populizmit, gazetarë, akademikë dhe influencues që heqin dorë nga e vërteta për t’u bërë pjesë e sistemit. Populizmi nuk lulëzon në boshllëk, ai ka nevojë për një kastë që është e gatshme të braktisë parimet në emër të pushtetit.

Pippa Norris dhe Ronald Inglehart, në kërkimet e tyre të rëndësishme, argumentojnë se vala populiste është gjithashtu një reagim kulturor. Ajo buron nga kundërshtimi ndaj vlerave progresive, barazia gjinore, multikulturalizmi, globalizmi. Ndërsa shoqëritë bëhen më liberale dhe gjithëpërfshirëse, disa grupe ndihen të shfuqizuar, madje të kërcënuar. Udhëheqësit populistë u premtojnë rikthimin në një të kaluar mitike, ku rolet ishin të qarta, kufijtë të sigurt dhe traditat të paprekura.

Ku na çon kjo?

Është tundim të tallemi me populistët si figura të thjeshta apo irracionale, por kjo do të ishte një gabim. Tërheqja e tyre është reale, dhe shpesh buron nga ankesa legjitime. Pabarazia ekonomike, humbja e ndjenjës së përkatësisë, largësia e institucioneve nga qytetari i zakonshëm, këto janë probleme të vërteta. Por zgjidhja populiste,  të përqendrosh pushtetin, të heshtësh kundërshtimin dhe të glorifikosh një “popull” monolit, nuk është ilaç. Është kurth.

Harari paralajmëron se në shekullin XXI, rreziku më i madh nuk është totalitarizmi klasik, por erozioni i së vërtetës dhe shpërbërja e tregimeve të përbashkëta. Kur faktet nuk kanë më rëndësi, kur çdo institucion quhet i korruptuar dhe kur liderët fitojnë jo duke bashkuar, por duke ndarë, vetë demokracia nis të shembet.

Mposhtja e populizmit nuk është e lehtë. Kërkon rindërtimin e besimit në institucione, në ekspertizë dhe mbi të gjitha, në njëri-tjetrin. Kërkon udhëheqës që dëgjojnë, por edhe që guxojnë të thonë të vërtetën. Dhe kërkon qytetarë që nuk tërhiqen nga gënjeshtrat që promovojnë komoditet.

Populizmi ushqehet nga frika. Por demokracia mbijeton me guxim, guximin për të përballuar kompleksitetin, për të mbrojtur diversitetin dhe për të besuar se “populli” nuk janë vetëm ata që bërtasin më fort, por të gjithë ne.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.